I liruar nga burgu një vit më parë pasi shleu ¾ të dënimit, Marion Mitro u plagos me dy plumba në lagjen “29 nëntori” në Vlorë, por i mbijetoi atentatit.
Policia e Vlorës njoftoi të martën se persona të paidentifikuar kishin qëlluar dhe plagosur Marion Mitron, 49 vjeç. Sipas policisë, Mitro mori një plumb në kokë dhe një të dytë në krah, por ndodhet i shtruar në spital jashtë rrezikut për jetën.
Policia tha se ai u qëllua nga një automjet në ecje në lagjen “29 nëntori” në Vlorë, në të cilën i plagosuri ka edhe shtëpinë. Hetuesit e lidhin ngjarjen me të shkuarën e 49 vjeçarit, ndërsa data e atentatit përkon me datën e arrestimit të Mitros në vitin 2014, asokohe i dyshuar për organizimin e disa atentateve në Vlorë.
Mitro është dënuar me 8 vjet burg nga Gjykata e Apelit e Krimeve të Rënda për “sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” ndaj dy personave. Ai ishte pjesë e të njëjtit grup me të dënuarin për vrasje, Julian Sinani dhe disa persona të tjerë të akuzuar për një sërë atentatesh në qytetin e Vlorës dhe Durrësit, kundër biznesmenëve të ndërtimit dhe zyrtarëve.
Bashkë me Mitron, Apeli dënoi edhe Ndriçim Gjokonën, Julian Sinanajn, Albin Mexhaj,
Ilir Karçinin dhe kushërinjtë Genis dhe Andon (Erjon) Mëhillaj. Ky i fundit u nda nga jeta në Burgun e Peqinit, ku vuante dënimin në fillim të vitit që shkoi.
Mitro u dënua si porositës i atentatit të mbetur në tentativë ndaj ish-prefektit të Vlorës, Besnik Dervishi dhe të një personi tjetër. Ai u arrestua më 26 janar të vitit 2014 në Rinas, në përpjekje për të lënë Shqipërinë. Fillimisht u dënua me 19 vjet burg nga Gjykata për Krimet e Rënda e Shkallës së Parë dhe pas Apelit u dënua me 8 vite. Mitro mësohet se është liruar një vit më parë, pasi kishte kryer 3/4 e dënimit.
Policia njoftoi se kishte gjetur një prej makinave të atentatorëve. Sipas policisë, makina u gjet e djegur plotësisht në zonën e Bishtit të Malit, në aksin nacional Vlorë- Selenicë. Policia tha se kishte sekuestruar kamerat e sigurisë së një fabrike vaji në afërsi të zonës ku u gjet i djegur mjeti i dyshuar si i përdorur në atentat dhe se vijon përpjekjen për identifikimin e autorëve.