Lajm4 Dec 2017

Çështja “Veliera”, gjykata cakton tre ekspertë, shtyhet edhe tre javë shqyrtimi

Tre ekspertë arkeologë do të vendosin se cila do të jetë e ardhmja e projektit “Veliera”, punimet për ndërtimin e së cilës kanë filluar para një viti në Durrës, por përfaqësues të shoqërisë civile u ankuan për një shtyrje të re të gjyqit, të cilat i quajtën të pajustifikuara

Autor: Gëzim Kabashi BIRN Durrës
Printo

Punimet e projektit “Veliera”. Foto: Gëzim Kabashi

Gjykata Administrative miratoi  listën e tre ekspertëve të pavarur, të cilët do të verifikojnë dëmtimet e mundshme në fortifikimet e zbuluara para një viti, si dhe rreziqet që mund të sjellë për sheshin vepra publike, që po ndërtohet me një buxhet prej 6 milion dollarë nga Bashkia e Durrësit.

Në të njëjtën kohë gjykata pranoi kërkesën e Bashkisë së Durrësit për një shtyrje tjetër të afatit, për tu lënë kohë ekspertëve të caktuar nga Prokuroria e Rrethit, në procesin paralel që po zhvillohet në Gjykatën e shkallës së Parë. Kundër këtij vendimi ishin përfaqësuesit e shoqërisë civile, të cilët i kujtuan gjyqtarit Ergys Gashi, se ata kishin depozituar kërkesën e pamarrë parasysh për hetimin teknik me anë të ekspertëve që nga 2 shtatori.

Përfaqësuesit e Shoqërisë Civile insistojnë se dy çështjet që po shqyrtohen paralelisht në dy gjykatat dhe që kanë vendosur përballë të njëjtat palë janë krejtësisht të ndryshme. “Njëra trajton në themel çështjen e legjitimitetit të projektit Veliera, ndërsa në Gjykatën e rrethit synohet të vendoset për dëmet e shkaktuara në zonën arkeologjike A, pikërisht aty ku ku u zbuluan muret fortifikuese mesjetare dhe elementë të ndryshëm arkeoologjikë” -tha Jorgo.

Edhe në këtë rast në sallë mungonin përfaqësuesit e palëve të treta në proçes, nga Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve deri te agjencitë dhe drejtoritë rajonale të mjedisit dhe kulturës.

Punimet në në lulishten para godinave të Drejtorisë së Portit Detar të Durrësit për zbatimin e projektit të shumëdiskutuar “Vela”, që më pas u njoh me emrin “Veliera”, nisën 12 muaj më parë. Në projekt, bashkë me shëtitoren pedonale, bashkia synonte edhe zgjidhjen e problematikën e qarkullimit të automjeteve në pjesën më të ngarkuar gjatë sezonit turistik.

Shoqëria civile, shumë e ndjeshme që në momentin e parë,  e konsideroi zbulimin gjatë punimevë të mureve fortifikuese mesjetare, si një mundësi për ta bllokuar vazhdimin e punimeve dhe me kallëzimin penal të 2 shkurtit 2017 e paditi Bashkinë e Durrësit për “Ndërtim të paligjshëm”.

Një muaj më vonë Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës vendosi “sekuestrimin preventiv,…duke mos lejuar vazhdimin e punimeve për pjesën e projektit që shtrihet në zonën A” të rriskut arkeologjik në Durrës. Megjithë ankimimin e Bashkisë së Durrësit, vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë gjeti mbështetjen e Gjykatës së Apelit, i cili e la në fuqi atë.

Ndërkohë prej gati një viti dy procese paralele zhvillohen në gjykata e Durrësit. Një në Gjykatën e Shkallës së Parë ku po shqyrtohet padia për dëme të shkaktuara mbi muret mesjetare dhe zonën arkeologjike, dhe një në Gjykatën Administrative, ku shoqëria civile shpreson të zhbëjë projektin.

Menjëherë pas seancës që zgjati pak më shumë se një orë, përfaqësuesi i Shoqërisë Civile, Sazan Guri tha për mediat se vonesat e trupit gjykues janë krejtësisht të pajustifikuara dhe se “padrejtësia që po zvarritet në këtë rast do të zgjidhet në gjykatat e Tiranës, e po të jetë nevoja edhe në atë të Strasburgut”.

Në të njejtën linjë edhe avokatja Mirela Jorgo, e cila theksoi se vonesat disamujore në këtë gjykatë tentojnë të vonojnë pa fund procesin, që sipas saj nuk mund të vendosë ndryshe përveçse në favor të paditësve.

Kryesuesi i seancës gjyqësore Ergus Gashi bëri të njohur emrat e tre ekspertëve arkeologë, fjala e të cilëve do të ndikojë edhe mbi vendimin e ardhshëm të gjykatës. Ekspertët në profesion të lirë Taulant Rama, Faik Drini dhe Skënder Ali kanë tre javë kohë për të hartuar një raport të situatës në sheshin e projektit “Veliera”, ndërsa më 27 dhjetor, vetëm 4 ditë para festës së ndërrimit të viteve në Gjykatën Administrative palët dhe trupi gjykues do të mblidhen përsëri në seancën e radhës.  Në sallën e gjykimit, dritaret e së cilës shohin nga afër të gjithë sheshin para portit detar pritet të vendoset e ardhmja e këtij projekti, deri tani të bllokuar, ose pezullimi përfundimtar i tij.