Blog13 Nov 2018

Çfarë janë statistikat dhe ku dallojnë nga propaganda

Statistikat janë një lloj informacioni sasior që në disa raste kanë kuptim dhe "fuqi shprehëse" të një realiteti ndërsa shumë shpesh prodhohen nga qeveritë për propagandë dhe kanë asnjë vlerë tjetër përveç asaj propagandistike.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Kryeministri i sotëm i ka statistikat që prodhon po vetë si fishekë rezervë gati për t’i hedhur sapo vihet sadopak nën presion. Dhe Rama po ankohet herë pas here së fundmi se “media” nuk ia var atij dhe nuk ia publikon statistikat që tregojnë vetëm përmirësim. Ankesa e Ramës se media nuk ia var, në vetvete fsheh një problem më të madh, atë që statistikat e tij janë në shumicën dërrmuese të pabesueshme nga njëra anë dhe të parëndësishme si tregues të gjendjes së vendit nga ana tjetër.

Në një ngjarje të veçantë, ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri është ankuar në disa raste se gazetarët nuk besojnë ato që ai i quan “statistika zyrtare”. Nëse ju kujtohet, statistikat zyrtare ishin ato që prodhonte vetë Tahiri dhe që tregonin suksese të panumërta të policisë së shtetit kundër drogës më 2016.

“Ju duhet të lexoni statistikat zyrtare,” i thoshte Tahiri Blendi Fevziut në emisionin Opinion së fundmi.

“Ato statistika ishin gënjeshtër”, iu përgjigj Fevziu.

Gazetarët natyrisht që nuk kanë nevojë të jenë njohës të thelluar të statistikave dhe metodologjisë statistikore. Në punën e përditshme në gazetarit shumica dërrmuese e informacionit është cilësor dhe jo sasior. Për shembull, nëse një gazetar del për ecje në mal dhe bie në një fushë me kanabis, ky është një informacion është krahasimisht më i vlefshëm dhe më pranë realitetit se sa raportimet e Ministrisë së Brendshme për miliona bimë kanabisi të shkulura.

Kjo na shpie te pyetja themelore: çfarë janë statistikat?

Përkufizimi i thjeshtë është: një lloj informacioni sasior që na ndihmon për të kuptuar një situatë të caktuar. Në shkencat shoqërore, informacioni klasifikohet në dy kategori të mëdha, sasior dhe cilësor. Cilësori është informacioni i mbledhur nga persona kyç me njohuri mbi një situatë, ku personat kyçë mund të japin përshtypjet, bindjet apo ndjesitë e tyre të kualifikuara. Zakonisht studimet e mira plotësojnë informacionin sasior me atë cilësor, ku cilësori përdoret për të kuptuar rëndësinë që kanë statistikat për të interpretuar një gjendje.

Fjala vjen, treguesi i sasisë së kredive në ekonomi mund të shfaqë rritje ose ulje, por informacioni cilësor i dhënë nga bankierët mund të të ndihmojë për të kuptuar nëse rritja apo ulja është reflektues i gjendjes së ekonomisë apo është një fenomen kalimtar. Teknikat e identifikimit të personave kyçë dhe mbledhjes së informacionit sasior mund t’i diskutojmë gjetkë. Tani për tani do merremi vetëm me informacionin sasior dhe aftësitë tona të kufizuara për të lexuar realitetin bazuar vetëm në të dhëna sasiore.

Statistikat kanë nevojë për metodologji

Jo çdo shifër që hidhet në debat klasifikohet si statistikë. Statistikë është vetëm ajo shifër që është prodhuar falë një metodologjie ekzistuese, të detajuar dhe të njohur botërisht si të tillë. Instituti i Statistikave, p.sh., shoqëron çdo publikim të vetin me një metodologji shpjeguese se si e pse janë mbledhur dhe përpiluar statistikat e përfshira në atë tregim.

