Në vitin 2015, Përparim Shametaj, kryetari jetëgjatë i ish-komunës Sevaster në rrethin e Vlorës, fitoi zgjedhjet për Partinë Demokratike në bashkinë e re të Selenicës, duke mposhtur një koalicion të fuqishëm të përbërë nga Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, koalicion që kishte qeverisjen qendrore dhe të gjithë pushtetin. Shametaj pati sukses pothuajse në të gjitha njësitë përbërëse të Bashkisë Selenicë, të krijuar nga reforma administrative dhe territoriale e vitit 2015, përballë kandidatit të koalicionit qeveritar Kasëm Cenaj, një ish-doganier dhe avokat i propozuar nga LSI.
Surpriza mundet ose mund të mos përsëritet në zgjedhjet e 14 majit 2023, nëse shikohet pesha e madhe e sektorit publik në këtë bashki bujqësore dhe minerare si dhe rezultati i zgjedhjeve të vitit 2021, kur socialistët arritën të rrëmbejnë 58% të votave në territorin e kësaj bashkie për zgjedhjet parlamentare të Qarkut Vlorë.
Në zgjedhjet e 14 majit, Nertil Bellaj garon për Partinë Socialiste pasi ka punuar më parë si drejtor në Agjencinë Kombëtare të Ushqimit në Vlorë si dhe në ndërmarrjen e naftës në Gorisht. Përballë tij, Leonard Rakipaj nga koalicioni Bashkë Fitojmë, i cili është diplomuar në ekonomi në Universitetin e Vlorës dhe ka punuar në biznes privat.
Bashkia e re e Selenicës shtrihet në një zonë kodrinore në bregun e majtë të lumit Vjosa si dhe përgjatë lumit Shushicë, i cili është tributar i Vjosës. Bashkia e re ka në territorin e saj minierën historike të bitumit në Selenicë, ku punësohen edhe banorët e fshatrave përreth, si dhe zonën naftëmbajtëse të Vllahinës, vendburimet Gorisht, Kocul dhe Amonucë, ku nafta është drejt shterimit duke lënë pas një zonë të madhe të ndotur.
Bashkia e re përbëhet nga disa komuna të cilat nuk kanë lidhje organike me qytetin e Selenicës, si dhe nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë rrugore me këtë qytet, duke vështirësuar në këtë mënyrë komunikimin mes tyre.
Bujqësia dhe blegtoria është aktiviteti kryesor ekonomik i bashkisë së re, popullsia e të cilës bazohet veçanërisht shumë te remitancat nga emigracioni për të siguruar të ardhurat e saj.
Kjo bashki përbëhet nga 6 njësi administrative, të cilat janë: Selenicë, Armen, Vllahinë, Kotë, Sevaster dhe Brataj. Disa nga fshatrat e zonës kanë qenë baza të forta të Ballit Kombëtar gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe zona të konsideruara “të deklasuara” gjatë regjimit komunist.
Në zgjedhjet e viteve 2007 e 2011, në njësitë përbërëse të bashkisë Selenicë votuan në masë në favor të Partisë Demokratike, ndërsa PD arriti të mbajë pushtetin edhe në vitin 2015, kur PS dhe LSI garuan bashkë. Numri i qytetarëve me të drejtë vote ka njohur një rritje të lehtë përgjatë viteve të fundit ndërsa numri i votuesve ka rënë, duke reflektuar shkallën e lartë të emigrimit. Zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 sugjerojnë se votat e pakësuara nga emigrimi i mungojnë në fakt partive opozitare ndërsa Partia Socialiste ka arritur të ruajë e madje edhe të përmirësojë rezultatet e saj të mëparshme duke sjellë fitore të konsiderueshme në përqindje.
Numri i votuesve në lista është rritur nga 26,500 në vitin 2011, në 27 mijë në vitin 2021. Numri i votuesve pjesëmarrës në zgjedhje ka rënë nga gati 13 mijë në pak më shumë se 10 mijë. Votat për partinë demokratike janë përgjysmuar ndërsa votat për PS-në janë rritur lehtë.