Pas takimit me ambasadoren e SHBA në Tiranë, Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela u dërgoi një thirrje prokurorëve në vend për të vepruar shpejt pas kallëzimeve për krime zgjedhore.
Një ditë pas një përplasje me armë në Elbasan në të cilën mbeti i vrarë një politikan lokal i lidhur me Partinë Socialiste dhe u plagosën 4 persona të tjerë, Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela kërkoi hetime të shpejta në rast denoncimesh për krime që kishin lidhje me zgjedhjet.
“Është thelbësore të vlerësohet me seriozitet dhe në kohë çdo kallëzim apo e dhënë për kryerjen e veprave penale që cenojnë procesin e zgjedhor, përmes hetimeve të shpejta dhe të plota”, thuhet në deklaratën e Çelës
Deklarata e Çelës drejtuar prokurorive në vend u bë pas takimit me Yuri Kim, ambasadore e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, e cila po ashtu kërkoi ndëshkimin e kujtdo që pengonte zgjedhjet e lira. “Ata që shkelin ligjin dhe pengojnë të drejtën e qytetarëve për të votuar lirisht dhe në paqe duhet të ndiqen penalisht në mënyrë të plotë. Asnjë trajtim të posaçëm. Asnjë përjashtim. Askush nuk është mbi ligjin”, thuhet në deklaratën e ambasadores pas takimit.
Ndërkohë Prokurori i Përgjithshëm në njoftimin për mediat bëri me dije se ishin marrë “një sërë masash administrative dhe procedurale për periudhën para dhe pas zgjedhore”.
Çela shprehet në komunikimin me prokurorët se zvarritjet apo mungesa e veprimi në hetime nuk do të tolerohej. “Qytetarët shqiptarë presin prej jush të tregoni kurajë dhe vendosmëri, duke kryer detyrën në paanësi dhe pavarësi të plotë”, thuhet në thirrje në të cilën Çela shpreh edhe mbështetje për vartësit.