Përpara Revolucionit Rus, Odesa ishte një lloj Nju Orlinsi në Detin e Zi – një strehë pa taksa me një treg të zi të lulëzuar dhe taverna të mbushura buzë portit, ku mund të dëgjoje një sërë stilesh muzikore: greke, rome, armene, gjeorgjiane. Qyteti ishte i famshëm për përzierjen e tij të veçantë. Kishte gjithashtu një komunitet të madh hebre – bankierë, punëtorë dhe gangsterë hebrenj jetonin të gjithë atje.
Sot Odesa është rrënuar, një fantazmë e asaj që ishte dikur. Pjesa më e madhe e inteligjencës hebraike ka ikur. Distrikti famëkeq i Moldavankës, i bërë i famshëm nga Isaac Babel (1894-1940) Odessa Stories dhe Mark Bernes (1929-1969), është plot me ndërtesa të rrënuara dhe infrastrukturë që po shembet.
Isaac Babel lindi këtu, në geton Moldavanka, dhe e përdori distriktin për shumicën e tregimeve të tij në Odesa, me gangsterë hebrenj si para ashtu edhe pas Revolucionit të Tetorit. Një nga personazhet më të gjallë të Babelit ishte legjendari Beny Krick, një nga anti-heronjtë e mëdhenj të letërsisë ruse, i cili sillet rrotull nëpër rrugët e Moldavankës, duke bërë gjëra të këqija dhe duke bërë bujë.
Odesa ishte gjithashtu shtëpia e një skene muzikore hebraike të lulëzuar dhe i një përqendrimi më të lartë se zakonisht i virtuozëve muzikorë. “Të gjithë njerëzit në rrethin tonë – agjentë, shitës, nëpunës në banka dhe zyrat e anijeve me avull – i regjistronin fëmijët e tyre për mësime muzike”, shkruan Babel. “Odesa u pushtua nga një çmenduri si asnjë qytet tjetër. Dhe është e vërtetë – qyteti ynë furnizoi skenat e koncerteve në botë për dy dekada me radhë.”
Por e gjithë kjo nuk është më. Ndërsa qyteti ende korr përfitimet që i përshtaten një qyteti portual, fryma e çmendur e “New Orleans of the Pale”-it të vjetër (zona e vendbanimeve hebraike në Rusinë perandorake) tani është thjesht një mit dhe legjendë.
“Kam zero ndjesi këtu”, thotë Alec Kopyt. “Të gjithë miqtë e mi janë larguar.”
Në vitin 2007, një regjisor holandez shoqëroi Kopyt në kthimin e tij në Odesa për të bërë një film dokumentar gjysmë-fiktiv, “Zemra e Odesës”.
Historia e filmit, nëse mund ta quani kështu, përfshin përpjekjet e Kopyt për të krijuar një grup muzikor për një koncert në Odesa. Në fund, koncerti dështon dhe ne mbetemi me disa të dehur të Odesës që këndojnë fragmente të këngëve të dashura të gangsterëve të Odesës, ndërsa Kopyt endet në peizazhin e shkatërruar të Moldavankës, i përhumbur në trullosjen e kujtimeve të tij.
Kopyt, i cili është quajtur një “mjeshtër i shansonit rus”, “Bilbili i Odesës” dhe “Tom Waits i Ukrainës”, ka kënduar dhe interpretuar me grupin Amsterdam Klezmer Band që nga viti 2000.
Ai është quajtur pasardhës i këngëtarëve rusë Arkady Severny dhe Alik Berenson, dhe ia ka dalë të bëjë atë që askush nuk ka mundur ta bëjë deri më tani – të sjellë këngët e vjetra të gangsterëve të Odesës në perëndim, në skenën e muzikës botërore.
Ky vit shënon 25-vjetorin e themelimit të Amsterdam Klezmer Band. Kohët e fundit u takova me Kopyt në apartamentin e tij në Amsterdam në mes një turneu të ngjeshur holandez.
Kopyt lindi në Odesa, në atë që atëherë ishte BRSS, në vitin 1959. Në rininë e tij të hershme ai ndoqi hapat e të atit, duke punuar si kasap, ndërsa në të njëjtën kohë u përfshi në skenën e gjallë muzikore të Odesës, falë xhaxhait të tij Moishe, një baterist, i cili i mësoi atij hilet e zanatit.
Kopyt thotë se ai u rrit me “muzikë sovjetike schlager plus disa regjistrime me cilësi të dobët të Beatles, Shocking Blue, Aphrodite's Child – një koleksion shumë i larmishëm”.
Megjithatë, ndoshta më e rëndësishmja për karrierën e tij të mëvonshme në Amsterdam, ishin dasmat hebraike në të cilat Kopyt shkonte me pahir kur ishte i ri, këngët humoristike klezmer që mbetën në kujtesën e tij.
