Me mbylljen e kufijve dhe pezullimin e aktivitetit të hoteleve, bareve dhe restoranteve, si pjesë e masave parandaluese kundër përhapjes së COVID-19, bizneset akomoduese në Shëngjin dhe sipërmarrjet e agroturizmit në bashkinë e Lezhës po përballen me anulimin e dhjetëramijëra prenotimeve.
Menjeherë pas largimit të familjeve të prekura nga tërmeti i 26-nëntorit, në resortin Rafaelo në Shëngjin nisën përgatitjet për sezonin veror. Në fillim të muajit mars gjithçka ishte gati për të pritur grupet e para të turistëve të huaj që kishin prenotuar për të ardhur në gjysmen e dytë të muajit.
Por gjithçka ndryshoj përshkak të situatës së pazakontë të krijuar nga pandemia globale e koronavirusit të ri SARS-CoV-2.
“Menjehërë pasi u larguan familjet e prekura nga tërmeti që ishin të strehuara këtu, ne nisëm përgatitjet për sezonin veror me qëllim që të ishim gati në fillim të muajit mars,” thotë Bledar Shima, drejtor i resortit Rafaelo. “U vunë në zbatim masat shtërguese të qeverisë dhe resortin e mbyllem,” shtoi ai.
Për shkak të pandemisë, rezervime u anulluan në resortin Rafaelo, i cili është më i madhi në zonën e Shëngjinit, me një kapacitet prej 1 mijë shtretër.
“Kemi patur qindra rezervime për muajit mars dhe prill, por të gjitha u anulluan përshkak të kësaj pandemie globale,” shpjegoi Shima
Sipas statistikave në kohë normale rajoni i Lezhës vizitohet gjatë gjithë vitit nga 800 mijë vizitorë vendas dhe të huaj. Por këtë vit pritshmëritë janë shumë herë më të ulëta për shkak të pasojave që ka sjellë pandemia e COVID-19, e cila pritet të japë efekt negativ për biznesin vendas, por edhe për buxhetin e shtetit dhe arkën e bashkisë Lezhë.
Një pjesë e madhe e pushuesve gjatë sezonit të veres në zonen e Shëngjinit janë shqiptar të Kosovës dhe turistë nga Evropa Perëndimore, por prenotimet e tyre për sezonin e veror janë vënë në pikëpyetje.
“Kemi mijëra prenotime për sezonin e verës që për momentin janë të bllokuara,” tha Bledar Shima, ndërsa shtoi se përmes një shkrese grupet e huaja kanë thënë se në fund të muaj prill – në varësi dhe të situatës, do të vendosin se çfarë do bëjnë.
“Kjo situatë është shumë e frikshme sepse edhe kufinjtë mund të hapen shumë vonë,” shpjegoi Shima
Në këtë periudhë Shëngjini duhet të ishte gati për sezonin turistik. Por përshkak të situatës së krijuar nga koronavirusi i ri ende nuk ka nisur asnjë përgatitje për sezonin e verës, si nga pushteti vendor ashtu dhe nga biznesi vendas.
Kjo kohë e izolimit i ka çorientuar operatorët turistik vendor, pasi shumë prej tyre janë të paqartë se çfarë do t’i sjellë e ardhmja e afërt.
Besnik Sula pronar i një hoteli në vijen parë të plazhit thotë se pritshmeritë ishin të larta për këtë sezon veror, por tani i ka humbur shpresat edhe për një sezon nën mesatar.
“Kisha shumë pritshmeri këtë vit se do vinin shumë pushues, kjo për shkak të tërmetit që solli mjaft pasoja në zonën e Durrësit,” tha ai.
“Por me këtë gjendje që është krijuar unë them se as 50% të pushuesve të viteve të shkuara nuk do ti kemi,” shtoi Sula, duke theksuar se kjo do të jetë “një goditje shumë e rëndë për ne.”
Sula thotë se çdo vit e niste punën në muajin mars, por këtë vit s’do mund ta hapë aktivitetin as në muajin qershor.
“Çdo vit fillosha punë në muajin mars, por s’kam nisur asnjë përgatitje sepse jemi të izoluar,” tha ai.
“Normalisht që kjo do të ndikojë shumë negativisht edhe për shumë përsona që presin sezonin turistik për t’u punësuar,” shtoi Sula
Situata e krijuar nga koronavirusi i ri ka prekur rëndë edhe sektorin e agroturizmit, i cili ka njohur zhvillim të jashtëzakonshem gjatë viteve të fundit.
Sipërmarrësi i restorantit të famshëm Mrizi i Zanave, Altin Prenga thotë se për shkak se një përqindje e lartë e klientelës së tij përbëhet nga turistë të huaj, mbyllja e kufijve dhe pezullimi i aktivitetit i ka sjellë shumë humbje.
“Lokali është i mbyllur prej më shumë se 1 muaj,” tha Prenga. “40% të klienteve i kam shtetas të huaj dhe më janë anulluar 20 mijë prenotime,” shtoi ai.
Edhe sikur Shqipëria të ketë mundësi t’i rikthehet normalitit brenda muajit maj, duke riphapur bizneset e mbyllura dhe duke lehtësuar rregullat e distancimit social, Prenga parashikon një situatë të vështire këtë vit.
“Sipërmarrja e jonë ka 70 punonjës. Aktulisht është në punë vetem sektori i agropërpunimit ku janë të punuar 20 punëtore, ndërsa pjesa tjetër janë në shpi prej një muaji,” tha ai, ndërsa shtoi se deri tani ka arritur t’iu jap pagat të gjithëve, por pas këtij muaji e ka të pamundur.
“Do e kemi shumë vështire ta marrim veten sepse do na mungojnë turistët për një kohë të gjatë,” theksoi Prenga
Ai nuk kërkon asgjë nga qeveria, por vetem t’iu japë pagesat që ju takojnë më ligj punonjesve që do ngelin pa punë.
“Unë i kam të gjithë punëtoret e siguruar. Nuk dua asnjë mbështetje nga qeveria, vetem t’iu japë pagesen që i takon me ligj punonjesve që jam i detyruar që ti ndërpres marrëdhëniet financiare sepse e kam të pamundur që ti paguaj,” përfundoi Prenga