Votimi zgjati vetëm 7 minuta dhe nuk u bazua as në rendin e ditës së seancës plenare, ku ishte parashikuar dhënie mendimi e komisioneve parlamentare përgjegjëse dhe të grupeve parlamentare dhe as në praktikën e mëparshme të Kuvendit, ku diskutimi i buxhetit ka zgjatur 2 ditë rresht ose mbi 14 orë seancë plenare.
Buxheti u votua e 74 vota pro dhe 4 kundër, ndërsa amendamentet e deputetëve të PD-së për disa nene të tij u rrëzuan poshtë pa debat gjithashtu.
Kryetari i grupit parlamentar socialist, Bledi Çuçi, tha se nuk shihte ndonjë problem për mungesën e diskutimit të buxhetit në seancë.
“Është miratuar pas një diskutimi shumë të gjatë që ka pas në komisione, janë konsultuar me gjithë grupet e interesit,” tha Çuçi për gazetarët.
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla vendosi të hedhë direkt në votim projekligjet e rëndësishme, pasi një pjesë e deputetëve të opozitës vijuan protestën e tyre duke ndezur tymuese dhe shkaktuar kaos në sallën e Kuvendit.
Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji tha pas seancës se “po funksionojnë në kushtet e një junte”.
Komisionet Parlamentare i zhvilluan diskutimet për buxhetin 2024 online me një vendim të kontestueshëm të Konferencës së Kryetareve dhe diskutimet u bënë vetëm nga deputetë socialistë.
Mbledhjet fizike u bllokuan nga protesta e deputetëve opozitarë pasi mazhoranca rrëzoi kërkesat për ngritjen e komisioneve hetimore për konçensionet në shëndetësi e rrjedhjen e të dhënave personale.