Me këmbënguljen e babait të tij, Kopyt mësoi fizarmonikën, me idenë që Kopyt përfundimisht do të shërbente në ushtrinë sovjetike, një vend i vështirë për një hebre. “Nëse nuk ke ndonjë As nën mëngë, për shembull të jesh argëtues, atëherë të ndihmoftë Zoti, sepse ushtria ruse ishte një gjë shumë e vështirë për t'u kaluar”.
Si përfundim, për shkak të antisemitizmit të përhapur të BRSS, Kopyt u largua nga Odesa me babain e tij në 1978 kur Kopyt ishte 19 vjeç. Ata morën një ftesë për në Izrael, por Kopyt nuk pranoi parakushtet për dy vjet shërbim ushtarak.
“Nuk ka asnjë vend në këtë planet që unë do ta mbroja për dy vjet të jetës sime”, thotë ai. Dhe kështu ata u zhvendosën në Australi ku Alec mësoi një zanat si teknik dentar dhe punonte me taksi. Por, pas dhjetë vitesh ndjesie jashtë loje dhe 24 orë me aeroplan larg vendit ku dukej se po ndodhnin gjëra, ai u nis për në Evropë, duke përfunduar në Amsterdam.
Fakti që Kopyt përfundoi në Amsterdam në 1988 ishte një rastësi. Ai mund të kishte zbritur në çdo qytet tjetër evropian. Siç ishte, një mik kishte një apartament të madh në Amsterdam dhe i ofroi atij një dhomë. Kopyt jepte mësim rusisht për të përballuar jetesën.
Ishin kohët e Perestrojka, Glasnost. Interesi për kulturën ruse ishte në kulmin e tij. Krejt papritur, Kopyt po dëgjonte për grupe ruse për të cilat nuk kishte dëgjuar asgjë për 14 vjet. Ai kishte qenë krejtësisht jashtë kontaktit dhe tani kishte një vërshim të papritur informacioni – për të mos përmendur emigrantët rusë.
“Fillimisht, u trondita që rusët ishin këtu”, thotë Kopyt. “Nuk doja vërtet t'i shihja ata në Evropë. M'u desh pak kohë para se të mësohesha. Në fillim isha histerik, qaja. Qava vërtet kur mora vesh se kufijtë ishin të hapur dhe tani ata po vinin.”
Një ditë, dikush i tregoi Kopyt për një shokun e tij nga Odesa që luante muzikë në rrugët e Amsterdamit. Kopyt e kërkoi atë. Ai ishte German Popov, i cili më vonë do të bëhej i njohur si OMFO (Njeriu ynë nga Odesa) duke bërë emër me muzikën elektronike ballkanase me shije orientale. Kopyt dhe Popov u takuan dhe Popov i sugjeroi të punonin së bashku, pas një oferte për të interpretuar këngë ruse në një shtëpi holandeze për të moshuar.
“Kjo ishte paksa e habitshme. Sepse në atë kohë e fitoja jetesën duke bërë lloj-lloj gjërash, duke përfshirë edhe kurse të gjuhës ruse. Ky i ashtuquajtur koncert ofronte rreth dhjetë herë më shumë. Nxora një një fizarmonikë që e kisha gjetur diku rastësisht dhe fillova të bëja prova me German-in, i cili mund të luante tre akorde në kitarë.”
Pas koncertit në shtëpinë e të moshuarve, Kopyt dhe Popov formuan “Fëmijët e togerit Schmidt”, duke luajtur muzikë rrugëve të Amsterdamit.
“Ishte një minierë ari sepse në rrugë nuk kishte konkurrencë”, thotë ai. “Nuk kishte ciganë. Ne ishim të parët. Po perfomonim gjithandej dhe fitonim shumë para në rrugë. Plus që tërhoqëm shumë vëmendje për të marrë pjesë edhe nëpër festa dhe koncerte të vogla. Pra, shpejt filluam të mbanim disa koncerte të vogla. Ishte pranverë apo diçka e tillë, fundi i pranverës, fillimi i verës, dhe kishte shumë njerëz.”
Një ditë, Kopyt hasi një saksofonist në rrugë. Ishte Job Chajes, i cili kishte mësuar të luante në saksofon në moshën 20-vjeçare dhe së shpejti do të bëhej pjesë e grupit Amsterdam Klezmer Band.
Të dy filluan të bisedonin. Job tha ai se po luante muzikë hebraike. Kjo e bëri Kopyt të mendonte për këngët hebraike me të cilat u rrit nëpër dasma në Odesa dhe ai e ftoi Chajes të shkonte në shtëpinë e tij dhe të dëgjonte disa regjistrime të tij.
