Të martën paradite shkallët pranë Pallatit të Kulturës në Tiranë u mbushën me këpucë të kuqe të cilat mbartnin mesazhe kundra dhunës ndaj grave, në përkujtim të grave viktima të dhunës patriarkale.
Nën thirrjet “Barazi, edhe gjinore” dhe “shteti represiv është dhunuesi im”, paraditen e 8 Marsit, gra, vajza dhe burra iu bashkuan protestës me pankarta në duar për të marshuar kundra femicidit dhe shtypjes së të drejtave dhe lirisë së grave në Shqipëri e kudo.
Diana Rakipi, e njohur si “burrnesha” ose virgjëreshe e betuar, i tha BIRN se gratë janë filizat e jetës, prandaj burrat duhet të tregojnë shumë delikatesë ndaj tyre.
“8 Marsi është një ditë për të gjitha ato gra që janë shumë krenare por edhe dhunohen nga meshkujt”, tha Rakipi.
“I bëj thirrje meshkujve t'i ruajnë gratë se janë filiza, punojnë, rrisin fëmijët dhe i edukojnë. Janë ato që ecin, përparojnë dhe kanë zgjuarsinë”, shtoi ajo.
Tema e marshimit të këtij viti për Ditën Ndërkombëtare të Gruas ishte “Liria”, pikërisht për të sjellë në fokus rëndësinë e një jetë të sigurt e pa dhunë, barazi në kushte dhe pagë, si edhe mosdiskriminim për arsye ekonomike, etnike, race, apo orentimi seksual.
Aktivistet në protestë bënë thirrje për reagim kundra dhunës sistematike që është dëshmuar në rastet e vitete të fundit në Shqipëri.
“Dhuna është rezultat i një shoqërie disfunksionale dhe shtyp individin. Dhuna është e gjitha koncept i patriarkatit. Ndërkohë që burrat dhunojnë gratë, gratë dhunojnë fëmijët, dhe fëmijët do dhunojnë fëmijët e tjerë më të dobët”, u shpreh aktivistja Aurora Birbilaj.
“Dhuna është patriarkale dhe liria është feministe”, shtoi ajo.
Ndërkohë, Xheni Karaj theksoi se sa e rëndësishme është mbështetja mes grave dhe vajzave në këtë rrugëtimin e përbashkët për të drejtat e tyre.
“Me solidaritet me njëra -tjetrën do e bëjmë ndryshimin,” tha ajo.