
Gjykata e Lartë vendosi të enjten më 16 korrik mospranimin e rekursit të ushtruar nga ish- zv.kryeministrja Belinda Balluku, kundër vendimit të Gjykatës së Posaçme dhe asaj të Apelit, që kishin rrëzuar më parë kërkesën e saj për heqjen e masës së sigurimit personal, “pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë e caktoi këtë masë ndaj Ballukut më 19 nëntor të vitit 2025, pasi ajo u mor e pandehur nga SPAK për veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera.
Balluku është gjithashtu nën hetim për përfitimin e një vile me vlerë 145 mijë euro në Dhërmi nga shoqëria “Eurocol”, në këmbim të favorizimit të kësaj kompanie në një tender. Vila dyshohet se është fshehur nëpërmjet një skeme pastrimi parash, ku në hetim dyshohet si i përfshirë edhe ish-futbollisti, Igli Tare.
Kryeministri Edi Rama udhëhoqi një betejë ligjore në Gjykatën Kushtetuese për të bllokuar pezullimin nga detyra të Ballukut, ndërkohë që mazhoranca e tij në Kuvend mbajti peng për rreth dy muaj kërkesën e SPAK për autorizimin e masës së arrestit ndaj ish zv.kryeministres. Rama e shkarkoi Ballukun nga detyrat si zv.kryeministre dhe ministre e Energjisë e Infrastrukturës më 26 shkurt.
Më datë 12 mars, mazhoranca socialiste rrëzoi kërkesën e SPAK për arrestimin e Ballukut, që sipas prokurorëve është e nevojshme pasi provat tregojnë qartë se persona të fortë e anëtarë të kabinetit të ish-ministres kanë kontaktuar dhe intimiduar dëshmitarët përmes shantazhit, kërcënimit për shkarkim nga detyra apo ofertave në para. Ndaj Ballukut është caktuar dhe masa tjetër e ndalimit për daljen jashtë shtetit.






