Autoriteti për Informim mbi Dosjet e Ish-Sigurimit të Shtetit deklaroi të mërkurën se ka zbuluar një politikan me inicialet I.M., i cili ka një lidhje të pasqaruar në detaje me Sigurimin e Shtetit. Autoriteti deklaroi se e ka bërë verifikimin pas një kërkese të mbërritur me email dhe se ia ka dorëzuar Kuvendit të Shqipërisë rezultatet e hetimit. I dyshuari kryesor i gjëegjëzës, ish-presidenti Ilir Meta, reagoi dy herë brenda pak orësh pas njoftimit të autoritetit, duke i hedhur poshtë akuzat si tentativë për të tërhequr vëmendjen nga skandali i incineratorëve.
“Në kuadër të punës së përditshme me përpunimin e materialeve të ish-Sigurimit të Shtetit, së fundmi Autoriteti është ndeshur me informacione dhe të dhëna mbi një personazh me profil të lartë politik,” thuhet në deklaratën e AIDSSH në faqen e saj në Facebook. [Link]
“Institucionit iu kërkua nëpërmjet postës elektronike që të verifikohej figura e shtetasit I. M. në dosje të klasifikuara të ish-Sigurimit të Shtetit,” thuhet më tej në deklaratë. Rezultatet e verifikimit nuk bëhen të ditura për publikun, por autoriteti thotë se ia ka përciellë ato Kuvendit të Shqipërisë.
Meta reagoi fillimisht përmes zëdhënësit të tij Tedi Blushi pak orës pas publikimit të deklaratës ndërsa në mesditën e së mërkurës iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve duke e akuzuar autoritetin se po shërben si “instrument propagandistik” për Ramën dhe duke aluduar se ky institucion ka kërkuar të bëhet ligj “vetëm për një person”.
Autoriteti i Dosjeve është instrument për propagandën e Ramës.
“Qenka shqetësuar gjithë populli për I.M që ka ardhur Ilir Meta se ka dëmtuar dikë në 88 dhe 89. E kuptoni çfarë më mjerimi është për ta. Ku ka më autoritet Dosjesh? Të bëjnë ligj për një person? Kush i ka penguar, ata e dinë si është puna e I.M apo I.M-ve për këtë lojë që po hapin do e mbajnë ata përgjegjësinë,” deklaroi Meta.
Meta ishte 22 vjeç kur regjimi komunist në Shqipëri u rrëzua në vitin 1992. Ai pranoi të mërkurën se ka qenë sekretar i rinisë [së partisë së Punës] diçka që nuk e përmend në CV-në e tij zyrtare, në të cilën theksohet angazhimi i tij në Lëvizjen Studentore, lëvizje e cila ishte faktori kryesor i rrëzimit të komunizmit në vend. [Link cv zyrtare]
“Unë njoh nja 40-50 Ilir Metaj që njoh unë e njëri është dhe deputet,” deklaroi Meta në konferencë për shtyp. “Në klasën time kemi qenë dy Ilir Metaj, tjetri jam i sigurt që s'ka qenë,” shtoi ai.
E shkuara që përndjek
Të dhënat e marra nga BIRN përmes një kërkese për të drejtë informimi tregojnë se në vitet 1980, kishte rreth 14 mijë vetë të klasfikuar nga Sigurimi i Shtetit si punonjës dhe bashkëpunëtorë të niveleve të ndryshme. Me termin “bashkëpunëtorë”, Sigurimi nënkuptonte qytetarët në pozicione të ndryshme, të cilët spiunonin mbi njerëzit e tyre të afërm, shpesh me pasoja të tmerrshme.
Arkiva e Sigurimit të Shtetit është mbajtur me kyç që nga rënia e komunizmit, duke u ruajtur si sekret shtetëror i lartë fillimisht me një ligj të vitit 1995 dhe më pas, me ligjin aktual që krijon një institucion mbikëqyrës por që i mban dokumentet teknikisht me statusin sekret përgjithmonë. Ligji i vitit 1995 sanksiononte që arkiva të mbetej sekret për 25 vjet. Ndryshe nga ai ligj, ligji i vitit 2015 nuk përcakton një afat se kur arkiva misterioze e sigurimit do të pushojë së qenë “sekret”, duke e lënë atë sekret pa afat.
Klasa politike ka akuzuar vazhdimisht vetveten si njerëz të lidhur me Sigurimin e Shtetit apo me nomenklaturën e lartë të Partisë së Punës ndërsa ndryshe nga disa vende të tjera të Evropës Lindore, Shqipëria nuk ka kryer ndonjë proces dekomunistizimi dhe as nuk ka ngritur akuza ndaj zyrtarëve komunistë për krimet e kryera.
Në mënyrë të përsëritur, zyrtarë të ndryshëm, përfshirë ish-kryeministrin Sali Berisha, i cili ka qenë vetë sekretar partie në kohën e Partisë së Punës, kanë deklaruar se dosjet nuk duhen hapur me qëllim që të shmanget konflikti social mes persekutuesve dhe të persekutuarve.
Meta, i cili është një nga figurat kryesore politike që prej tre dekadash, dha edhe një argument tjetër kundër hapjes së dosjeve të mërkurën. Ai sugjeroi se zbulimi i spiunëve dhe bashkëpunëtorëve mund të shqetësojë fëmijët e tyre.
“Autoriteti i manipulimit dhe kriminalizimit te dosjeve ka nje përgjegjesi të madhe se për nevoja personale të Ramës shkatërron përfundimisht besimin e tij në publik e krijon shqetësime te shumë njerëz që në të kaluarën kanë bërë një gabim e janë prekur e tani mund t'u dalin emrat që kanë fëmijë, kanë krijuar familje e ky është përgjegjësi e Autoritetit të Dosjeve,” deklaroi ai.
Ndërkohë, kryetarja e kuvendit Lindita Nikolla, e cila është deputete e Partisë Socialiste, deklaroi në një konferencë për shtyp se “ajo është e tronditur” nga zbulimi se I.M. “rezulton i përfshirë në aktivitetin e Sigurimit të Shtetit”.
“Rasti është tronditës dhe Kuvendi duhet të reagojë patjetër,” deklaroi ajo.
Për Metën, këto zbulime të kryera së fundmi synojnë të tërheqin vëmendjen nga skandalet e kohës sonë, konkretisht, skandali i incineratorëve.