Analize17 Nov 2020

Aparteidi i vaksinës

Duke qenë se një pandemi mund të kapërcehet vetëm kur të gjitha vendet e kanë kapërcyer atë, qasja secili vend për veten e tij do të dukej irracionale. E megjithatë, siç tregon konkurrenca e pahijshme për doza vaksinash, kjo është pikërisht ajo që kanë bërë shumë vende të ndryshme të botës.

Autor: Jayati Ghosh Project Syndicate Nju Delhi
Printo

Foto ilustruese: Pixabay.

Kompania farmaceutike amerikane Pfizer dhe BioNTech e Gjermanisë kanë njoftuar se vaksina për COVID-19 që ata po zhvillojnë së bashku ishte më shumë se 90% efektive në provat e hershme klinike. Lajmi shtoi shpresat në të gjithë botën se jeta së shpejti mund të kthehet në normalitetin para pandemisë.

Këto shpresa mund të mos zgjasin shumë. Njoftimi gjithashtu bëri që qeveritë të fillojnë të pretendojnë doza vaksinash, me sa duket, duke realizuar një parashikim të zymtë: vendet dhe individët e pasur do të monopolizojnë dozat e hershme të çdo vaksine efektive.

Struktura Globale e Qasjes në Vaksinat COVID-19 (COVAX) – e udhëhequr nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, Koalicioni për Inovacione të Gatishmërisë Epidemike dhe Gavi, Aleanca e Vaksinave – u krijua pikërisht për të parandaluar këtë gjë. COVAX synon të përshpejtojë zhvillimin e vaksinave COVID-19, të sigurojë doza për të gjitha vendet dhe t’i shpërndajë ato doza në mënyrë të drejtë, duke filluar me grupet me rrezik më të lartë. Me fjalë të tjera, struktura u krijua pjesërisht për të parandaluar akumulimet e vaksinave nga qeveritë e vendeve të pasura.

Deri më tani, më shumë se 180 vende, që përfaqësojnë gati dy të tretat e popullsisë së botës, i janë bashkuar COVAX. Kjo përfshin 94 vende me të ardhura më të larta, të cilat kanë bërë të gjitha angazhime ligjore detyruese. Të gjithë do të kenë qasje në vaksinat në listën e COVAX dhe do të paguajnë për dozat e tyre individualisht. 92 vendet me të ardhura më të ulëta që janë palë në strukturë do t’i marrin dozat e tyre falas.

Sipas planit të COVAX, vaksina do të shpërndahej në dy faza. Në fazën e parë, të gjitha vendet pjesëmarrëse do të merrnin doza proporcionale me popullsinë e tyre. Do të fillonte me mjaftueshëm vaksina për të imunizuar 3% të popullsisë së tyre në rrezik më të lartë, veçanërisht punonjës të vijës së parë në shëndetësi dhe kujdes social. Më pas do të dorëzoheshin doza shtesë, derisa imunizimi të mbulojë 20% të popullsisë së secilit vend – duke filluar me të tjerët më të rrezikuar nga COVID-19, siç janë të moshuarit dhe ata me sëmundje bashkëshoqëruese.

Në fazën e dytë, vaksinat do të shpërndaheshin në vende të veçanta bazuar në shpejtësinë e përhapjes së virusit; nëse patogjenë të tjerë (si fruthi) po përhapen gjithashtu; dhe bazuar në sa e ndjeshme është infrastruktura shëndetësore e atij vendi. Duke pasur parasysh kufizimet në punë – vaksina BioNTech-Pfizer, për shembull, duhet të administrohet në dy doza me tre javë distancë nga njëra-tjetra, dhe vetëm 1.35 miliardë doza, maksimumi, do të prodhohen deri në fund të vitit të ardhshëm – është e vështirë të imagjinohet një sistem më i drejtë.

E megjithatë, ka pengesa të mëdha për vënien në zbatim të këtij sistemi. E para dhe më e rëndësishmja, ndërsa Kina më në fund u bashkua me COVAX në fillim të tetorit, Shtetet e Bashkuara nuk e kanë bërë këtë.

