Ndihmësja ligjore pranë Gjykatës Administrative të Apelit, Majlida Tosku u përball të premten më 9 shtator me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime për një banesë pesë kate në Tiranë në emër të prindërve dhe vëllezërve të ndërtuar para fillimit të detyrës dhe burimet e një gjendje cash. Ajo mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.
Trupa e KPK që po kryen procesin e rivlerësimit për Toskun kryesohet nga Etleda Çiftja me relatore Firdes Shulin dhe anëtar Lulzim Hamitajn. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Theo Jacobs.
Ndihmësja ligjore Majlida Tosku e ka filluar detyrën në vitin 2016 në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë dhe prej 2020-ës e ushtron në Apel.
Si burime të një gjendje cash në shumën 1.5 milionë lekë, subjekti ka deklaruar të ardhurat nga ekzekutimi i një vendimi gjyqësor, si dhe një pjesë nga pagat. Për të vërtetuar të ardhurat e deklaruara, ajo ka paraqitur dokumente shkresore.
Nga hetimi ka rezultuar se subjekti i ka përdorur një pjesë të të ardhurave nga vendimi për shpenzime të tjera dhe për rrjedhojë në analizën e krijimit të cash-it është konsideruar shuma 900 mijë lekë. Nga analiza financiare e kryer për të gjitha të ardhurat nga punësimet nga viti 2009 e në vijim, ka rezultuar pamundësi në shumën 600 mijë lekë për krijimin e vlerës 1.5 milionë lekë.
Tosku solli në vëmendje të Kolegjit se ajo nuk ka qenë dhe nuk është as aktualisht subjekt deklarues. Ajo shpjegoi se deklarimin e pasurisë e kishte kryer vetëm në funksion të vetingut. Në vijim theksoi se ishte përpjekur që të shpjegonte gjetjet nëpërmjet pyetësorëve, ndërkohë që kishte konstatuar se barrë prove i ishin vendosur veprimet ekonomike të familjarëve.
Ajo kërkoi korrigjimin e analizës financiare dhe përfshirjen e shumës së përfituar nga ekzekutimi vendimit gjyqësor. Relatorja Shuli i kujtoi se kjo shumë ishte konsideruar.
Ajo dha shpjegime për gjetjet e Komisionit lidhur me një banesë pesë kate në emër të nënës dhe vëllezërve ku jeton edhe vetë, të verifikuar pas një denoncimi anonim ku ngriheshin ndër të tjera, edhe pretendime për pasuri të fshehur.
Relatorja Shuli vërejti se subjekti e ka deklaruar këtë objekt si adresë banimi, por nuk ka deklaruar përdorimin. Tosku ka shpjeguar për KPK se që prej momentit kur ka marrë detyrën e në vijim ka banuar në shtëpinë e nënës pa kundërshpërblim.
Shuli konstatoi se nga hetimi administrativ ka rezultuar se subjekti ka marrë disa kredi ku si kolateral janë vendosur pjesë përbërëse të shtëpisë pesëkatëshe. Po ashtu, është konstatuar se në llogari të subjektit kanë kaluar disa shuma të përfituara nga dhënia e tyre me qira.
Nisur nga këto fakte, KPK e ka thelluar hetimin për objektin pesëkatësh, që sipas subjektit është ndërtuar në vitet 2000-2006. Për këtë pronë rezulton të jetë aplikuar për leje legalizimi nga babai i subjektit në vitin 2006. Leja e legalizimit nga dalë në emër të nënës në vitin 2011 dhe pasi prona është regjistruar, është ndarë në pasuri të ndara me numra të ndryshëm, të cilat ndër vite kanë ndryshuar pronësinë duke mbetur në emër të nënës dhe vëllezërve të subjektit. Nga hetimi ka rezultuar se Tosku nuk ka përfituar asnjë prej këtyre pasurive.
