Dako, i cili gjendet në masën arrest me burg që prej muajit qershor, akuzohet për “Shpërdorim detyre” në procedurën e dhënies së lejes së ndërtimit të një pallati shumëkatesh dhe shpërdorim të fondeve publike në procedurën e prokurimit për ndërtimin e një shëtitoreje në bregdet.
Në përfundim të hetimeve paraprake ka rezultuar se Dako ka kryer veprime në kundërshtim me kompetencat e kryetarit të bashkisë në miratimin e lejes së ndërtimit në favor të shoqërisë “Fakle sh.p.k, pasi Dako dhe zyrtarët e kësaj bashkie i përpiluan dokumentet dy vjet pasi ndërtimi kishte përfunduar dhe banorët banonin në pallatin në fjalë.
Hetimi i SPAK konkludon se, “është bërë legalizimi i një objekti shumëkatësh, të ndërtuar pa leje, ndërkohë që dhe vetë ndërtimi nuk është bërë sipas projektit të paraqitur nga ndërtuesi dhe të miratuar nga Bashkia Durrës”.
Vepra e dytë penale për të cilën do të gjykohet Dako ka të bëjë me një procedurë prokurimi, për shërbim konsulence, sigurimin e një projekti të quajtur “Projektim zbatim për Promenadën Bregdetare dhe Plazhin publik nga Bërryli deri në Currila”.
Sipas SPAK, komisioni i ngritur me urdhër të Dakos, ka kryer gabim llogaritjet e fondit limit, me një vlerë gati dhjetë herë më shumë se ajo që duhet të llogaritej në bazë të Vendimit të Këshillit të Ministrave.
Dako ka nxjerrë urdhrin e prokurimit me vlerën e llogaritur nga Komisioni dhe ka bërë një vesh të shurdhër dhe ka vijuar pagesat ndaj shoqërisë fituese edhe pse Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar gabimin dhe ka kërkuar rikuperimin e dëmit ekonomik. Dëmi ekonomik ndaj shtetit në këtë rast llogaritet në masën 18.3 milion lekë.
SPAK bën të ditur se ka paraqitur në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kërkesën për dërgimin në gjyq të Vangjush Dakos me akuzën “Shpërdorim të detyrës”, e kryer në bashkëpunim.
Vangjush Dako është kryebashkiaku më jetëgjatë i Partisë Socialiste në Durrës, i shpallur i padëshirueshëm nga Departamenti Amerikan i Shtetit me motivacionin e “korrupsionit madhor” në korrik 2019. Ai është akuzuar nga opozita dhe ka rezultuar në përgjime me elementë të krimit të organizuar, të cilët veç narkotrafikut dyshohet se ndikuan në tjetërsimin e rezultatit të zgjedhjeve në Durrës në vitin 2017.
Bashkë me Dakon janë dërguar për gjykim një sërë zyurtarësh të bashkisë Durrës dhe administratori i firmës ndërtuese të pallatit shumëkatësh.
Adhurim Qehajaj, me detyrë ish Drejtor i Drejtorisë së Planifikimit, Kontrollit dhe Zhvillimit të Territorit në Bashkinë Durrës, i akuzuar për kryerjen e veprave penale të “Falsifikimit të vulave, stampave e formularëve” dhe “Shpërdorimit të detyrës”, e kryer dy herë dhe në bashkëpunim.
Për veprën penale të “Falsifikimit të vulave, stampave e formularëve”, janë akuzuar Fiqiri Farruku, administrator i subjektit “Fakle”, Ermal Lama, me detyrë specialist në Drejtorinë e Planifikimit, Kontrollit dhe Zhvillimit të Territorit, Fatmir Ejupi, me detyrë specialist në këtë drejtori dhe Adrian Bulku, me detyrë Inxhinier topograf i licencuar.
Ndërkohë për “shpërdorim detyre” do të gjykohen Ferzilet Hajdëri, me detyrë Inxhinier Ndërtimi i Licencuar , në rolin e kolaudatorës së objektit të ndërtuar, Adnand Toçila, Diana Dedja dhe Bashkim Salillari, të gjithë specialistë në Zyrën e Projekteve në Bashkinë Durrës, si dhe Hanza Reka, me detyrë Përgjegjëse e Sektorit të Financës në Bashkinë Durrës.
Ndërkohë, prokuroria e Posaçme njofton pushimin e procedimit penal për Meri Priftuli, “pasi nga provat e administruara së fundi nga hetimi, u vërtetua se kjo shtetase nuk ka marrë pjesë në kryerjen e ndonjë vepre penale”.