Tre organizata të shoqërisë civile shprehën shqetësimin mbi mungesën e ecurisë në reformën zgjedhore të kërkuar për zgjedhjet e ardhshme parlamentare që pritet të zhvillohen në vitin 2025, pasi komisioni parlamentar i ngritur për këtë qëllim duket se nuk po punon as me ritmin e nevojshëm dhe as mbi propozime konkrete e qëndrime të deklaruara të palëve përbërëse. Organizatat shprehën shqetësimin se puna aktuale e ngadaltë e komisionit nuk jep premisa për të realizuar ndryshimet, sipas standardeve ndërkombëtare, së paku një vit larg zgjedhjeve, pra jo më vonë se sezoni aktual parlamentar.
“Organizatat tona vlerësojnë se periudha e mbetur për jetësimin e reformës zgjedhore kërkon një përfshirje më aktive të Kuvendit dhe të grupeve politike në parlament, në mënyrë që Komisioni i Reformës Zgjedhore tu japë zgjidhje sa më optimale disa prej problematikave thelbësore që kanë të bëjnë me standardin dhe integritetin e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025,” deklaroi Afrim Krasniqi, drejtor i Institutit të Studimeve Politike në emër të tre organizatave, ISP, Komiteti i Helsinkit dhe Qëndresa Qytetare.
“Komisioni i Posaçëm ka nisur punën me procese konsultuese online në mënyrë selektive dhe jo gjithëpërfshirëse, pa pasur drafte konkrete mbi të cilat të ofroheshin opinione e rekomandime, pa u ofruar aktorëve të shoqërisë civile mundësinë për t'u dëgjuar në afate të arsyeshme, si dhe pa një kalendar dhe fokus të strukturuar që trajton çështjet prioritare sipas fokusit dhe përgjegjësisë,” shtoi Krasniqi.
Reforma zgjedhore në Shqipëri duhet në teori të realizohet përmes ndryshimeve ligjore për të zgjidhur problematikat, të cilat, në zgjedhjet e shkuara parlamentare, kanë sjellë cënim të standardeve dhe probleme me funksionimin e elementit bazë të demokracisë. Aktualisht, sipas asaj që vërejnë organizatat e shoqërisë civile, Kuvendi i Shqipërisë duhet të angazhohet që t'i japë zgjidhje tre problematikave për të cilat Gjykata Kushtetuese është shprehur me vendim si dhe një numri të lartë rekomandimesh të akumuluara nga zgjedhjet në zgjedhje, të dhëna nga misionet vëzhguese të OSBE-ODIHR-it, për të cilat kërkohet angazhim shumë serioz nga parlamenti për t'i realizuar brenda afateve të nevojshme ligjore.
Gjykata Kushtetuese, e cila është shprehur me vendim kundër sistemit të miratuar nga Partia Socialiste dhe opozita zëvendësuese e mandatit parlamentar të kaluar për vendosjen e një vote preferenciale, në të cilën, qytetarët zgjedhin mes deputetëve të një partie, por renditja e tyre në listë mund të cënohet vetëm në rast se kandidatët humbës arrijnë të mposhtin “herësin”, pra të marrin më shumë vota se sa mesatarja e kandidatëve. Për rrjedhojë, në parlament shkojnë deputetë të cilët kanë marrë më pak vota se sa ata që nuk shkojnë, por të parët janë të preferuar të partisë. Gjykata e ka konsideruar këtë si shkelje të barazisë.
Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar gjithashtu vendosjen e pragut 1 për qind për të gjithë partitë dhe kandidatët, pavarësisht nëse këta garojnë apo jo në rang kombëtar. Sipas sistemit aktual, një kandidat i pavarur në Tiranë duhet të marrë 1% të totalit të votave në prag kombëtar, pavarësisht se garon në vetëm një nga 12 qarqet elektorale të vendit.
Gjykata Kushtetuese i ka kërkuar gjithashtu parlamentit të bëjë ndryshime ligjore për të siguruar votimin e emigrantëve.
Nga ana tjetër, raportet e njëpasnjëshme të vëzhguesve të OSBE-ODIHR-it kanë rekomanduar ndryshyme të shumta për të trajtuar një mori problemesh, nga abuzimi i qeverisë me burimet shtetërore, te presioni i paligjshëm mbi punonjësit e administratës, të lufta kundër blerjes së votave apo te ndalimi i presionit të të fortëve mbi votuesit.
OSBE-ODIHR kërkon gjithashtu ndryshime thelbësore mbi raportimin mediatik mbi fushatat zgjedhore me qëllim që të garantohet gazetari e pavarur. Një nga rekomandimet kërkon shfuqizimin e veprave penale të fyerjes dhe shpifjes si diskurajuese për një klimë të shëndetshme të debatit publik.
Përkundër këtyre ndryshimeve, të cilat kërkojnë një axhendë pune të ngjeshur, komisioni parlamentar duket se po shtyn ditët, ndërsa nëse historia sugjeron ndonjë gjë, zvarritja e punës rrezikon të pasohet në finale me ndryshime me kompromis të çastit të fundit, në të cilat, interesat e palëve politike bëhen përcaktuese, ndërsa interesat më të gjera të qytetarëve për zgjedhje të lira dhe të ndershme, thjeshtë injorohen.
“Ne besojmë se ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe legjislacionin mbi partitë politike nuk duhet të jenë monopol i partive politike, nuk mund të bëhen pa transparencë dhe gjithëpërfshirje, dhe nuk mund të imponohen si fakt i kryer në limitet e fundit kohore,” deklaroi Krasniqi.
“Ne rekomandojmë një proces të hapur, solid, transparent dhe gjithëpërfshirës, ku organizatat tona, kanë qenë e janë të gatshme të kontribuojnë me ekspertizën dhe kapacitetet e tyre,” shtoi ai.
Link: Deklarata