Fjala vjen, nën akuza për dështim në luftën kundër krimit, Ministria e Brendshme publikoi pak javë më parë një grafik në të cilin thuhej se për një periudhë të caktuar kohore, në Qarkun Vlorë kishte pasur gjashtë vrasje. Populli filloi të tallej duke i rikujtuar Ministrisë së Brendshme se vetëm në një ngjarje fatkeqe, një individ vrau tetë anëtarë të një familjeje. Ministrisë iu desh të sqaronte se ajo me “vrasje” nënkuptonte ngjarje kriminale që kishin përfunduar me vrasje. Ajo nuk nënkuptonte numrin e viktimave. Rrjedhimisht, ngjarja e Selenicës me tetë të vrarë, klasifikohej në statistika si një vrasje. Problemi që ka Ministria e Brendshme është se nuk ka asnjë dokument publik të quajtur Metodologji që të shpjegojë se çfarë quan kjo ministri Vrasje dhe çfarë klasifikon si “viktima”.

Në mungesë të metodologjisë publike dhe neutrale ndaj realitetit, Ministrisë së Brendshme i lind e drejta të prodhojë statistika sipas qejfit të vet politik. Ose asaj i lind e drejta që njëherë të raportojë numrin e vrasjeve dhe një herë tjetër numrin e vrasësve e një herë tjetër, numrin e viktimave.

Publikimi me firmën e ish-ministrit Farmit Xhafaj mbi “Vrasjet” në Qarkun Vlorë. Foto; Facebook

Ministria e Brendshme ka qenë nën presion politik përgjatë viteve të fundit për të treguar rezultate dhe rezultati i parapëlqyer ka qenë rënia e numrit të “vrasjeve”. Nga pikëpamja e metodologjisë, shumë pikëpyetje mund të ngrihen për të dalluar nëse statistikat e prodhuara nën presion politik janë reale apo imagjinare. Një nga pyetjet mund të jetë: Çfarë quhet “vrasje”? Kjo mund të ngjajë pyetje e pavend sepse një njeri ose është i vdekur ose është i gjallë dhe nuk ka rrugë të mesme. Por nëse do statistika të qarta, duhet të kesh përkufizim të qartë. Fjala vjen, nëse një njeri vdes në spital disa orë pasi është qëlluar në rrugë, a quhet kjo “vrasje” apo “plagosje”? Dhe nëse një njeri vdes disa vite më vonë si pasojë e komplikacioneve të shkaktuara nga një plumb i marrë në rrugë, a quhet kjo vrasje? Si rishikohen statistikat e vitit kur ka ndodhur plagosja? Çfarë ndodh kur një ngjarje e klasifikuar fillimisht si vrasje, gjykohet nga gjykatat vite më vonë si aksident? Kush është dallimi mes vdekjes aksidentale në det të një trafikanti droge nga një vrasje?

Ka pasur shumë “lajme” nga Ministria e Brendshme gjatë viteve të fundit ku viktima “ka vdekur në spital”. Në rastin më flagrant, policia e Lezhës u përplas me Spitalin Lezhë pasi deklaroi se një pushues nuk u mbyt në det, por vdiq në spital.

Në tërësi, sa më e qartë të jetë metodologjia e raportimit statistikor, aq më të sakta dhe të besueshme janë statistikat.

Besimi i statistikave nuk lidhet vetëm me metodologjinë. Ajo lidhet edhe me një praktikë tjetër të hartuesve të statistikave, testimin e cilësisë së tyre, ose verifikimin e vërtetësisë së statistikave të mbledhura.

Statistikat duhet të jenë gjithashtu të pavarura politikisht

Në kushtet e Shqipërisë, ku pavarësia është e dyshimtë edhe për gjëra më të rëndësishme si Gjykata Kushtetuese apo prokuroria, pretendimi se Ministria e Brendshme mund të prodhojë me të vërtetë statistika të pavarura është i tepërt. Sado që z. Tahiri këmbëngul që njerëzit të besojnë ato që i quan “statistika zyrtare”, fakti që vetë z. Tahiri ka një interes politik në prodhimin e këtyre statistikave i bën ato automatikisht të pabesueshme, kjo pavarësisht nëse janë apo jo të sakta dhe të ndershme.

