
Mazhoranca socialiste bëri një vesh shurdh ndaj shqetësime dhe miratoi me 77 vota në Kuvendin e Shqipërisë të enjten një projektligj të qeverisë, që i hap rrugën ndërtimit të parqeve eolike dhe fotovoltaike në tokat bujqësore.
Kundër projektligjit votuan deputeti socialist, Erion Braçe dhe ai i Partisë “Mundësia”, Erald Kapri, ndërkohë që deputetët e opozitës e bojkotuan pjesëmarrjen në seancë.
Ironikisht, projektligji i miratuar përmban shtesa dhe ndryshime në ligjin e vitit 2004 të titulluar “Për mbrojtjen e tokës bujqësore”.
Dispozitat e reja i japin të drejtën Këshillit të Ministrave që të përcaktojë kriteret mbi përdorimin e tokës bujqësore për kryerjen e aktivitetit agrofotovoltaik dhe atij eolik në toka me bonitet deri në 8 – të cilat vlerësohen se kanë fertilitet të ulët.
Deputeti i PS, Erion Braçe e kundërshtoi projektligjin, pasi kërkoi më parë pa marrë një përgjigje, numrin e parqeve eolike dhe agrofotovoltaike të miratuara në tokat bujqësore.
“Koncepti për tokën buqësore ka ndryshuar totalisht. Toka duhet për bujqësi, ne nuk jemi një vend që kemi toka pa fund për të zhvilluar aktivitetin bujqësor dhe blegtoral,” tha Braçe në seancë.
“Unë prisja që ndryshimet të ishin në këtë drejtim, të eliminimit të parqeve eolike dhe parqeve agrofotovoltaike nga tokat bujqësore. Ne nuk mund ta tkurrim bujqësinë me ligj…,” theksoi Braçe, duke e paralajmëruar votën e vet kundër.
Më herët në një diskutim në Komisionin e Ligjeve, projektligji u kundërshtua nga deputetët e opozitës dhe deputeti socialist, Damian Gjiknuri. Sipas deputetit Oerd Bylykbashi, ky projektligj ishte çelësi që i hap portën “shkatërrimit pa kthim të tokës bujqësore”.
Ndërkohë, deputeti socialist Gjiknuri shprehu shqetësimin për dëmtimin që mund t’i shkaktonin tokave bujqësore bazamentet e betonit për kullat masive eolike; një shqetësim që u zhvlerësua nga kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja.
Prej vitit 2018, qeveria shqiptare ka dhënë me dhjetra leje për ndërtimin e parqeve fotovoltaike në Shqipëri, duke ushqyer ambicien për atë që ajo e quan sovranitet energjetik – e madje për t’u transformuar në një vend eksporti për energjinë elektrike neto deri në fund të vitit 2030.
Por planet e qeverisë po trazojnë jetesën e komuniteteve lokale, të cilat po vëzhgojnë se si mijëra hektarë tokë rreth tyre po rrethohen me gardhe dhe po mbulohen nga panelet diellore, duke cënuar aktivitetet tradicionale të blegtorisë dhe përdorimit të tokës.







