Lajm5 Dec 2019

‘Dosjet e mbyllura’, ONM kërkon apelim për prokurorin Besim Hajdarmataj

Ndryshe nga KPK, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit i faturon ish-kreut të Krimeve të Rënda hetimet e mangëta dhe rolin e dobët kontrollues në mbylljen e disa hetimeve, ndërsa ngre pikëpyetje për vendbanimin e tij në një apartament “të mbipopulluar nga familjarët”.

Autor: Aleksandra Bogdani BIRN Tiranë
Printo

Prokurori Besim Hajdarmataj. Foto: Gent Shkullaku/LSA

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit kërkoi të enjten apelim për ish-drejtuesin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj dhe një rihetim të thelluar të tij për kriterin e profesionalizmit dhe atë të pasurisë në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Sipas vëzhguesve ndërkombëtarë, vetingu për Hajdarmatajn nxorri në pah mangësi në një mori hetimesh të profilit të lartë si dhe paqartësi në fushën e pasurisë; të cilat nuk u adresuan në vendimin e datës 16 tetor 2019 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Rekomandimi i ONM-së zbulon se gjatë procesit të vetingut për Hajdarmatajn, KPK dhe vëzhguesit ndërkombëtarë u vunë në dijeni të disa denoncimeve, të cilat referonin çështje të profilit të lartë të hetuara nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, ajo e Kurbinit apo e Durrësit – në kohën që subjekti punonte si prokuror ose si drejtues në to.

“Ankesat ngrinin dyshime se çështjet ishin prishur me vullnet në këmbim të përfimeve financiare. Ndërkohë që akuzat për rryshfet mbeten për t’u provuar, është fakt që secila prej çështjeve paraqet mangësi,” thuhet në rekomandimin e ONM-së.

Besim Hajdarmataj u konfirmua në detyrë më 16 tetor nga trupa e kryesuar nga Brunilda Bekteshi, me relatore Suela Zhegu dhe anëtar Roland Ilia dhe u referua për procedim disiplinor për një hetim të mbyllur të vitit 2010. Vëzhgues ndërkombëtar në këtë proces ishte Ferdinando Buatier de Mongeot.

Me një relatim të shkurtër, KPK nuk bëri me dije asnjë problem të pasurisë dhe figurës në seancën publike, ndërkohë që renditi disa denoncime anonime që ngrinin dyshime për kontakte të papërshtatshme si dhe kalimin e barrës së provës për disa prej çështjeve të hetuara.

Ndryshe nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, vëzhguesit ndërkombëtarë ndalen gjatë në analizën e karrierës së Hajdarmatajt si prokuror dhe drejtues prokurorie, duke mos i kursyer kritikat veçanërisht për dështimin e hetimeve të trafikut të kanabisit në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Dosje të mbyllura

Rekomandimi i ONM-së për ta dërguar ish-kreun e Krimeve të Rënda sërish përballë vetingut bazohet në një hetim të mbyllur të vitit 2010, kohë kur ai kryente funksionin në Prokurorinë e Kurbinit, katër çështje të trafikut të kanabisit në Prokurorinë e Krimeve të Rënda si dhe vendimin e moskompetencës për hetimin e një gjyqtareje të Tiranës.

ONM shpjegon në rekomandim se në vitin 2010, Hajdarmataj pushoi hetimet ndaj drejtuesit të një grupi prej 13-15 personash, të cilët kishin kërcënuar një ekip të Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit pasi këta të fundit kishin sekuestruar 5 makineta APEX të përdorura për kumar ilegal në La֛ç. Pas kërcënimit të zyrtarëve, grupi i mësipërm i kishte vjedhur makinetat e lojërave të fatit dhe drejtuesi i grupit i kishte vazhduar shantazhet edhe përmes telefonit.

“Në korrik 2011, pas 14 muajsh të inercisë totale, subjekti vendosi të pushonte hetimin,” thuhet në rekomandimin e ONM-së, ku shtohet gjithashtu se personi ishte i identifikuar dhe çështja ishte gati për ngritje akuze.

Sipas vëzhguesve të ONM-së, gjetjet e KPK ndikojnë në kriterin e profesionalizmit, pasi provat kundër të dyshuarit ishin të forta, defektet në hetim ishin krejt të dukshme dhe vepra penale ishte serioze dhe alarmuese.

