Lajm14 Apr 2018

Dy ditë, dy vdekje në minierat e Bulqizës dhe të Klosit

Dy minatorë u vranë në dy aksidente të ndryshme në 48 orët e fundit në Bulqizë dhe Klos. Tre persona u arrestuan për aksidentin e të premtes.

Autor: Hysen Likdisha, Sami Curri BIRN Bulqizë
Printo

Miniera e Bulqizës. Foto:Sami Curri.

Dy minatorë u vranë në dy aksidente të ndryshme në 48 orët e fundit në Bulqizë dhe Klos.

Sipas policisë aksidenti i parë ndodhi ditën e premte në një galeri kromi pranë qytezës së Klosit, në galerinë nr.4 në zonën e njohur nga minatorët si “Lugu i Madh”. Një minator 57 vjeçar, të cilit policia iu referua me inicialet P.M., humbi jetën gjatë një aksidenti me lëndë shpërthyese. Dy minatorë të tjerë dhe një teknik miniere u ndaluan nga policia, e cila po heton shkakun e vdekjes.

Të shtunën pasdite, një aksident i dytë me vdekje u shënua në Bulqizë në një nga galeritë private në afërsi të pusit nr.41. Angjelosh Shahini, minator 37 vjeç me detyrë zjarrmëtar humbi jetën. Zjarrmëtari është personi që instalon lëndët plasëse në galeri për të thërrmuar mineralin.

Për të dyja aksidentet, policia nuk bëri të ditur emrin e kompanisë ku ndodhën vdekjet.

Gjatë muajve të fundit, 6 minatorë kanë humbur jetën në zonën e minerave të kromit në Klos dhe Bulqizë. Hetimet e aksidenteve të tilla kanë zbuluar shpesh se sipas autoriteteve, viktimat kanë qenë vetë fajtore pasi kanë punuar “pa autorizim” në pjesë të ndaluara të galerive.

Kromi është minerali më i rëndësishëm i Shqipërisë nga pikëpamja ekonomike. Aktualisht ka rreth 110 kompani të licencuara për të shfrytëzuar rezervat e kromit në zonën e Bulqizës. Të dhënat e fundit të disponueshme tregojnë se vlera e kromit të nxjerrë në Bulqizë dhe të eksportuar, kryesisht në Kinë, arrin në rreth 100 milionë euro në vit.