Subjekti ka deklaruar se godina është ndërtuar me kontribut prindërve dhe të vëllezërve, por sipas Shulit, ajo nuk ka dhënë informacione apo dokumente për të ardhurat e tyre.
Relatorja Shuli konstatoi se nëna e Toskut ka lidhur disa kontrata qiraje për pjesë përbërëse të godinës pesëkatëshe, nga të cilat ka kaluar në llogarinë e subjektit një shumë në vlerën rreth 1.1 milion lekë.
Sipas KPK, duket se Tosku është sjellë si pronare e apartamentit ku banon, por nuk e ka deklaruar posedimin e apartamentit.
Lidhur me mosdeklarimin e përdorimit, Tosku pohoi në seancë se kishte konsideruar se deklarimi i adresës ishte i mjaftueshëm, pasi nuk posedon ndonjë pjesë të kësaj pasurie. Ajo sqaroi se jeton me nënën si rrjedhojë e marrdhënies së tyre natyrore nënë e bijë. Sipas saj, banesa është ndërtuar kur ajo ishte studente, me kontributet e prindërve dhe të vëllezërve.
Për kreditë e marra nga subjekti, Komisioni konstaton se duket se ajo në mënyrë të përsëritur ka marrë kredi për investime në aktivitete private të cilat nuk rezultojnë të jenë ushtruar prej saj apo familjarëve të saj; se deklarimet në formularët e kredive bien në kundërshtim me deklarimet e kryera gjatë hetimit administrativ dhe fakte të evidentuara gjatë procesit të rivlerësimit; se nuk vërtetohet destinacioni dhe përdorimi i shumave të përfituara nga kreditë e tërhequra; si dhe nuk është vërtetuar se shlyerja e kredive, në disa raste para afatit të përcaktuar, është realizuar me të ardhurat e vëllezërve.
Tosku deklaroi në seancë se ishte përpjekur të siguronte dokumente për të ardhurat e vëllezërve. Ajo sqaroi se vlerat e qirave kishin kaluar në llogarinë e saj pasi nëna nuk dispononte një llogari bankare. Subjekti pohoi se të gjitha pagesat e qirave i'a kishte dhënë të ëmës cash, që kjo e fundit t'i përdorte për nevojat e saj të jetesës dhe për arsye shëndetësore. “Nëna ka qenë e moshuar dhe nuk mundej të shkonte nëpër banka”, pohoi Tosku.
Subjekti tha se kreditë i kishte marrë për nevojat e veta. Ajo shpjegoi se në vitin 2009 kishte filluar një punë, por ndihej e pasigurtë dhe për këtë arsye kishte dashur të investonte së bashku me vëllezërit dhe kishte marrë kredi. Tosku nënvizoi se nuk ishte arritur të fillohej aktiviteti dhe për këtë arsye, vlerën e marrë e kishte përdorur për të shlyer kredinë. “Nuk u shlye direkt se u tentua të ngrihet diçka, por nuk u arrit dhe pastaj mbylla kredinë”, pohoi Tosku.
Ajo shtoi se një kredi e kishte marrë për investimet në banesë, pasi legalizimi ishte bërë karabina. Për një kredi tjetër subjekti shpjegoi se vëllezërit kishin hapur aktivitetin, por nuk e kishin bërë pjesë. Tosku theksoi se veprimi i saj nuk kishte cënuar interesa e nuk kishte sjellë dëme. Sipas saj, emrin e kishte pasur formalisht pasi kredia do të shlyhej me të ardhurat e vëllezërve.
Në vijim, KPK konstaton se subjekti duket se ka qenë në kushtet e konfliktit të interesit gjatë periudhës kur ka qenë ndihmëse ligjore, pasi ka qenë e regjistruar si person fizik si avokate. Sipas Shulit, megjithëse Tosku nuk rezulton ta ketë ushtruar profesionin e avokates gjatë kësaj periudhe, e ka përdorur si mjet për marrjen e kredive të biznesit në mënyrë të përsëritur.
