Grupi parlamentar i Partisë Demokratike që kryesohet nga Enkelejd Alibeaj publikoi të enjten propozimet për Reformën Territoriale, duke kërkuar një rindarje administrative me 92 bashki dhe shkrirjen e 12 qarqeve në 6 rajone.
Zyra e shtypit pranë Alibeajt njoftoi se anëtarët e Komisionit të Reformës Territoriale dhe ekspertët e tyre kanë bërë prezantimin e draftit te deputetët e PD-së, pjesë e grupimit të tij.
Drafti i publikuar parashikon shtimin e numrit të bashkive nga 61 në 92 dhe ndarjen me 6 rajone në nivelin e dytë të qeverisjes vendore.
Në hartën e Tiranës, PD propozon krijimin e tre bashkive të reja në Sukth, Farkë dhe Ndroq si dhe bashkimin e Paskuqanit me Bashkinë Tiranë si dhe zonën e Zall-Herrit në Bashkinë Kamëz.
Drafti parashikon rikthimin e bashkisë Fushë-Krujë, 3 bashki të reja në qarkun Dibër, Maqellarë, Kastriot dhe Lurë si dhe një bashki të re në qarkun Berat, atë të Shpiragut.
Gjithashtu, PD propozon rikthimin si njësi më vete të Dukagjinit e Velipojës në qarkun Shkodër, 2 njësi të reja në qarkun Elbasan, bashkia Shpat dhe bashkia Bardashesh. Edhe në qarkun Kukës propozohen dy njësi, Shishtaveci dhe Bicaj.
Propozimi i deputetëve të PD-së i jep disa qarqeve të mëdha si Lezha, Vlora, Korça dhe Fieri, nga 4 njësi të reja administrative.
Në qarkun Lezhë, bashkitë Milot, Orosh, Zadrimë dhe Bregu i Matës; në qarkun Fier, bashkitë Levan, Dushk, Ardenicë dhe Fratër; në qarkun Korçë bashkitë Leskovik, Voskopojë, Drenovë, Pojani dhe Stravë dhe në qarkun Vlorë, bashkitë Orikum, Ksamil, Novoselë dhe Kote.
Ndërkohë që 12 qarqe aktuale sipas këtij drafti rigrupohen në 6 rajone; Tiranë-Durrës; Shkodër-Lezhë; Kukës-Dibër; Gjirokastër-Berat; Fier-Vlorë dhe rajoni Elbasan-Korçë.
Bashkëkryetarja e komisionit për Reformën Territoriale, Dhurata Çupi, i tha BIRN-it se propozimet e draftit kanë ardhur pas dëgjesave të ekspertëve në komision dhe pas dëgjesave me banorët në disa qarqe. “Janë marrë parasysh disa kritere, si ato gjeografike, historike, kulturore, po ashtu duke parë tiparet e zonave që lidhen me turizmin apo blegtorinë,” tha ajo.
Sipas Çupit, bashkitë do të kenë tre tipologji, ato urbane, urbane-rurale dhe bashki tërësisht rurale. “Rishikimi i kufijve duhet të bëhet aty ku ka pasur bashkim mekanik të zonave në një njësi dhe banorët kanë pasur vështirësi për të marrë shërbimet nga pushteti vendor,” shtoi ajo.
Grupimi tjetër i deputetëve që kryesohen nga ish-kryeministri Sali Berisha pritet të propozojnë një draft të tyrin për reformën. Oerd Bylykbashi, i cili drejton grupin e punës në PD për këtë çështje, i tha BIRN se “ne po punojmë duke marrë informacione dhe propozime nga degët e partisë në çdo bashki dhe do të konkludojmë në një draft që do ta dorëzojmë në Kuvend”.
Partitë politike e shohin këtë reformë të lidhur me interesat politike dhe kalkulimet elektorale në funksion të zgjedhjeve vendore. Por, Çupi këmbëngul se propozimet e ardhura nga ky grupim nuk kanë pasur synime elektorale, por për t'i shërbyer qytetarëve.
Ndërkohë, propozimi për ndarjen në rajone imponon ndryshimin e Kushtetutës, një akt që kërkon një konsensus politik të gjerë në parlament.
Mazhoranca nuk ka dalë ende me propozime zyrtare, por gjatë mbledhjeve të komisionit për Reformën Territoriale ka mbrojtur ndarjen aktuale administrative duke e quajtur atë të suksesshme.
Komisioni bipartizan pritet të përfundojë punën e tij në fund të shtatorit, ku do të dërgojë në Kuvend një ose dy dokumente të ndryshme lidhur me reformën territoriale.