Kontinenti Evropian po përballet me vështirësi në rritje në sektorin e gazit dhe të energjisë elektrike, pasi sipas gjasave, Rusia pritet të përdorë energjinë dhe dimrin si armë lufte në përballjen e saj me Perëndimin. Megjithatë, ndërtimi i hidrocentraleve të mesëm dhe të mëdhenj gjatë viteve të fundit duket se e ka vendosur Shqipërinë në një pozicion jo shumë të disfavorshëm nga pikëpamja energjetike.
Pjesa dërrmuese e energjisë së konsumuar në Shqipëri pritet të mbulohet nga prodhimi vendës, ku sektori privat po mbulon aktualisht më shumë se gjysmën. Megjithatë, problemi duket aspak i vogël për Shqipërinë në pikëpamje financiare, për shkak se edhe ajo pjesë e vogël e konsumit që duhet të mbulohet nga importet, po kushton shuma të stërmëdha parash.
14% e konsumit kushtoi 136 milionë euro
Enti Rregullator i Energjisë publikoi së fundmi raportin e vet statistikor për gjendjen në gjysmën e parë të këtij viti. [Link] Sipas raportit, Shqipëria konsumoi 4.25 miliardë kWh në periudhën janar-qershor, nga të cilat, 3.66 miliardë u prodhuan në vend ndërsa 591 milionë ose më pak se 14% e konsumit u detyrua të importohet. Në krahasim me vitin e kaluar, prodhimi vendës është 30% më i ulët, por kjo për shkak se vitin e kaluar pati sasi të pazakontë reshjesh.
Të dhënat e ERE tregojnë se blerjet në tregun e liberalizuar (pra importet) i kushtuan të tre kompanive publike 136 milionë euro, me një çmim mesatar prej 254 eurosh për MWh. Çmimi i zakonshëm me të cilën Shqipëria e ka blerë energjinë elektrike në import gjatë viteve të shkuara është luhatur nga 30 në 100 euro për MWh. Problemi është se, ndërsa çmimi i gjashtëmujorit të parë prej 254 eurosh ngjan marramendës, në tenderin e fundit të KESH sh.a. për blerjen e një sasie të vogël energjie për datat 20-21 gusht, çmimi mesatar i ponderuar arriti në 496 euro për MWh.
Ecuria për pjesën e mbetur të vitit është në varësi të reshjeve. Deri në qershor, niveli i Fierzës, i cili është treguesi kryesor i prodhimit, ishte më i ulët, por pranë mesatares shumëvjeçare, ndërsa në varësi të kushteve atmosferike, Shqipërisë mund t’i nevojitet të mbulojë me importe më shumë ose më pak nga sa ka mbuluar në pjesën e parë të vitit. Gjithsesi, në rast se importet do të duhet të jenë aq sa ishin në gjashtëmujorin e parë, fatura e tyre financiare prej 136 milionë eurosh ka gjasa do të jetë dy herë më e lartë se sa ishte në gjashtëmujorin e parë.
Fatura totale, e cila mund të arrijë në mbi 300 milionë euro për të mbuluar vetëm 15% të konsumit, pritet të paguhet nga qytetarët përmes taksimit të përgjithshëm dhe jo përmes faturës së energjisë elektrike. Familjet shqiptare paguajnë aktualisht rreth 11 lekë për kWH energji të konsumuar, ndërsa energjia e importuar po kushton 55 lekë për kWh.
Shqiptarët mund t’ia kursejnë vetes këtë kosto të stërmadhe duke hequr dorë nga një pjesë jo shumë e madhe e konsumit që aktualisht duhet të mbulohet nga importet. Deri më tani, qeveria shqiptare i është drejtuar qytetarëve përmes propagandës së vet që të kursejnë energji, por se sa kjo taktikë do të funksionojë, mbetet për t’u parë.