Lajm2 Jan 2020

Anadolu: Mësuesi gulenist u kap nga shërbimi sekret turk në Tiranë

Agjencia shtetërore e lajmeve Anadolu raporton se shtetasi turk, Harun Çelik, i dëbuar nga Shqipëria me 1 janar është kapur në një operacion ku është përfshirë dhe shërbimi sekret turk, MIT.

Autor: Besar Likmeta BIRN Tiranë
Printo

Faksimile e pasaportës së Harun Çelik

Agjencia shtetërore e lajmeve turke Anadolu ka postuar një video të ndalimit dhe dëbimit nga Tirana të mësuesit turk, Harun Çelik, duke pretenduar se ka qenë një operacion i Organizatës Kombëtare të Inteligjencës, MIT.

Çelik u arrestua 5 muaj më parë në Shqipëri dhe u dënuar nga Gjykata e Tiranës për përdorim të dokumenteve të falsifikuara në tentativë për të ikur në Kanada.

Pas daljes nga burgu, me 1 janar ai është ndaluar nga Policia e Shtetit dhe u dëbua menjëherë në Turqi.  Policia e Shtetit i tha BIRN se shtetasi turk është dëbuar nga vendi sipas ligjit.

“Personi ka qenë në burg pasi është kapur nga policia kufitare e Rinasit me dokumente false. Në zbatim të ligjit “për të Huajt” do [të] dëbohet,” tha zëdhënësi Gentian Mullai.

Megjithatë, deklarata e policisë është kundërshtua nga avokati i shtetasit turk, Alban Bengasi, i cili i ka thënë Zërit të Amerikës se Çelik kishte aplikuar për azil dhe dëbimi i tij ka qenë i paligjshëm.

“Për një akt dëbimi, që ndërmerret ndaj një shtetasi të huaj, jepet një urdhër dëbimi. Ky urdhër shoqërohet me një afat për t’u larguar nga territori i Republikës së Shqipërisë,| tha avokati Alban Bengasi.

“Më pas personi mund ta kundërshtojë këtë akt në gjykatën administrative, ndaj është gjykata që e vendos nëse urdhëri është i ligjshëm apo i paligjshëm,” shtoi ai.

Harun Çelik, 42 vjeç, me profesion mësues, dyshohet se është pjesë e lëvizjes Gulen, të udhëhequr nga predikuesi turk Fethullah Gylen, i cili akuzohet nga Presidenti Rexhep Taip Erdogan si ideator dhe organizator i grushtit të dështuar te shtetit në Turqi të vitit 2016.

Turqia e konsideron lëvizjen Gulen si organizatë terroriste dhe i referohet me emrin Feto. Dhjetëra mijëra persona të dyshuar si pjesë të kësaj organizate janë arrestuar në Turqi pas grushtit të shtetit dhe një numër i ngjashëm janë larguar nga vendi – një pjesë e strehuar ne vendet e Ballkanit.

Erdogan ka ushtruar presion ndaj vendeve të rajonit që t’i ekstradojnë ose t’i dëbojnë anëtarët e dyshuar të lëvizjës Gulen në Turqi. Dëbimi i Çelik nga Tirana duket i ngjashëm  me rrëmbimin dhe dëbimin e 5 shtetasve turk nga Kosova në shkurt 2015, një veprim që shkaktoi kritika të ashpra nga BE dhe SHBA ndaj Prishtinës, për shkelje të procesit të rregullt ligjor dhe dhunim të të drejtave themelore të njeriut.

Zyra e Kryeministrit Edi Rama tha e pyetur nga BIRN se dëbimi i Harun Çelik është një çështje procedurash ligjore që “nuk ka lidhje me kryeministrin.”

Megjithatë, kritikat ndaj qeverisë shqiptare nuk kanë vonuar të vijnë.  Partia Demokratike në opozitë kërkoi të mërkurën “transparencë të menjëhershme” për ngjarjen duke ngritur pikëpyetjen nëse një veprim i tillë është ajo jo në përputhje me ligjet, konventat ndërkombëtare apo të drejtat e njeriut**.

“Është prioritare për çdo vend demokratik, veçanërisht në procesin e integrimit europian, të respektojë këto parime, të drejta e detyrime. Shkelja e tyre është kthyer në rregull për qeverinë e korruptuar dhe të inkriminuar të Edi Ramës,” deklaroi PD.

Eurodeputetja Ramona Strugariu reagoi menjëherë duke kritikuar qeverinë shqiptare përmes një statusi në Twitter.

“Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, Shqipëria ka firmosur Konventën e Këshillit të Europës mbi ekstradimin. Për më shumë, ju thoni se Shqipëria është gati për në BE. Atëherë ju lutem respektoni nenin 19, pika 2 të Kartës Europiane për të Drejtat Themelore dhe mos e ekstradoni #HarunÇelik në Turqi!” shkroi ajo.

Neni në fjalë thotë: “Askush nuk mund të hiqet, përzihet ose ekstradohet drejt një Shteti ku ka rrezik serioz që ai apo ajo t’i nënshtrohet dënimit me vdekje, torturës apo trajtimeve të tjera çnjerëzorë apo degraduese.

Gazetari Hamdi Firat Buyuk kontribuoi gjithashtu për ketë shkrim.