Analize9 Oct 2018

BE: Moldavia s’mund të zgjedhë më të mirat nga partneriteti

BE-së po i sos durimi me Moldavinë katër vjet  pasi nënshkroi një marrëveshje asocimi që synonte të nxiste reforma politike dhe ekonomike.

Autor: Madalin Necsutu BIRN Kishinau
Printo

Komisioneri i BE-së Johannes Hahn u takua me kryeministrin moldav Pavel Filip më 27 shtator në Nju Jork. Foto: Faqja e Facebookut e Pavel Filip.

Moldavia nuk mund “të vërë gishtin e të zgjedhë” pjesët më të mira të marrëveshjes së partneritetit që ka me Bashkimin Europian, tha për BIRN i dërguari i bllokut në ish-republikën sovjetike në një paralajmërim të zjarrtë që tregon tronditjen në rritje në Bruksel me përpjekjet e Kishinaut për reforma.

Moldavia dhe BE-ja nënshkruan një marrëveshje asocimi në vitin 2014, duke zhbllokuar udhëtimin pa viza për moldavët në Europë dhe tregje fitimprurëse europiane për mallrat moldave.

Kjo lëvizje ishte pjesë e një përpjekjeje për të joshur të banorët e Moldavisë, Ukrainës dhe Gjeorgjisë të largohen nga orbita e Rusisë dhe të afrohen me Perëndimin, por kjo kishte edhe disa kushte – pritshmëri ekonomike dhe politike që BE-ja tani thotë se Moldavia nuk po i përmbush.

Marrëdhëniet janë përkeqësuar për ndryshimet në sistemin zgjedhor vitin e kaluar, anulimin e një zgjedhjeje për kryebashkiak në kryeqytetin e Kishinaut në qershor të këtij viti dhe një rregullim fiskal polemik në korrik që BE-ja, Shtetet e Bashkuara dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë kritikuar ashpër se inkurajon pastrimin e parave dhe korrupsionin.

Ambasadori i BE-së Peter Michalko gjithashtu përmendi respektin për të drejtat e njeriut, vonesat në reformën gjyqësore aq shumë të nevojshme, nevojën për një fushë të barabartë për partitë politike dhe politizimin e institucioneve shtetërore.

“Reforma në drejtësi është vonuar shumë, sidomos përsa i përket pavarësisë dhe integritetit të sistemit të drejtësisë,” tha Michalko në BIRN në një intervistë.

Lista e masave

Ai tha se BE-ja pret “masa konkrete”, duke i bërë jehonë Komisionerit të Zgjerimit, Johannes Hahn, i cili tha muajin e kaluar në Tëitter se, gjatë një takimi në Nju Jork, ai i kishte dhënë kryeministrit moldav Pavel Filip një “listë masash reformuese” që Kishinau duhet të ndërmarrë “urgjentisht” për të trajtuar shqetësimet për sundimin e ligjit dhe “tërheqjen e demokracisë”.

Filip nuk e përmendi listën kur përshkroi në Facebook takimin dhe këmbënguli që BE-ja mbetej “mundësia e vetme” e Moldavisë.

Përmbajtja e listës, ekzistenca e së cilës është shpërfillur masivisht në Moldavi, nuk është bërë publike.

Analisti politik Rosian Vasiloi tha se mospërmendja e saj nga Filipi tregonte shumë.

“BE-ja tregoi se nuk është në dakord me shkeljen më të fundit të standardeve demokratike në Moldavi dhe fakti që kryeministri moldav nuk dëshiron të flasë për listën e veprimeve të ndërmarra nga Brukseli nuk është një shenjë e mirë.”

“Devijime nga normat europiane”

Michalko tha se ka pasur disa përparime në sektorin financiar dhe atë bankar, në energji dhe tregtinë me BE-në. Por, tha ai, “masa konkrete” të tjera duhet të përfshijnë “sjelljen e legjislacionit tatimor në përputhje me angazhimet fiskale, kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave”.

Ambasadori i BE-së në Moldavi Peter Michalko gjatë një fjalimi publik. Foto: Facebooku i Delegacionit të BE-së në Kishinau.

Ai tha se autoritetet duhet të fitojnë besimin e moldavëve, duke theksuar nevojën për të ndëshkuar ata që qëndrojnë pas një mashtrimi bankar prej një miliardë dollarësh në vitin 2014 që pothuajse e falimentoi vendin.

BE-ja ka pezulluar tashmë një paketë ndihme prej 100 milionë eurosh për Moldavinë lidhur me anulimin e garës për kryetar bashkie të qershorit që u fitua nga një kandidat i opozitës.

Filip, në postimin e tij në Facebook, tha se anëtarësimi në BE ishte plani i vetëm i Moldavisë. “Nuk është e lehtë. Ne kemi uljet dhe ngritjet tona, por marrëdhënia jonë me BE-në është e qëndrueshme, një nga e cila nuk do të heqim dorë. Vendi ynë është në Europë.”

Megjithatë, në vend, partia e tij në pushtet – Partia Demokratike, PD – u zotua në fillim të shtatorit se do të jetë më “pro-moldave”, duke shkaktuar spekulime se mund të largohet edhe më tej nga rruga e integrimit europian.

Me një sy nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare në shkurt të vitit të ardhshëm, PD-ja ka nisur të nxisë një axhendë më populiste të fokusuar në rroga, pensione, ujë, mbeturina dhe rrugë – jo gjeopolitikë.

Igor Munteanu, drejtor ekzekutiv i Institutit për Zhvillim dhe Nisma Sociale “Viitorul”, tha se PD-ja po zbulonte veten si një “institucion oligarkik”.

“Devijimet nga normat europiane” që ka akumuluar partia “e kanë mbushur kupën”.