Nga ana tjetër, nëse Rama dëshiron me të vërtetë që media të raportojë “të vërtetat e tij” statistikore, puna për këtë duhet të krijohet përmes shpalljes publike të njësisë së statistikave të Ministrisë së Brendshme, deklarimit të emrave dhe jetëshkrimeve të zyrtarëve përgjegjës për mbledhjen dhe raportimin e statistikave, vendosja në të e ekspertëve të statistikave, përgatitja, testimi dhe publikimi i metodologjisë, publikimi i vazhdueshëm i statistikave të grumbulluara në mënyrë periodike, fjala vjen, çdo muaj apo një herë në tre muaj apo një herë në vit. Statistikat që prodhohen dhe publikohen nga një zyrë statistikore do të duan, në çdo rast, disa vite për të arritur një shkallë besueshmërie publike.

Besueshmëria është një nga ato lloj gjërash që nuk blihet me para. Ajo kërkon shumë kohë për t’u krijuar dhe mund të shkatërrohet brenda një sekonde.

Statistikat duhet të jenë gjithashtu të plota

Postimi i Ramës në Twitter mbi numrin e vrasjeve.

Ka një shprehje në botën e ekonomiksit që thotë se nuk bën mirë “të zgjedhësh qershitë”. Kjo nënkupton që mes morisë së shumtë të statistikave, nuk është mirë të peshkosh ato statistika që të ndihmojnë të mbështetësh një argument. Një nga këto raste është edhe statusi i Ramës në Twitter më 6 shtatorin e kaluar, ku ankohej se “tregu mediatik” nuk ia varte statistikave të tij. [link]

Rama paraqiti një grafik që sipas tij, paraqiste numrin e vrasjeve për periudhën maj-gusht. Ky është rasti tipik i zgjedhjes së qershive për shkak se statistikat, me synimin për të qenë neutrale ndaj interesit propagandistik të momentit, raportohen ose me bazë vjetore, ose me bazë tremujore ose me bazë mujore. Si të tilla, statistikat mund të jenë për periudhën janar-mars, prill-qershor, korrik-shtator por nuk mund të jenë maj-gusht. Në këto kushte, media bën mirë që nuk i merr seriozisht këto “të vërteta statistikore” të përzgjedhura nga Rama sipas interesit të tij propagandistik.

Këtu ne mbërrijmë te një problem tjetër statistikor. Grafiku i Ramës paraqet numra të vegjël, të tillë si 47, 36, 19 etj. Që një shifër të quhet statistikë, ajo duhet të jetë me numra të mëdhenj. Fjala vjen, një milionë apo dy milionë. Shifrat 47 apo 36 janë të pavlefshme për t’u klasifikuar si statistika. Edhe krahasimi mes tyre, pavarësisht nëse tregon rritje apo ulje, përmirësim apo përkeqësim, sukses apo dështim, është në çdo rast i pavlefshëm.

Për shembull, Organizata e Kombeve të Bashkuara llogarit normën e vdekshmërisë së nënave gjatë lindjes “për njëqindmijë”. Kjo do të thotë se nëse në një vend vdesin 216 nëna gjatë lindjes në një vit kur ka 100 mijë lindje, atëherë statistika e vdekshmërisë së nënave gjatë lindjes është 216 për njëqindmijë. Kjo është shifra për planetin për vitin 2015 sipas UNICEF.

Arsyeja se pse statistikat e tilla llogariten në “për mijë” apo “për njëqindmijë” dhe jo “për qind”, që është statistika më e zakonshme në përdorim, është se fenomeni statistikor i matur është “i rrallë”. Kjo nuk do të thotë se është i parëndësishëm. Jeta e një nëne nuk matet me statistika. Ajo që matet është përpjekja e njerëzimit për të luftuar vdekshmërinë e nënave nga komplikimet gjatë lindjes.

