“Gjatë vitit 2016 pamë fëmijë të shokuar nga konfliktet, viktima të ekstremizmit dhe fatkeq të kalimit të Mesdheut. Ndërsa mijëra fëmijë kanë humbur jetën vitin që shkoi nga pasiguria e atdheut të tyre, viti 2017 duhet të ofrojë më shumë ndihmë për më të pambrojturit e botës”.
Viti 2016 me gjasa do të mbahet mend për ngjarjet ushtarake dhe politike, por gjithashtu do të futet në histori si një nga vitet më të këqija për fëmijët që nga lufta e dytë botërore.
Imazhet e foshnjave të vdekura, të plagosura dhe të shokuara mbushën median pothuajse çdo ditë: një djalë i vogël i ulur në shok dhe që ishte gjakosur pasi shtëpia e tij u bombardua; kufoma të vegjlish që nxirreshin nga gërmadhat dhe varre të vogla përgjatë bregut të Mesdheut për të përkujtuar vdekjen e fëmijëve të panjohur.
Këto imazhe janë të fuqishme dhe tronditëse. Megjithatë ato nuk kapin ende magnitudën e vuajtjes së fëmijëve. Më shumë se 240 milionë fëmijë po jetojnë në zona konflikti – nga fushat e vrasjes në Siri, Irak, Jemen dhe Nigeria veriore, te zonat më pak të dokumentuara të goditura prej horronit në Somali, Sudanin Jugor dhe Afganistan. Dhe nga 50 milionë njerëz që jetojnë jashtë atdheut apo janë zhvendosur brenda për brenda, më shumë se gjysma janë larguar me forcë dhe tani po përballen me kërcënime të reja për veten dhe mirëqenien e tyre.
Miliona fëmijë janë të paushqyer dhe nuk shkojnë në shkolla; miliona kanë dëshmuar brutalitet të pamundur për t’u përshkruar; dhe miliona janë kërcënuar me shfrytëzim, abuzim dhe më keq. Kjo nuk është retorikë; është realitet.
Kombet e Bashkuara – me mbështetjen e vendeve si Suedia dhe duke punuar përmes sistemit të përgjigjes së koordinuar humanitare që përfshin UNICEF – po e zbut vuajtjen kurdo dhe kudo që mundet. Por sasia dhe kompleksiteti i krizave në rritje po teston këtë sistem si kurrë më parë. Sfida të reja, si ekstremizmi, po shtojnë rreziqet ndaj fëmijëve dhe po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë dhe të rrezikshme të arrihet te ta. Ndërkohë, grupe të armatosura po shënjestrojnë gjithnjë e më shumë shkollat, spitalet dhe shtëpitë dhe po i shkaktojnë vuajtje të pafajshmëve.
Zgjidhjet politike për këto konflikte janë mënyra më e sigurt për të ndaluar vuajtjen dhe për t’i sjellë fundin shkeljeve kaq të këqija të të drejtave të njeriut. Por, për të arritur rezultatin ideal, ne duhet të forcojmë kapacitetin e sistemit aktual humanitar për të arritur te fëmijët më shumë në rrezik.
Më shumë se 70 vjet më parë, liderët botërorë adresuan krizën humanitare të paprecedent pas luftës së dytë botërore duke krijuar institucione të reja për të ndihmuar menjëherë personat në nevojë. Këto entitete të reja globale hodhën bazat për një të ardhme të bazuar te bashkëpunimi, dialogu dhe rezultatet, në vend që fokusoheshin te konflikti, katastrofa dhe rrënojat.
Kjo ishte një pikë kthese në historinë botërore; ne kemi mbërritur tani te pika e ardhshme. Duhet të dëshmojmë të njëjtin shpirt të solidaritetit dhe kreativitetit sot si ai që frymëzoi brezat e mëparshëm, jo duke themeluar institucione të reja, por duke gjetur mënyra të reja për t’iu përgjigjur realiteteve të vështira të kohës sonë.
Si fillim, ne duhet që të nxisim inovacionin për të zgjeruar kapacitetin tonë për të arritur te fëmijët që u është ndërprerë ndihma në zonat e rrethuara apo në komunitetet e kontrolluara prej ekstremistëve. Ne duhet të eksplorojmë çdo opsion, siç është përdorimi i dronëve për të çuar ushqim dhe furnizime mjekësore nga ajri dhe të krijojmë aplikacione telefonike për të monitoruar nevojat dhe për të gjurmuar funizimet në terren, si dhe për të ruajtur sigurinë e punonjësve humanitarë. Ndërsa nuk do të ketë kurrë një zëvendësues për aksesin e sigurt dhe të pacenuar te ndihmat humanitare, ne duhet të eksplorojmë çdo alternativë të mundshme për të arritur te fëmijët në rrezik.
Më gjerësisht, ne duhet të bëjmë një punë më të mirë në koordinimin e qeverive dhe organizatave për të ofruar ndihmë afatshkurtër dhe afatgjatë më efikase dhe për të bërë çdo dollar të ketë vlerë. Me përkeqësimin e krizave kronike, ne duhet të maksimizojmë bashkëpunimin mes iniciativave humanitare dhe atyre të zhvillimit, sepse të dyja shkojnë dorë prej dore. Mënyra si i përgjigjemi emergjencave shtron themelin për zhvillim dhe stabilitet në të ardhmen dhe mënyra si ne investojmë në zhvillim mund të ndihmojë në krijimin e elasticitetit në emergjencat e ardhshme.
Së fundmi, ne duhet të ndryshojmë mënyrën si qeveritë kalibrojnë ndihmën kritike që ato ofrojnë për të përmbushur nevojat në ndryshim. Në vitet e fundit, teksa thirrjet për ndihmë janë shtuar, vendet që po kalojnë masa shtrënguese gjithnjë e më shumë justifikuan tkurrjen e dorës së ndihmës. Shumë donatorë i kanë përcaktuar fondet e tyre të ndihmës për qëllime të caktuara. Sigurisht, fonde të tilla gjithnjë do të jenë një mjet i domosdoshëm në përpjekjet humanitare dhe ato të zhvillimit; por në mjedisin e paparashikueshëm të sotëm, ofrimi i financimeve më freksible dhe më afatgjata është kritik.
Financimi “themelor”, siç njihet, jep mundësinë OKB dhe organizatave joqeveritare të reagojnë më shpejt në raste emergjencash dhe të planifikojnë më strategjikisht. Një financim i tillë na lejon të ofrojmë ndihmë që shpëton jetën kur njerëzit kanë më tepër nevojë, në vend që të duhet të presim që vendet të përgjigjen ndaj apeleve specifike humanitare. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për të adresuar krizat e harruara që media ka humbur.
Suedia ka qenë prej kohësh një mbrojtës i mbështetjes së tillë freksibël për organizatat e OKB, sepse ka rezultate të përmirësuara. Për këtë arsye, qeveria suedeze së fundmi vendosi të dyfishojë kontributin e vet të 2016 për fondet thelbësore të UNICEF. Tani që bota po punon bashkë për një agjendë të re globale, ne shpresojmë që kjo praktikë do të përhapet dhe do të frymëzojë edhe qeveri të tjera të ecin përpara drejt financimit me cilësi më të lartë për ndihmat humanitare dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Ne duhet të mbrojmë të drejtat, jetët dhe të ardhmen e fëmijëve më të pambrojtur në botë. Sa më shumë ta bëjmë këtë, aq më tepër ndihmojmë në vendosjen e të ardhmes sonë të përbashkët.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2017. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. Dark Days for Children