
Prokurorët Ened Nakuçi dhe Edvin Kondili parashtruan të premten më 17 korrik para Gjykatës së Posaçme qëndrimet e tyre ndaj 22 kërkesave të ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj për pavlefshmërinë e provave të organit të akuzës për çështjen e aferës së sterilizimit, ku ai po gjykohet për vjedhje me anë të shpërdorimit të detyrës.
Beqaj përmbylli më 9 qershor pas katër seancash martonë, paraqitjen e 22 kërkesave paraprake në çështjen penale në ngarkim të tij lidhur me aferën e sterilizimit, për të cilën po gjykohet me gjykim të zakonshëm, ku provat do të formësohen në gjykatë. Ai kërkoi pavlefshmërinë e provave të organit të akuzës dhe pushimin e çështjes.
Prokurori Nakuçi u shpreh në seancën e të premtes, se nuk qëndron pretendimi i Beqajt për mungesë aksesi tek provat, duke vërejtur se iu është bërë me dije të merren aktet. Ai konstatoi se gjykata i ka pranuar provat që janë pjesë e fashikujve.
Nakuçi cilësoi të pabazur dhe pa objekt edhe kërkesën për moskonsiderimin e kallëzimit, duke argumentuar se organi procedures ka për detyrë ta verifikojë. Sipas prokurorit, përmendja e kallëzimit si provë ka të bëjë me nisjen e hetimit. Lidhur me pretendimet e ngritura nga Beqaj për faktin se kjo çështje është hetuar më parë dhe është pushuar, prokurori konstatoi se në këtë rast ka një procedim të ri të pavarur nga ai i hetuar dhe pushuar prej Prokurorisë së Tiranës
Për pretendimin e ngritur lidhur me registrimin e procedimit penal pa u përdorur fakte të aksesueshme, Nakuçi deklaroi se veprimet e prokurorisë kanë qenë në përputhje me ligjin dhe praktikën gjyqësore. Sipas tij, nga verifikimet e para u konkludua se ishte rasti për kryerjen e hetimeve të mëtejshme dhe jo që të vendosej mosfillimi i çështjes.
Për verifikimet e të dhëna bankare, për të cilat pretendohet se janë kryer jashtë afatit ligjor dhe se që në atë moment duhej që Beqajt t’i ishte garantuar mbrojtja, Nakuçi argumentoi se statusi i personit nën hetim nuk lind automatikisht në momentin kur ndaj tij kryhet një verifikim. Ai pohoi se në atë moment nuk mund të regjistrohej emri i Beqajt si person nën hetim, pasi nuk ishin siguruar ende prova prej nga mund të ngriheshin dyshimet e arsyeshme.
Nakuçi solli në vëmendje se mbrojtja dhe i pandehuri kanë marre dijeni për përfundimin e hetimeve dhe nuk është ushtruar ankim, nga për rrjedhojë nuk mund të ketë pavlefshmëri të akteve.
Qëndrimi për kërkesat e tjera të Beqajt u lexuan nga prokurori Edvin Kondili. Ai parashtroi se për shumicën e pretendimeve, i pandehuri ka marrë përgjigje në fazën hetimore, si dhe në seancën paraprake, kur u konkludua me kalimin e çështjes për gjykim, si dhe në gjykimin në themel.
Kondili kërkoi që të rrëzohet si e bazuar kërkesa e beqajt për pavlefshmërinë e aktit të njoftimit të akuzës. Po ashtu, Kondili cilësoi si të pabazuar pretendimin për pamundësinë e të provuarit të vjedhjes, pasi nuk është individualizuar. Prokurori deklaroi se janë të argumentuara veprimet e të pandehurit që kanë shkaktuar dëm ndaj shtetit.
Prokurori Kondili theksoi se kërkesa për dërgimin e çëshjtes për gjykim është kryer në respektim të Kodit të Procedurës Penale dhe se nuk ka asnjë elemnt për pavleshmërinë e saj.
Për pretendimin e ngritur nga Beqaj, se mungesa e kontratës origjinale koncesionare e cënon hetimin, Kondili konstatoi se, megjithëse nuk është gjetur në Ministrinë e Shëndetësisë, një kopje e njehsuar e kësaj kontrate është marrë pranë Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor, si dhe është sekuestruar kopje origjinale në zyrat e koncesionarit.
Përfaqësuesi i Beqajt, avokati Ermal Yzeiraj kërkoi më kohë për të përgatitur qëndrim, ndërsa Beqaj u qëndroi pretendimeve të tij duke i cilësuar sit ë pabazuara argumentet e SPAK. Ai tha se vetë organi akuzës pranon se gjatë hetimin i ka cënuar të drejtat, ndërkohë që nuk ishte ende e qartë arsyetimi i akuzës së ngritur ndaj tij. Beqaj deklaroi se prokurorët duket se, pavarësinë e tyre, e përdorin për të shkelur të drejtat procedurale.
Sipas Beqajt, vetë SPAK pranoi se kallëzimi bazohet në pyetje e duhej të ishte refuzua. Ai konstatoi se nga aktet në dosje rezulton se nuk ka pasur asnjë veprim hetimor në vitet 2019-2020. Beqaj deklaroi se nuk mund të ketë vjedhje para nënshkrimit të kontratës dhe kërkoi që të kishte të paktën një shifër. I pandehuri shtoi se shumë pjesë të dosjes nuk kanë lidhje as me faktin penal dhe as me akuzën.
Kryesuesja e trupit gjykues deklaroi se nevojitej kohë për të shqyrtuar e marrë vendim për kërkesat paraprake, duke i konsideruar voluminoze. Pasi prokurorët Nakuçi dhe Kondili bënë më dije se nuk mund të jenë të pranishëm pas datës 27 korrik, pasi kanë angazhime si pjesë e një grupi të përbashkët hetimor, gjykata e shtyu seancën afro dy muaj më vonë, për më datë 11 shtator, në orën 11:00.
Ilir Beqaj u zgjodh ministër i Shëndetësisë në kabinetin e parë të kryeministrit Edi Rama dhe gjatë drejtimit të tij në vitet 2013-2017, u firmosën tre kontrata koncesionare prej dhjetëra milionë eurosh për shërbime të sistemit shëndetësor.
Prej vitit 2021, Beqaj drejtonte Agjencinë Shtetërore të Programit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, SASPAC, post nga u dorëhoq në nëntor të vitit 2023. Në tetor të atij viti ai u bë gjithashtu pjesë e grupit negociator për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Veç për aferën e sterilizimit, Beqaj është dërguar për gjykim edhe për aferën korruptive me fondet e ndihmës nga Bashkimi Evropian nëpërmjet procedurave të pavërteta të prokurimit dhe pastrimit të parave përmes faturave fiktive, në kohën kur ai drejtonte SASPAC.






