Lajm17 Oct 2019

Apeli lë në fuqi dënimin me 10 vjet burg për Kelmend Balilin

Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda njoftoi lënien në fuqi të vendimit të Shkallës së Parë, duke e dënuar Balilin për trafik narkotikësh, grup të strukturuar kriminal, pastrim parash dhe fshehje pasurie.

Autor: Vladimir Karaj BIRN Tiranë
Printo

Klemend Balili në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Foto: LSA.

Në një seancë që zgjati më pak se dy minuta Gjykata e Apelit e Krimeve të Rënda konfirmoi të enjten dënimin me 10 vjet burg për Kelmend Balilin, të dhënë në maj nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda.

Trupa gjykuese e kryesuar nga Saida Dollani, me anëtarë Albana Boksin dhe Sokol Binajn, pasi kërkoi vendosje rregulli në sallë dhe largimin e familjarëve nga krahu i sallës ku ndodheshin gazetarët, njoftoi në dy fjali vendimin.

Dollani lexoi se pas shqyrtimit të çështjes ishte vendosur: “Lënia në fuqi e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda”. Të afërm të Balilit të pranishëm në sallë reaguan të surprizuar. Ndërsa avokati Sokol Hazizaj tha se do të bënin rekurs në Gjykatën e Lartë.

Kelmend Balili i njohur edhe si “Eskobari i Ballkanit” u gjet nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda më 7 maj 2019 fajtor për të gjitha akuzat që i ishin ngritur. Ai u dënua për “trafikim të i lëndëve narkotike në bashkëpunim” me 14 vjet burg, për akuzën e “pjesëmarrjes në grupin e strukturuar kriminal” 2.6 vjet burg, për “refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurive i nëpunësve civilë” me 6 muaj burg dhe për “pastrim të parave” më 5 vjet burgim.

Në bashkim të të gjitha dënimeve, ai u dënua me 15 vjet burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar Balili përfitoi ulje të 1/3 së dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 10 vjet. Këtë vendim Apeli e la në fuqi.

Balili i cili nuk ishte i pranishëm në seancë, apeloi vendimin e Shkallës së Parë dhe pati kërkuar në seancat e mëparshme pafajësi përmes avokatit të tij. “Prokuroria nuk identifikoi se nga janë kryer thirrjet në dy numrat grekë dhe ata shqiptarë që pretendohet se janë përdorur nga Balili,” tha Hazizaj gjatë leximit të mbrojtjes duke pretenduar se akuza nuk kishte kryer asnjë veprim hetimor.

Në të kundërt, prokurori Altin Dumani kërkoi që të lihej në fuqi vendimi i Shkallës së Parë. “Është provuar jashtë çdo dyshimi tjetër të arsyeshëm,” pohoi Dumani. “Identifikimi i tij se përdorte dy numrat në fjalë është bërë nga autoritetet greke. Mesazhet për numrin e pasaportës janë dalëse nga numri i përdorur prej Balilit. Ndërkohë që janë edhe dy mesazhe të tjera që nuk i tha mbrojtja,” tha përfaqësuesi i akuzës gjatë seancës së paraqitjes së konkluzioneve.

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar në gjykatë edhe konfiskimin e pronave të familjes së tij, mes të cilave edhe hotelin Santa Quaranta në Sarandë.

Operacioni ndaj grupit që dyshohet se drejtonte Balili u zhvillua në maj 2016, fillimisht në Greqi dhe më pas në Belgjikë. Atëherë u njoftua arrestimi i 6 shqiptarëve, përfshi Dhimitër Potin dhe të vëllain, dy peshkatarët shqiptarë, Petro Dalanaj dhe Kleanth Palaj nga Saranda dhe disa persona të tjerë të akuzuar për përfshirje në rrjetin e narkotikëve.

Balili vetë, i cili para operacionit ishte me detyrë drejtor i Drejtorisë së Shërbimeve të Transportit në Sarandë, arriti t’i shpëtonte në mënyrë misterioze arrestimit. Dosja ndaj tij dhe mosarrestimi shkaktuan një furtunë politike në kryeqytet, ndërsa dy partitë në qeverisje PS dhe LSI u përplasën për gati dy vjet mbi përkatësinë partiake të Balilit dhe cila prej tyre po e mbronte atë.

Ai u dorëzua pas tre viteve arrati dhe presinit të vazhdueshëm ndërkombëtar. Dorëzimi u cilësua sukses i policisë nga qeveria. Pas dorëzimit Gjykata e Krimeve të Rënda pranoi kërkesën e Balilit për gjykim të shkurtuar që i kurseu atij 1/3 e dënimit.