Lajm29 Sep 2021

Bordi i Autoritetit të Konkurrencës voton kundër gjobës për tregtarët e miellit

Tre anëtarë të Autoritetit të Konkurrencës, Denar Biba, Leida Matja dhe Adriana Berberi, votuan kundër propozimit të sekretariatit ndërsa kryetarja Juliana Latifi the anëtari Eduard Ypi votuan pro. Kompanitë AgroBlend, Miell Tirana, Bloja dhe Atlas Mills u akuzuan për rritje të koordinuar të çmimit të drithit.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Një dyqan buke në lagjen e Kalasë në Berat. Foto: Ivana Dervishi/BIRN Foto ilustruese

Autoriteti i Konkurrencës njoftoi të mërkurën se një propozim i sekretariatit për të gjobitur kompanitë kryesore të prodhimit dhe tregtimit të miellit në Shqipëri dështoi të miratohej në bord me tre vota kundër. Autoriteti, i cili është kritikuar nga media për mungesë gadishmërie për të goditur abuzimet me tregun përmes sjelljeve të koordinuara, shkoi më tutje duke sqaruar në njoftim se kryetarja, Juljana Latifi dhe anëtari Eduart Ypi kanë votuar pro propozimit për të vënë gjobë ndërsa tre anëtarë, Leida Matja, Adriana Berberi dhe Denar Biba kanë votuar kundër.

Shqipëria është përballur me një valë rritjesh çmimesh, veçanërisht në grupin e ushqimeve. Gjatë muajit shtator, çmimi i bukës masive pësoi një rritje prej 10 lekësh pothuajse në të gjithë vendin.

Indeksi i Çmimeve të Konsumit ka shënuar një rritje vjetore prej 2.4% në gusht, ku çmimet e ushqimeve janë rritur me 4.6%. Ndërsa çmimet e ushqimeve rriten, çmimet e mallrave të tjera, veçanërishta to që përbëjnë konsum afatgjatë, si mobilje, kanë mbetur të palëvizura prej kohësh, gjë që sugjeron detyrimin e konsumatorëve të blejnë më pak mallra jo të domosdoshme për të paguar kostot e rritura të jetesës së përditshme.

Çmimet e lëndëve të para kanë pësuar rritje në të gjithë botën. Por pa lidhje me rritjen e çmimeve në tregun ndërkombëtar, disa prodhues dhe tregtarë vendës të dridhit dhe miellit kanë qenë nën vëmendjen e Autoritetit të Konkurrencës për shkelje të mundshme të ligjeve prej vitesh.

Në vitin 2018, të katërta kompanitë u vendosën nën shqyrtim nga Autoriteti i Konkurrencës nën dyshimin se koordinojnë çmimet në treg duke krijuar në këtë mënyrë një kartel të paligjshëm. Në vitin 2019, Autoriteti vendosi hapjen e hetimit të thelluar [link] pasi konkludoi se monitorimi paraprak kishte gjetur se këto ndërmarrje, të cilat kontrollojnë sëbashku rreth 70% të tregut, kanë fuqi kontrolluese në treg për shkak të specifikave të tregut: shumica dërrmuese e grurit të importuar në Shqipëri vjen nga dy burime, gjë që mundëson integrim vertikal.

Autoriteti hetoi në atë kohë duke krahasuar luhatjet e çmimit të drithit në tregun ndërkombëtar dhe ecurinë e çmimit të grurit në tregun shqiptar.

“Çmimi mesatar i shitjes së miellit nga ndërmarrjet e blojës nuk ndjek luhatjet e çmimit të grurit dhe trendi i ndryshimit të tij është i njëjtë për të gjitha ndërmarrjet,” gjeti autoriteti në atë kohë.

“Pavarësisht nga ndryshimet e dukshme të çmimit të grurit, trendi i çmimit të shitjes së produktit miell për ndërmarrjet Agroblend, Miell Tirana, Bloja dhe Atlas është paralelisht i njëjtë, duke mos reaguar në asnjë rast të ndryshimit të çmimit CIF,” shkruhet në vendimin e hapjes së hetimit të thelluar. [Link]

Një nga katër kompanitë, AgroBlend, është gjobitur sakaq për shkelje të konkurrencës në një çështje tjetër, në lidhje me abuzimet në tregun e imputeve bujqësore. Agroblend dhe MBM u gjobitën në prill të këtij viti me 2 milionë lekë gjobë ndërsa Çaça shpk u gjobit në të njëjtin vendim me 500 mijë lekë gjobë për mosrespektim të urdhrit për të hequr dorë nga bashkëpunimi dhe përcaktimi i çcmimeve në grup.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *