Qeveria shqiptare vendosi të mërkurën që të ndërpresë marrëdhëniet diplomatike me Republikën Islamike të Iranit, si kundërpërgjigje ndaj sulmit kibernetik të 15 korrikut ndaj sistemit online të shërbimeve qeveritare.
Përmes një videomesazhi të publikuar në faqen e tij në Facebook, kryeministri Edi Rama tha se qeveria kishte “prova të pakundërshtueshme” që Irani ishte përgjegjës për sulmin kibernetik dhe e cilësoi atë një “agresion shtetëror” ndaj Shqipërisë.
“Këshilli i Ministrave ka vendosur me efekt te menjëhershëm ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Republikën Islamike të Iranit. Ky vendim i është bërë i ditur me notë zyrtare Ambasadës së Republikës Islamike të Iranit, së cilës i është kërkuar largimi brenda 24 orëve nga territori i Republikës se Shqipërisë i të gjithë personelit diplomatik dhe tekniko-administrativ, përshfirë edhe personelin e sigurisë,” tha Rama në videomesazhin e shoqëruar me titra në gjuhën angleze.
Shqiptarët u përballën me një situatë të pazakontë gjatë korrikut, kur shërbimet online dhe faqet qeveritare të administruara nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit dolën jashtë funksionit për shkak të sulmit kibernetik.
Sipas Ramës, një hetim i kryer në bashkëpunim me agjenci të specializuara partnere të anti-terrorit digjital zbuloi që sulmi nuk ishte një “operacion individësh”, por një “agresion shtetëror”.
Ai shtoi gjithashtu se qeveria ka prova të pakundërshtueshme se agresioni kibernetik është orkestruar dhe sponsorizuar nga Republika Islamike e Iranit, e cila ka angazhuar katër grupe për sulmin ndaj Shqipërisë.
Njëri prej grupeve, sipas Ramës, ishte autor apo bashkëautor i sulmeve të mëparshme kibernetike mbi Izraelin, Arabinë Saudite, Jordaninë, Emiratet e Bashkuara, Kuvajtin dhe Qipron.
Për vendimin e marrë, kryeministri sqaroi se se ka informuar vendet partnere të NATO-s dhe disa vende të tjera mike, të cilët janë njohur, sipas tij, “me rezultatet e pakundërshtueshme të hetimit që provon burimin e agresionit”.
Rama e cilësoi përgjigjen e Shqipërisë “ekstreme”, por në proporcion me sulmin.
“Kjo masë ekstreme, aspak e dëshiruar po krejtësisht e detyruar, është në proporcion të plotë me seriozitetin dhe rrezikshmërinë e sulmit kibernetik, i cili kërcënoi paralizimin e shërbimeve publike, fshirjen e sistemeve dhe grabitjen e të dhënave shtetërore, vjedhjen e komunikimeve elektronike brenda sistemit qeveritar dhe nxitjen e pasigurisë e të kaosit në vend,” tha ai.
Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Iranit kanë qenë të tensionuara prej vitesh për shkak të vendimit të qeverisë shqiptare për të strehuar si refugjatë disa mijëra muxhahedinë, pjesë e organizatës opozitare, MEK.
Muxhahedinët u zhvendosën në Shqipëri me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.