Pas largimit të deputetëve socialistë nga komisionit hetimor parlamentar për zgjedhjet e 25 prillit, Kuvendi ndërpreu sinjalin e transmetimit live të mbledhjes, duke shkaktuar përplasje mes kryetarit Enkelejd Alibeaj dhe përfaqësueses së administratës, Lefterie Luzi.
Mbledhja e komisionit hetimor për zgjedhjet e 25 prillit dështoi sërish të prodhonte rezultate të mërkurën, pas debateve për procedurë mes palëve.
Anëtarët socialistë të komisionit u larguan nga mbledhja, pasi kryetari i komisionit, Enkelejd Alibeaj, nuk pranoi të fuste në rendin e ditës votimin e rregullores së komisionit, një çështje e cila u bë shkak edhe për dështimin e mbledhjes së mëparshme.
Pas largimit të deputetëve të PS, Alibeaj e vazhdoi mbledhjen duke u dhënë fjalën anëtarëve të opozitës në komision. Kjo situatë prodhoi konflikt mes tij dhe përfaqësuesve të administratës së Kuvendit, të cilët vendosën të ndërpresin transmetimin live.
Lefterie Luzi, drejtoreshë e Shërbimeve të Komisioneve Parlamentare në Kuvend, hyri në sallën e Komisionit për të ndërprerë transmetimin, por Alibeaj replikoi me të dhe e paralajmëroi me padi penale për shkelje të ligjit.
“Unë jam e administratës dhe kur mbledhja s’ka kuorum, nuk mund të trasmetohet,” tha Luzi.
Sipas Alibeajt, detyra e administratës është të vazhdojë transmetimin, deri kur kryetari të deklarojë fundin e mbledhjes. “Nëse do merrni urdhra të paligjshme, ose të merrni urdhra për të ndërprerë sinjalin televiziv, do jem i detyruar të ushtroj të drejtat e mia, për gjithëkënd nga ju, deri në kallëzim penal,” tha Alibeaj, ndërsa kërkoi ndërhyrjen e punonjësve të Gardës për largimin e Luzit nga salla.
Në një deklaratë për mediat, Alibeaj e cilësoi veprimin e administratës së Kuvendit një tentativë për “të penguar veprimtarinë e Komisionit”. “Heqin sinjalin që media dhe publiku të mos shohë se çfarë, ku dhe si po hetojmë,” tha ai.
Por sipas sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, Genc Gjonçaj, administrata ka vepruar në përputhje me rregulloren dhe se ky është një standard i ndjekur edhe më parë.
“Një mbledhje komisioni është e vlefshme kur në to merr pjesë më shumë se gjysma e të gjithë anëtarëve të komisionit,” tha Gjonçaj për BIRN. “Nëse mungon kuorumi, atëherë kjo mbledhje nuk është e ligjshme sepse nuk mund të prodhojë asnjë vendimmarrje, e si e tillë as nuk mund të regjistrohet, zbardhet apo transmetohet,” shtoi ai.
Mbledhja e së mërkurës ishte e katërta në radhë e këtij komisioni që përfundoi pa arritur të marrë asnjë vendim konkret për nisjen e punës. Debatet për formulimin e rregullores dhe mënyrën e funksionimit të drejtimit të komisionit kanë mbajtur peng miratimin e planit hetimor. Alibeaj tha se qëllimi i mazhorancës është “të pengojë të thirret dëshmitar Edi Rama”. Kurse anëtarët socialistë akuzojnë Alibeaj se po synon ta nxjerrë komisionin nga “shinat e ligjshmërisë”.