Bashkimi Europian shpreson që Beogradi dhe Shkupi do ta “zgjidhin çështjen me qetësi”, pasi Serbia tërhoqi të gjithë stafin diplomatik nga vendi fqinj.
Një zëdhënës i Komisionit Europian i tha BIRN-it përmes një deklarate të martën se incidenti diplomatik në Shkup është “një çështje bilaterale mes dy vendeve, e cila po ndiqet ngushtësisht nga Bashkimi Europian”.
“Ne kërkojmë nga të dyja palët që të përmbahen dhe ta zgjidhin çështjen me qetësi, në frymën e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë,” deklaroi Komisioni i BE.
Raportuesi i Parlamentit Europian për Serbinë, David McAllister lëshoi një deklaratë të ngjashme përpara vizitës së tij të pashmangshme në Serbi.
Të dielën, Serbia tërhoqi në mënyrë të papritur të gjithë stafin e vet diplomatik nga Shkupi i Maqedonisë.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç dhe ministri i Jashtëm, Ivica Daçiç thanë të hënën se e tërhoqën stafin diplomatik nga Maqedonia, pasi u informuan rreth “veprimeve ofensive” të planifikuara kundër Serbisë.
Vuçiç deklaroi të hënën se stafi i ambasadës serbe u tërhoq nga Maqedonia, pasi Beogradi mori “prova mbi veprime fyese të shërbimeve inteligjente kundër institucioneve të Serbisë”.
Ministri i Jashtëm, Daçiç dha një deklaratë të ngjashme për agjencinë e lajmeve Tanjug, duke cituar gjithashtu “veprime kundër Republikës së Serbisë”.
Të dy-Vuçiç dhe Daçiç thanë gjithashtu se “fuqitë e huaja” ishin të përfshira, por refuzuan të jepnin më shumë detaje.
Megjithatë, ish-ambasadori i Bashkimit Europian në Maqedoni, Erwan Fouere tha për BIRN se tërheqja e diplomatëve ishte një zhvillim shqetësues.
“Nëse atje ekzistojnë opinione të ndryshme mes fqinjësh, tërheqja e të gjithë stafit diplomatik-siç bëri Serbia në rastin e Maqedonisë nuk është mënyra e duhur për t’i zgjidhur dallimet. Krejt e kundërta,” tha ai të martën.
Fouere shtoi se qeveria e re e Maqedonisë, e drejtuar nga Zoran Zaev doli nga rruga e vet për të ndërtuar marrëdhënie të ngushta dhe të respektueshme me Serbinë, përmes dialogut të matur.
“Presidenti Vuçiç duhet t’i tregojë në mënyrë reciproke shpirtin e shtetarit në vend që të përpiqet të sillet si i forti i ri i Ballkanit,” theksoi ai.
Ndërkohë, Vuçiç u takua të martën me ambasadorët e Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe, por njoftimet e shtypit serb nuk japin asnjë të dhënë nëse u diskutua për incidentin diplomatik.