Një memorandum bashkëpunimi i nënshkruar në janar mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë “Jones International” për forcimin e sigurisë kibernetike ka ardhur në Kuvend si një projektligj special për negocim pa shpallje për nënshkrimin e kontratës mes palëve.
Komisioni i Sigurisë, në rolin e komisionit përgjegjës diskutoi të martën mbi këtë projekligj, të cilin deputetët e opozitës e quajtur antikushtetues dhe në kundërshtim me ligjet në fuqi. Deputetët Ervin Salianji dhe Enkelejd Alibeaj ngritën disa pyetje për përfaqësuesit e qeverisë dhe të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) që kishin të bënin me vlerën financiare të kësaj kontrate që nuk është parashikuar në ligj dhe të procedurës së ndjekur për realizimin e saj, si një procedurë ekstraligjore.
Alibeaj tha se ligji binte ndesh me Kushtetutën dhe me një vendim të Gjykatës Kushtetuese për ligjet speciale. “Ka natyrën e një projektligji special dhe ne e dimë që ky parlament ka njohur disa ligje speciale, por Gjykata Kushtetuese ka një vendim për ligjin special për teatrin që bie ndesh me lirinë ekonomike”, tha ai. Sipas Alibeajt, procedura duhej të ishte me prokurim publik dhe jo me negocim pa shpallje duke sjell në vëmendje ligjin për prokurimet në fushën e mbrojtjes. Demokratët ngritën dhe pyetje mbi nevojën që ka vendi ynë për mbrojtjen kibernitike dhe arsyet e emergjencës së kësaj kontrate.
Në emër të qeverisë e mbrojti projektligjin Ardi Veliu, zv/ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë. Ai tha projekt-akti synon përmirësimin e sistemit të sigurisë kibernetike në institucionet shtetërore në disa aspekte të caktuara të tij, me qëllim mbrojtjen e të dhënave elektronike.
Sipas tij, ky projekt është i nevojshëm dhe i shërben sigurisë kombëtare edhe në dritën e ngjarjeve aktuale të konfliktit në Ukrainë. Ndërsa deputetët socialistë i mëshuan faktit se kompania e përzgjedhur ofronte siguri, pasi përfaqësuesi i saj është një ish-gjeneral amerikan i NATO-s dhe ish-këshilltar për sigurinë i Presidentit Obama, James Logan Jones Jr.
Flamur Noka po ashtu vlerësoi figurën e ish-gjeneralit amerikan si një mbështetës i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, por këmbënguli se kontestimet e opozitës nuk kishin lidhje me emrin e kompanisë, por me procedurat e zgjedhura nga qeveria.
“Pse nuk ndiqni procedurat ligjore me prokurim ndërkombëtar, ku të vendosni kritere të forta për kompanitë që do të konkurojnë, apo jeni të dashuruar marrëzisht për negocimin?”- pyeti ai Veliun.
Zv/ministri tha që “çdo kriter do të ishte një kufizim” dhe theksoi se bëhej fjalë për çështje sigurie kombëtare në përzgjedhjen e kompanisë. Ai tha po të bëhej me tender mund të vinin kompani që do e bënin edhe falas, por do të rrezikohej siguria.
Projektligji parashikon autorizimin e AKSHI-it si autoritet kontraktues, që të negociojë dhe të lidhë një kontratë shërbimi me shoqërinë amerikane “Jones Group” për realizimin e shërbimeve si: kryerjen e vlerësimeve kibernetike gjithëpërfshirëse për çdo agjenci civile qeveritare dhe agjenci të mbrojtjes kombëtare; hartimin e planeve të transformimit kibernetike për secilën agjenci, etj.m si dhe ngritjen e një Qendre Kombëtare të Operacioneve të Sigurisë Kibernetike.
Deputetët bënë disa ndryshime për përbërjen dhe kriteret e komisionit të negocimit, duke pranuar propozimin e ardhur nga Komisioni i Ligjeve për pajisjen me certifikatë sigurie të anëtarëve të këtij komisioni. Pavarësisht kundërshtimeve deputetët e opozitës votuan pro në parim për projektligjin.