ONM e konsideron shpjegimin e Hajdarmatës si “artificial dhe të pabesueshëm” dhe kërkon që çështja të rishqyrtohet nga KPA.

E njëjta gjë kërkohet nga vëzhguesit ndërkombëtarë edhe për dosjen e sekuestrimit të 11 ton kanabis në periferi të Përmetit në prill 2017; hetim i cili pas lehtësimit të akuzave nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, u mbyll nga Gjykata e Përmetit me dënime për moskallëzim krimi dhe vjedhje energjie elektrike.

Ndonëse çështja e mësipërme nuk u hetua nga Hajdarmataj, ONM kritikon mosveprimin e tij në cilësinë e drejtuesit të Prokurorisë për një çështje që konsiderohet e ‘një serioziteti unik për nga sasia më e madhe e kanabisit e konfiskuar në Shqipëri”.

“Në të kundërt, hetimi ishte i ndrojtur, i shkurtër dhe pa asnjë strategji,” argumentojnë vëzhguesit ndërkombëtarë. Ata kundërshtojnë pretendimin e Hajdarmatës se si drejtues nuk mund të luante asnjë rol në çështjen konkrete, duke gjykuar se ishte e drejta dhe detyrimi i tij që të ushtronte kontroll mbi mënyrën se si po kryhej hetimi.

ONM kritikon edhe Komisionin e Pavarur të Kualifikimit për derivim nga konkluzioni fillestar, me justifikimin se defektet e evidentuara në hetim nuk duhej të ishin pjesë e vetingut për drejtuesin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Mosdakordësi të ngjashme me përfundimin e KPK-së përsëriten në rekomandim edhe për një çështje të dytë që lidhej sërish me akuza të trafikut të drogës, për të cilën Hajdarmataj kritikohej për mosushtrim të kompetencave si drejtues i zyrës për kontroll.

Objekt i apelimit është edhe vendimi për shpallje moskompetence në vitin 2013 në cilësinë e drejtuesit të Prokurorisë së Durrësit për hetimin e një gjyqtareje që akuzohej për shpërdorim detyre.

Pikëpyetjet mbi vendbanimin

Prokurori Besim Hajdarmataj nuk deklaron asnjë pasuri të paluajtshme dhe në përgjigje të një pyetësori të KPK-së, pohoi se jetonte si mik në shtëpinë e blerë nga dy vëllezërit me njërin prej tyre, familjen e tij, nënën dhe motrën. Sipas shpjegimeve të prokurorit, apartamenti ishte blerë për 52 580 euro nga vëllai që jeton në Mbretërinë e Bashkuar dhe vëllai tjetër që jeton në Tiranë, ndërkohë që ai vetë kishte kontribuar me 100 mijë lekë për mobilimin e dhomës ku qëndronte.

ONM ngre dyshime mbi vendbanimin e Hajdarmatës në këtë “ambient të mbipopulluar”, ndërsa shton se ai nuk ka provuar përtej çdo dyshimi me dokumentacion ligjshmërinë e burimeve të vëllezëve si dhe mënyrën e transferimit të parave nga Britania e Madhe në Shqipëri për blerjen e apartamentit.

“Marrëdhënia e subjektit me këtë pronë duhet sqaruar më tej, në të kundërt të konkluzionit të KPK mbi proporcionalitetin,” thuhet në rekomandimin e ONM-së, ku theksohet se proporcionaliteti nuk duhet të çojë në kufizimin e hetimit.

ONM evidenton gjithashtu se Hajdarmataj rezultoi me balancë negative për vitet 2010-2013 në vlerën e 980 mijë lekëve dhe nuk solli prova për këtë mangësi, ndërkohë që verifikime të mëtejshme kërkohen edhe për një policë sigurimi në emër të subjektit për një automjet.

“I pyetur nga KPK, ai fillimisht mohoi të kishte lidhje me makinën dhe më pas dështoi të shpjegonte lidhjen me këtë automjet,” thuhet në rekomandimin e KPK-së.

Për arsyet e cituara më sipër, vëzhguesit ndërkombëtarë kërkojnë një rishikim tërësor të çështjes së Hajdarmatës në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.