Në Shqipëri nuk është e mundur që vdekshmëria e nënave gjatë lindjes dhe ecuria e këtij treguesi në vite të llogaritet njësoj si UNICEF e llogarit për botën. Arsyeja është që në Shqipëri nuk ka 100 mijë lindje në vit por vetëm 30 mijë. Kjo do të thotë se incidenca statistikore, nëse llogaritet sipas formulës së pranuar botërisht, të jep rezultate të paqena. Në një vit, vdekshmëria e nënave gjatë lindjes në Shqipëri mund të rezultojë zero, në një vit tjetër, pesë. Në vitet kur vdekshmëria rezulton zero, kjo nuk i jep arsye kujt të imagjinojë që Shqipëria ka shpëtuar nga problemi i vdekshmërisë së nënave gjatë lindjes. Asnjë vend, sado i zhvilluar, nuk ia ka dalë të zhdukë këtë problem. Statistika tregon thjeshtë që numri i lindjeve është shumë i vogël për të nxjerrë një statistikë të vlefshme. Bota e statisticienëve ka zbuluar me kalimin e shekujve metoda më të komplikuara statistikore për të matur fenomene të tilla në kushtet e numrave të vegjël. Një metodë është llogaritja e mesatares shumëvjeçare. D.m.th., llogaritja e treguesit për pesë vjet dhe jo për një vit. Një metodë tjetër është llogaritja e njohur si mesatarja rrëshqitëse, ku mesataret e periudhave pesëvjeçare krahasohen me njëra-tjetrën për të dalluar nëse tendenca është drejt pakësimit të vdekshmërisë apo shtimit. Në të gjitha rastet, ky informacion vështirë se të tregon shkaqet e problemit. Studimi i rasteve të vdekshmërisë njëri pas tjetrit nga mjekë të specializuar është një metodë më e vlefshme për gjetjen e shkaqeve dhe, pas kësaj, për zhvillimin e politikave për të luftuar shkaqet e vdekshmërisë.

Sërish mbërritëm te informacioni cilësor

Kryeministri Edi Rama është mburrur vazhdimisht me “të vërtetën e tij statistikore”, sipas të cilës, numri i vrasjeve në Shqipëri është ulur. Informacioni sasior i jep të drejtë. Informacioni cilësor i nevojshëm për të kuptuar realitetin mungon. Si një gjysmë e vërtetë, numri i vrasjeve nuk na ndihmon. Zakonisht vrasjet klasifikohen në dy kategori të mëdha: vrasje për motive të dobëta dhe vrasje mafioze. Në rast se një individ rrëmben kallashnikovin dhe vret tre punëtorë ndërtimi pas një mosmarrëveshjeje, ne vështirë se mund të kërkojmë përgjegjësi të drejtpërdrejtë te qeveria. Përgjegjësia e qeverisë është shumë e largët, konkretisht qëndron në praninë e paligjshme të armëve ushtarake në duart e popullsisë, trashëgimi e largët kjo e regjimit komunist dhe rënies së shtetit në vitin 1997. Por është kategoria e dytë e vrasjeve ajo për të cilën përgjegjësia e qeverisë është më e drejtpërdrejtë. Kjo është kategoria që përfshin vrasjet që si rregull, kanë autor të fshehur, motivet e të cilit janë shumë të vështira për t’u identifikuar nga policia. Ky lloj vrasjesh është në vetvete tregues i pranisë së krimit të organizuar në vend. Nëse një vend i vogël si Shqipëria ka dhjetë, njëzet apo tridhjetë vrasje të tilla në vit, kjo tregon për ekzistencën e një numri jo të vogël organizatash kriminale të fuqishme, hetimi i të cilave është kompleks dhe kërkon aftësi hetuese po aq sa edhe vullnet politik për të luftuar pjesën e dukshme të aktivitetit të organizatave kriminale, të tilla si pastrimi i parave, investimi i parave të pista në ekonominë e ligjshme etj.

Statistikat nuk janë kurrë në gjendje të të tregojnë të gjithë të vërtetën. Dhe kur ato përdoren për të dhënë një gjysmë të vërtetë, atëherë quhen propagandë dhe jo statistikë.