Lajm26 Mar 2020

COVID-19, shtohen pesëdhjetëmijë infeksione brenda ditës

Gjatë njëzet e katër orëve të fundit, Shtetet e Bashkuara shënuan mbi 15 mijë raste të reja infektimesh me koronavirusin e ri ndërsa Spanja kapërceu Kinën për nga numri i viktimave dhe mortaliteti nga sëmundja në Itali u rrit edhe më tutje.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Foto ilustruese: Pixabay.

Numri i të infektuarve nga COVID-19 arriti në 470,873 persona në të gjithë botën mëngjesin e sotëm, duke shtuar 49,876 persona brenda vetëm 24 orësh, rritja më e madhe në numra absolutë e njohur brenda një dite deri tani.

Shtetet e Bashkuara patën numrin më të madh të rasteve të reja me afro 15 mijë, pasuar nga Spanja me 7,457 dhe Italia me 5,210 pacientë.

Numri i të vdekurve u rrit me 2,401 brenda një dite duke arritur në 21,238 vetë. Italia pati një ditë tjetër të trishtë me 683 të vdekur pavarësisht se numri i rasteve të reja, rreth 5200, ishte afërsisht i barabartë me numrin e rasteve të reja gjatë tre ditëve të fundit, duke dhënë shpresë se kurba e përhapjes së saj në vendim më të goditur nga pandemia po “sheshohet”. Ekspertët përdorin termin “sheshim të kurbës” për të përshkruar situatën kur masat për ndalimin e përhapjes së saj, të tilla si mbyllja e përgjithshme e popullsisë në shtëpi, bën që numri i rasteve të reja të mos rritet në mënyrë eksponenciale, siç është rritur deri më sot. Por numri i ditëve në të cilat Italia nuk ka njohur rritje eksponenciale të rasteve të reja është ende i paktë për të sugjeruar se masat ekstreme po arrijnë të funksionojnë. Vdekshmëria nga COVID-19 në Itali pësoi një rritje tjetër duke arritur në 10.1%.

Numri i viktimave të COVID-19 në Spanjë u rrit në 3,434 persona, duke e ngjitur këtë vend në vend të dytë pas Italisë me 6,820 të vdekur dhe duke kapërcyer Kinën, vendi ku pandemia filloi. Spanja ka numrin e dytë më të lartë të të vdekurve dhe numrin e katërt më të lartë të të infektuarve. Qytetet kryesore të vendit si Madriti dhe Barcelona janë nga më të goditurat nga pandemia. Në Madrit, një pistë patinazhi në akull u përshtat përkohësisht si morg. Shkalla e vdekshmërisë nga sëmundja në Spanjë është rritur në 7.4% ndërsa vdekshmëria duket se po rritet edhe në vendet e tjera Europiane. Gjermania, e cila ka identifikuar në 24 orët e fundit 4,332 pacientë të rinj për një total prej 37,323 personash, vijon të ketë një shkallë vdekshmërie të ulët, 0.6% në këto momente, por tendenca për këtë tregues edhe këtu është në rritje.

Mënyra e numërimit të viktimave të sëmundjes ndryshon nga vendi në vend si dhe varet shumë nga fakti se kur vendi ka filluar të bëjë testime të numërta për COVID-19. Rrjedhimisht dhe statistikat nuk janë të krahasueshme në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Irani, Franca, Zvicra dhe Mbretëria e Bashkuar janë qendra të tjera të mëdha të përhapjes së pandemisë. COVID-19 ka prekur deri më sot mbi 200 vende dhe territore.