Parlamenti i Maqedonisë së Veriut ka vetëm disa ditë kohë para se të marrë pushimet për të miratuar një ligj që zgjat mandatin e Prokurorisë Speciale, organi që ka udhëhequr luftën kundër krimit të nivelit të lartë në vend.
Mandati i ardhshëm i zyrës së Prokurorisë Speciale në Maqedoninë e Veriut, SJO, mbetet në dyshim pasi partia kryesore e opozitës VMRO DPMNE të martën konfirmoi se kishte paraqitur jo më pak se 65 amendamente në një ligj të propozuar nga qeveria për zgjerimin e aktiviteteve të saj.
“Çdo amendament që nuk fsheh brenda tij një mbrojtje të krimit është i pranueshëm”, tha kryeministri Zoran Zaev në një përballje televizive të martën me kreun e opozitës Hristijan Mickoski.
Bashkimi Social Demokrat i Zaevit, SDSM, dhe partia VMRO DPMNE kanë kaluar dy javë bisedime mbi një ligj që do të zgjerojë punën e Prokurorisë Speciale.
Nëse parlamenti miraton ligjin para të hënës, kur ai merr pushimet para zgjedhjeve presidenciale, ai do të shtojë gjasat e vendit që të caktohet një datë për hapen e bisedimeve për pranimin e vendit në BE.
Shansi tjetër që palët të arrijnë një marrëveshje është të enjten kur përfaqësuesit e tyre do të takohen për herë të tretë në dy javët e fundit për të diskutuar projektligjin.
Gjatë duelit televiziv të së martës, Zaev këmbënguli që Prokuroria Speciale kishte nevojë për një mandat të zgjatur për të hetuar krimin e nivelit të lartë duke u bërë pjesë autonome e prokurorisë së rregullt.
Mickoski, kolegët aktualë dhe të mëparshëm të të cilit përballen me shumë akuza dhe hetime të nxitura nga SJO në lidhje me 11 vitet që VMRO DPMNE kaloi në pushtet, përsëriti se gjithashtu donte të shihte zgjatjen e mandatit të SJO-së, por me modifikime të rëndësishme.
Mickoski u shpreh që SJO të ketë më pak pavarësi nga prokuroria e rregullt. Ai gjithashtu kërkon që ekipi aktual i kryesuar nga kryeprokurorja Katica Janeva të zëvendësohet, duke thënë se ato e kanë humbur kredibilitetin duke trajtuar vetëm krime të mundshme që lidhen me partinë e tij.
Kryeministri e hodhi poshtë këtë ide. “Ne nuk jemi të gatshëm të heqim dorë nga Katica Janeva dhe ndonjë nga ekipi i saj”, u përgjigj Zaev.
SJO shihet gjerësisht si organi kryesor i luftës së vendit kundër krimit të nivelit të lartë. E themeluar në vitin 2015 si pjesë e një marrëveshjeje krize të ndërmjetësuar nga BE-ja, ajo u ngarkua me hetimin e akuzave që dolën në dritë nga bisedat e përgjuara të zyrtarëve të publikuara nga partia e Zaevit, e cila në atë kohë ishte në opozitë.
SJO-së iu dha pesë vjet kohë për të hetuar përgjimet. Por asaj iu dhanë vetëm 18 muaj kohë për të ngritur akuza. Ky afat përfundoi më 30 qershor 2017.
Projektligji i dërguar në parlament më parë këtë muaj kërkon të zgjidhë këtë dilemë duke e përfshirë SJO në prokurorinë e rregullt si një njësi autonome.
Ligji shfuqizon afatin e mëparshëm për të ngritur akuza të reja dhe zgjeron fushën e SJO-së, pasi nuk e kufizon më atë të hetojë vetëm bisedat e përgjuara.
Por ai thotë gjithashtu se kur bëhet fjalë për rastet që SJO ngriti pas afatit të qershorit 2017, materialet e përgjuara nuk mund të përdoren më si prova.
Që projektligji të miratohet në parlament, ai ka nevojë për mbështetjen e dy të tretave të të gjithë deputetëve. Kjo do të thotë të paktën 80 nga 120 deputetët, gjë e cila praktikisht është e paarritshme pa mbështetjen e opozitës.