Kopyt kishte shumë muzikë ruse që datonte nga ajo periudhë deri në kohën e emigrimit të tij në 1978. Për të, muzika ruse nuk ekzistonte pas kësaj. Kishte muzikë ruse dhe valle kasaposerviko, vallja e kasapëve serbë. Chajes tha se donte të krijonte një grup klezmer, Kopyt tha se mund të organizonte një turne në Zvicër dhe Itali për të, kushti i vetëm ishte që ta lejonte të ishte dhe ai në grup.
Më pas, ata u punësuan duke luajtur në një cirk të vogël, duke përzier klezmer me xhonglim, akrobaci dhe klounë.
“Ishte një kompani disi amatore”, kujton Kopyt. “Akrobatët ishin të vjetër dhe të ngurtë, por ishte shumë e lezetshme. Pastaj dolëm në rrugë dhe u ftuam menjëherë në një dasmë. Ky ishte fillimi i Amsterdam Klezmer Band.”
Amsterdam Klezmer Band deri më tani ka regjistruar 17 albume që nga fillimi i tij në vitin 1996. Ndonjëherë Kopyt këndon me zërin e tij karakteristik, herë të tjera luan në perkusion dhe fizarmonikë. Ai thotë se vlerësohet në grup sepse sjell një element shumëngjyrësh në grup, të cilin ai e quan “shumë të bardhë”. Të gjithë kanë bërë shkollë muzike përveç tij. Ndonjëherë AKB performon kovera. Herë të tjera performojnë këngë të shkruara nga Chajes dhe Kopyt.
“Dashuria është një strehë e sigurt, sepse është shumë e përshtatshme”, thotë Kopyt për tekstet e tij. “Pastaj ka para. Para dhe mungesë parash. Fat. Unë prirem t'i marr me të qeshur gjërat, sepse janë mjaft serioze ashtu siç janë. Dhe këngët e Odesës, të ashtuquajturat këngë të Odesës siç i njoh nga dasmat dhe festat në të cilat kam qenë kur isha i vogël, ato kanë të gjitha një lloj humori. Kështu që unë prirem ta shfrytëzoj atë lloj humori.”
Edhe pse Kopyt flet rrjedhshëm anglisht prej dhjetë viteve që kaloi në Australi, ai refuzon të këndojë në anglisht.
“Nuk duket e natyrshme”, thotë Kopyt. “Mund të këndoj në anglisht, por nuk më vjen me zemër. Anglishtja është gjuha ime e dytë. Është si njerka ime, nga ana gjuhësore. Gjuha ime amtare është rusishtja. Anglishtja është gjuha ime e dytë. Kështu që do të ishte thjesht mekanike. Unë këndoj me zemër. Që të këndoj me zemër, duhet të këndoj në një gjuhë ku i di fjalët – i shijoj fjalët. Në anglisht nuk i shijoj. I them, por ato nuk kanë ndonjë impakt.”
Kopyt e përshkruan veten si “një hedonist deri në palcë”. Ai nuk heziton të pijë dhe të frekuentojë rregullisht kafenetë e Amsterdamit. “Por unë nuk besoj se duhet të jesh i dehur që të performosh me sukses në skenë”, thotë ai.
Në fakt, një nga rregullat e pashkruara të Amsterdam Klezmer Band është që anëtarët e grupit të performojnë esull.
“Por pas koncertit mund të bësh çfarë të duash. Por edhe atëherë s'mund të bësh ç‘të duash, sepse nëse je në turne, duhet të kthehesh në hotel. S'është mirë të bësh figurë të keqe. Ka shumë “por”. Amsterdam Klezmer Band është një grup shumë, shumë i disiplinuar. Ata nuk pinë dhe ka vetëm një ose dy duhanpirës, përveç meje.”
I pyetur nëse duhet të jesh hebre që të performosh klezmer, Kopyt thotë: “Gjepura. Kam dëgjuar shumë muzikantë të mëdhenj duke luajtur klezmer pa qenë hebrenj. Consonance Retro po luajnë atë që unë e quaj klezmer shumë më bindshëm se shumë grupe hebraike. Jo, muzika klezmer, çfarëdo që quhet muzikë klezmer – nuk duhet të jesh patjetër hebre për ta luajtur sepse kjo muzikë në vetvete nuk ekziston në formën e saj të pastër. Është një përzierje e shumë gjërave të tjera. Pra, si mund të flisni për pastërtinë për diçkaje që nuk është e pastër në thelbin e saj?”
“Pra, jo”, përfundon ai. “Nuk është e nevojshme të jesh hebre… por të ndihmon.”