Tosku vërejti se edhe vetë Komisioni kishte konstatuar se kjo situatë nuk kishte sjellë ndonjë pasojë. Ajo tha se nuk kishte qenë e regjistruar pranë ndonjë dhome avokatie e për rrjedhojë nuk mundej të ushtronte profesionin e avokatit. Po ashtu, solli në vëmendje se në vitin 2009 kishte bërë një kërkesë për çregjistrimin si person fizik.
Nga verifikimi i dosjes së ILDKPKI, Komisioni ka gjetur se në vitin 2011, subjekti ka nënshkruar kontratë premtim shitje më nënën e saj, për blerjen e një apartamenti që kjo e fundit zotëronte në Tiranë, kundrejt çmimit 7 milionë lekë. Këtë pasuri, nëna e subjektit e ka blerë në vitin 1999.
Në kontratën e premtim shitjes të vitit 2011 është përcaktuar se kësti i parë 3 milionë lekë ishte paguar jashtë zyrës noteriale, kurse i dyti 4 milionë lekë do të shlyhej pas lëvrimit të kredisë.
Shuli tha se nuk ka ndonjë dokument lidhur me të ardhurat që kanë shërbyer për pagesën e këstit të parë në shumën 3 milionë lekë në vitin 2011. Ndërkohë, ka rezultuar se Tosku ka marrë një kredi në vlerën 4.5 milionë lekë, por sipas KPK, nuk ka ndonjë provë që të vërtetojë se shumat e tërhequra kanë shërbyer për pagesën e çmimit të apartamentit. Megjithëse kredia është marrë me afat 240 muaj, është shlyer në vitin 2014.
E pyetur nga Komisioni për këto rrethana, subjekti ka shpjeguar se kishte paguar vetëm këstin e parë prej 3 milionë lekësh dhe në pamundësi për të paguar pjesën tjetër, e ëma kishte gjetur një tjetër blerëse. Nga hetimi ka rezultuar se apartamenti është blerë nga një shtetase tjetër në vitin 2014.
Shuli tha se duket se subjekti nuk e ka përdorur shumën e përfituar nga kredia e marrë në vitin 2011 për blerjen e apartamentit, si dhe se është i pavërtetë deklarimi i subjektit se ka paguar vetëm këstin e parë prej 3 milionë lekësh. Nisur nga fakti se nëna e ka shitur apartamentin në 2014 një tjetër personi, sipas Komisionit duket se kontrata e premtim shitjes e vitit 2011 është lidhur fiktivisht nga subjekti, vetëm për të marrë kredinë.
Tosku deklaroi se në atë periudhë kishte dashur të largohej nga banesa ku jetonin edhe vëllezërit, pasi ata kishin krijuar familjet e tyre. Si pasojë, kishte rëndë dakord me të ëmën që të blinte apartamentin. Sipas subjektit, për këtë transaksion kishin qenë dakord dhe vëllezërit që do të merrnin të ardhurat e përfituara nga shitja.
Në vijim ajo deklaroi se pasi kishte paguar vlerën 3 milionë lekë, e kishte pasur të pamundur të shlyente pjesën tjetër pasi kishte një rrogë modeste dhe për këtë arsye ishte tërhequr, ndërsa nëna kishte gjetur një tjetër blerëse.
Lidhur me kërkesën e Komisionit për të depozituar dokumentacion mbi pronësinë aktuale të apartamentit të shitur nga nëna, subjekti deklaroi se ajo është në pamundësi objektive, pasi nuk ka të drejta mbi atë pasuri.
Në përfundim, subjekti i kërkoi trupës që në vlerësimin e saj të marrë në konsideratë praktikën e institucioneve të vetingut të magjistratëve, për moskonsiderimin e pasurive të krijuara para fillimit të detyrës. Ndihmësja ligjore, Majlida Tosku kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më 13 shkurt, në orën 09:45.