Ministria e Drejtësisë njoftoi të martën më 27 shkurt ekstradimin nga Kosova drejt Shqipërisë të kërkuarit për trafik droge dhe grup të strukturuar kriminal, 56 vjeçarit Gezim, (Gëzim) Çelaj alias Çela, I quajtur dhe si “Baroni i drogës”. Në njoftim thuhet se ekstradimi i tij do të bëhet bazuar në një vendimarje të 11 janarit të Gjykatës Themelore në Ferizaj të Kosovës, për lejimin e ekstradimit të thjeshtuar të këtij shtetasi, për shkak se ai ka dhënë pëlqimin për t`u ekstraduar drejt Shqipërisë.
Kërkesa për ekstradimin e Çelës bazohet në një vendim të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar të tetorit të vitit të kaluar, për caktimin ndaj tij të masës së sigurimit “Arrest në burg”, për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i narkotikëve” e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”
Në vijim të këtij hetimi, SPAK ka skuestruar edhe pasuritë e anëtarëve të këtij grupi kriminal. Hetimi i SPAK filloi në fund të muajit mars 2023, kur i dyshuari Armando Papa u arrestua në flagrancë me një sasi prej rreth 41.6 kilogramë heroinë.
Në vijim të këtij procedimi u siguruan informacione se nga pjesëtarët e këtij grupi, me datë 14 Gusht 2023, do trafikohej një sasi e konsiderueshme lënde narkotike e llojit cannabis sativa nga vendi i quajtur Patok-Kurbin me mjete lundruese dhe se do të shkëmbehej në det me kokainë që do të transportohej me një mjet tjetër lundrues i cili drejtohej nga shtetas të huaj. Droga më pas do të trafikohej. Gjatë operacionit në muajin gusht të koduar me emrin “Flakë në det”, u ndaluan katër shtetas shqiptarë dhe dy ukrahinas, të cilët pasi dogjën një mjet lundrues të llojit velierë, tentuan të largohen me një barkë të vogël shpëtimi.
Në vijim, me kërkesë të SPAK, gjykata respektive caktoi masat e sigurisë “Arrest në burg” për shtetasit Gëzim Çelaj, banues në Fushë Kuqe; Arben Dalipaj banues në Vlorë; Roland Guza, banues në Durrës dhe Dritan Metaj, me detyrë shef i Komisariatit të Policisë Laç.