Sigurisht, duke pasur parasysh qasjen e tij “Amerika e para”, presidenti amerikan Donald Trump nuk habiti asnjë kur refuzoi të bashkohej. Ka, megjithatë, arsye për të shpresuar se presidenti i zgjedhur Joe Biden do të jetë më i gatshëm ta bëjë këtë. Mbi të gjitha, Biden planifikon t’i ribashkohet edhe shumë marrëveshjeve të tjra ndërkombëtare nga të cilat Trump u tërhoq dhe tashmë ka krijuar një task forcë për t’u përballur me pandeminë e COVID-19. Seth Berkley, kreu i Gavi, Aleanca e Vaksinave, do të mbajë bisedime me ekipin e Biden.

Ndërkohë, Kina ka punuar në mënyrë agresive dhe kryesisht të pavarur për të zhvilluar dhe testuar vaksinën e saj. Të paktën katër kandidatë po kalojnë aktualisht provat e fazës së tretë. Edhe pse asnjë prej tyre nuk është provuar ende, zyrtarët kinezë thuhet se janë përpjekur të vaksinojnë dhjetëra mijëra njerëz – ndoshta shumë më tepër – jashtë procesit tradicional të testimit.

Por ka edhe një problem tjetër. Pjesëmarrësit e COVAX janë ende në garë për të siguruar marrëveshje bilaterale me kompani farmaceutike, pasi nuk ka asnjë rregull kundër kësaj. Mbretëria e Bashkuar, për shembull, ka rezervuar 40 milionë doza të vaksinës BioNTech-Pfizer. Disa qeveri të tjera europiane gjithashtu kanë bërë porosi ose po negociojnë marrëveshje.

Për më tepër, Bashkimi Europian ka përfunduar një marrëveshje për deri në 300 milionë doza. SHBA-ja, me popullsinë e saj prej 328 milionë banorësh, ka porositur 100 milionë doza, me të drejtat për të marrë edhe 500 milionë të tjera. Brazili – një tjetër pjesëmarrës i COVAX – është gjithashtu në bisedime me Pfizer, ashtu si shumë të tjerë.

Pak ditë pas njoftimit, Pfizer i kishte shitur më shumë se 80% të dozave të vaksinës që do të jetë në gjendje të prodhojë deri në fund të vitit të ardhshëm qeverive që përfaqësojnë vetëm 14% të popullsisë globale. Me fjalë të tjera, nëse kjo është vaksina e parë e sigurt dhe efektive që do të dalë në treg, shumica dërrmuese e popullsisë së botës nuk do të ketë pothuajse asnjë qasje në të.

Shumë kandidatë të tjerë për vaksina – aktualisht janë mbi 200, rreth 50 prej të cilëve janë në fazën e testeve klinike – po përfliten gjithashtu. Qeveritë e vendeve të pasura tashmë kanë bërë marrëveshje për qasje të privilegjuar në vaksinat që po zhvillohen nga Moderna (e cila gjithashtu ka raportuar rezultate premtuese nga testet klinike), Johnson & Johnson dhe AstraZeneca. Padyshim që vendet me të ardhura të ulëta nuk e kanë këtë mundësi.

Për shkak se një pandemi mund të kapërcehet vetëm kur kapërcehet kudo, një qasje çdo vend për veten e tij do të dukej irracionale. E megjithatë, siç tregon konkurrenca e pahijshme për doza vaksinash, kjo është pikërisht ajo që kanë bërë shumë vende. Nëse nuk ndryshojmë kurs, aparteidi i shëndetit global do të thellohet gjithnjë e më shumë dhe do të çojë pabarazinë edhe më të mëdha. Dhe pandemia do të jetë ende me ne. Thjesht do t’i kemi shtuar probleme të reja atij problemi që nuk e zgjidhëm dot.

Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. Vaccine Apartheid