Nga fundi i vitit 2022 deri në fillim të vitit 2023, Gjykata Kushtetuese ka dhënë gjashtë vendime me efekt në legjislacion ose në adresë direkte ndaj Kuvendit të Shqipërisë, por vetëm një prej tyre është zbatuar, sipas një raporti të Këshillit të Legjislacionit që BIRN e disponon.
Pesë vendime janë shpallur në fund të vitit 2022 dhe lidhen me një dispozitë të Kodit të Procedurës Civile lidhur me kamatat ligjore, pagat dhe pensionet suplementare të magjistratëve, shpërblimin e avokatëve në çështjet e aksidenteve rrugore, garantimin e votës së diasporës dhe dispozitat penale të miratuara gjatë pandemisë së COVID-19.
Ndërsa në janar 2023, Gjykata Kushtetuese shfuqizoi si antikushtetues vendimin e Kuvendit për të bllokuar dërgimin për interpretim në këtë gjykatë të mandatit të deputetes socialiste, Olta Xhaçka, pasi bashkëshorti i saj u shpall “investitor strategjik” dhe përfitoi veç të tjerash përmes një vendimi qeverie, edhe shfrytëzimin e brigjeve të detit.
Thuajse një vit pas këtyre vendimeve, Kuvendi në bashkëpunim me qeverinë i dhanë zgjidhje vendimit për llogaritjen e re të pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve – duke programuar në buxhet një pjesë të konsiderueshme të pagesave.
Ndërkohë, zbatimi i vendimeve të tjera mbetet peng i mungesës së vullnetit politik në parlament apo i nismave ligjore nga ana e qeverisë, edhe pse Kushtetuta dhe vendimet e kësaj gjykate kanë sanksionuar rolin detyrues të saj ndaj organeve të tjera vendimmarrëse.
Sipas një raporti të muajit korrik të Këshillit të Legjislacionit pranë Kuvendit të Shqipërisë, të cilin BIRN e siguroi përmes një kërkese për të drejtë informimi, këto vendime të Gjykatës Kushtetuese u morën në shqyrtim gjatë pranverës së këtij viti, duke vendosur edhe procedurën e zbatimit të tyre.
Këshilli i Legjislacionit ka vendosur që në dy raste t'ia përcjellë Këshillit të Ministrave trajtimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, në një rast Komisionit të Ligjeve, çështja e votës së diasporës i kaloi Komisionit të Reformës Zgjedhore, ndërsa në rastin e dispozitave të Kodit Penal u vlerësua se nuk ka nevojë për plotësime apo ndryshime.
Për dy vendimet që lidheshin me mocionin e mandatit të deputetes Xhaçka, Këshilli nuk gjeti konsesus duke dalë me dy raporte të ndryshme; ai i mazhorancës kërkon rikthimin e çështjes për rishqyrtim në Këshillin e Mandateve, ndërsa opozita kërkon ndjekjen e praktikës së mëparshme parlamentare, ku bëhet një votim formal në seancë plenare për të dërguar interpretimin e papajtueshmërisë së mandatit në Gjykatën Kushtetuese.
Në çdo rast, vendimmarrja e radhës i takon kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla që të vendosë hapat procedurialë për zbatimin e vendimit për mandatin e Xhaçkës, por Nikolla e ka justifikuar mosveprimin e saj me arsye të ndryshme gjatë gjithë sesionit parlamentar të vjeshtës, shtator-dhjetor.
Po ashtu, asnjë nga organet e tjera të përcaktuara në këtë raport nuk ka vepruar më tej për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Komisioni i Reformës Zgjedhore që drejtohet në mënyrë bipartizane nuk ka kryer asnjë mbledhje që nga shtatori për të marrë në shqyrtim ndryshimet e Kodit Zgjedhor për garantimin e votës së emigrantëve.
Zbatimi i këtij vendimi ka afat datën 14 janar të vendosur nga Gjykata Kushtetuese, ndërsa dy nisma ligjore të deputetëve demokratë, Enkelejd Alibeaj dhe Jorida Tabaku, me propozime për realizimin e votimit të diasporës nuk janë marrë në shqyrtim.
Po ashtu, Këshilli i Ministrave nuk ka sjellë në Kuvend nismat ligjore për vendimet që lidhen me mënyrën e përllogaritjes së kamatave ligjore në rastin e kredive të “këqija” konsumatore dhe shpërblimin e avokatëve në çështjet e aksidenteve rrugore.
Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, i tha BIRN se procesi kërkon kohën e vet dhe bashkëpunim me opozitën për t'i shqyrtuar dhe votuar ndryshimet ligjore që rrjedhin nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
“Nëse do të bëhet një ndryshim në Kodin e Procedurës Civile si pasojë e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, nuk mund të bëhet i veçuar, por në kuadër të reformës së Kodit,” tha Bushka, duke shtuar se kur ndërhyet bëhen “të gjitha ndërhyrjet e nevojshme”.
Ngecjen e zbatimit të vendimeve, Bushka e lidh edhe me situatën e tensionuar në Kuvend si pasojë e protestave të opozitës.
“Ndryshimet kërkojnë votë të cilësuar në Kuvend,” tha Bushka, duke iu referuar konsensusit mes palëve.
Deputetja demokrate, Dhurata Çupi, njëherazi nënkryetare e Komisionit të Ligjeve, i tha BIRN se me përjashtim të pagës së magjistratëve, vendimet e tjera të Gjykatës Kushtetuese mbeteshin ende në pritje. Ajo fajësoi për këtë zvarritje “sjelljen bllokuese të mazhorancës”.
“Sjell në vëmendje votën e diasporës, ku Gjykata ka përcaktuar edhe një afat 1-vjeçar, i cili përfundon për 2 javë dhe që ka mbetur i pazbatuar për shkak të bllokimit që mazhoranca i ka bërë emërimit të përfaqësuesve të opozitës në komisionin e reformës zgjedhore,” tha Çupi.
Deputetja Çupi kujtoi gjithashtu se moszbatimi ose pengimi i ekzekutimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese shoqërohet me përgjegjësi penale.
“Është moralisht e turpshme dhe ligjërisht e dënueshme që një vend anëtar i NATO-s, anëtar i Këshillit të Evropës dhe kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian nuk zbaton vendimet e Gjykatës Kushtetuese,” përfundoi Çupi.