Lajm19 Jul 2018

Avokati Ilia Ilia, akuzon prokurorin Arjan Ndoja për sulmin ndaj tij

Avokati Ilia Ilia, akuzoi prokurorin Arjan Ndoja për organizimin e një sulmi ndaj tij, pasi dy persona sipas policisë ende të paidentifikuar e qëlluan atë para dyerve të Gjykatës së Durrësit.

Autor: Geri Emiri BIRN Durrës
Printo

Ndërtesa e Gjykatës dhe Prokurorisë në Durrës | Foto nga : BIRN

Avokati Ilia Ilia akuzoi prokurorin e Durrësit Arjan Ndoja, pasi dy persona sipas policisë ende të paidentifikuar e sulmuan dhe e goditën mëngjesin e të ejtes pranë Gjykatës së Durrësit. Policia i tha BIRN se sulmi kishte ndodhur rreth orës 10.45, ndërsa tha se ishte duke punuar për të identifikuar personat që kishin ushtruar dhunë ndaj avokatit. Ilia Ilia ndërkohë në një bisedë telefonike për BIRN akuzoi prokurorin Ndoja. Ilia tha se personat i kishin folur në emër të prokurorit dhe pastaj e kishin goditur. BIRN nuk arriti të kontaktonte me prokurorin.  Po ashtu prokuroria e Durrësit nuk ka reaguar zyrtarisht. Një zëdhënës i saj i tha BIRN se do viheshim në dijeni sapo të kishte një informacion.

Ndërkohë punonjës në zyrën e shtypit në Policinë e Durrësit thanë se menjëherë pas marrjes së denoncimit, kishin nisur hetimet. Përndryshe nga i dëmtuari i cili pretendoi se kishte njohur një prej sulmuesve, sipas tij një ish-shoqërues (shofer) i prokurorit Ndoja, policia tha se personat nuk ishin identifikuar.

Avokati i cili i tha BIRN se pas disa orësh u largua nga urgjenca dhe gjendej në banesë, për të vijuar mjekimin, pretendoi se Ndoja ishte organizator i sulmit. “Kemi pasur një konflikt dje në seancën gjyqësore në një çështje penale, secili bën detyrën e tij, unë bej detyrën e mbrojtjes, gjë që nuk i pëlqeu prokurorit”, tha Ilia.

Ilia tha se në gjyqin që BIRN mësoi ishte një masë sigurie, të dy kishin shkëmbyer replike. Ilia tha se pas ironisë së prokurorit ai i kishte thënë “unë nuk jam fshatar si ti”. Ai thotë se pas kësaj prokurori e ka kërcënuar, ndërsa pretendon se sulmuesit para se ta goditin i kishin folur në emër të prokurorit. “Ti je ai i forti që i ke bërë karshillëk prokurorit dhe më goditën pabesisht”, tha avokati për BIRN.

Avokati Ilia Ilia është prej vitesh si avokat në Durrës, i njohur për mbrojtjen e Lulzim Berishës. Po ashtu Ndoja ka vite që shërben si prokuror, në këtë prokurori dhe e drejtoi atë deri në fillim të këtij viti.