Opinion30 Sep 2019

E ardhmja e Europës varet nga rindërtimi i demokracive të saj

Ndërsa ekipi i ri drejtues i BE-së bëhet gati të përballet me sfidat e reja në pesë vitet e ardhshme, blloku ka nevojë të rimendojë se ç‘do të thotë vërtet pjesëmarrje politike.

Autor: Rosa Balfour BIRN Bruksel
Printo

Flamuri i BE-së. Foto ilustruese Pixabay.

Situata është qetësuar përfundimisht nga zgjedhjet e Parlamentit Europian të mbajtura në maj.

Frika e rritjes së populistëve dhe nacionalistëve nuk u realizua. Gara për postet kryesore të bllokut pothuajse ka mbarua. Ndërsa liderët e rinj të Komisionit Europian duhet ende të kalojnë audicionet muajin tjetër, BE-ja ka gati një ekip për ta drejtuar atë gjatë pesë viteve të ardhshme.

Këto vite ka të ngjarë të jenë po aq të turbullta dhe të vështira sa gjysma e dekadës së fundit.

Edhe nëse BE-ja dhe vendet anëtare të saj janë të afta të përballojnë stuhitë trazuese – nga një luftë tregtare SHBA-Kinë deri te rritjea e tensioneve në Lindjen e Mesme – arsyet për problemet e fundit të Europës nuk duhet të harrohen.

Vetëm nëpërmjet reflektimit BE-ja mund të rinovojë qëndrimin e saj në Europë dhe pjesën tjetër të botës.

Të mendosh për të ardhmen e Europës gjithashtu do të thotë të shikosh jetën e saj demokratike. Një pasion për të punuar së bashku mund të vijë vetëm përmes pjesëmarrjes politike dhe një sensi të përbashkët qëllimi.

Të gjitha janë gërryer, së bashku me një dobësim të shoqërive dhe institucioneve demokratike. Shikoni Hungarinë, Poloninë, Italinë dhe Britaninë për shembuj të gjallë të demokracive të dëmtuara nga sfidat e kohës sonë.

Për të qenë të sigurt, demokracia ka funksionuar keq në botën perëndimore. Pas dekadash përmirësimesh, vitet 2010 dhanë “pengesën më të ashpër demokratike” që nga lindja e fashizmit para Luftës së Dytë Botërore, sipas fjalëve të shkencëtarit politik amerikan Ronald Ingelhart.

Arsyet janë të shumta dhe komplekse.

Ideologjia e neoliberalizmit privoi qeveritë nga aftësia e tyre për të menaxhuar globalizimin, me sloganin e ish-kryeministres britanike Margaret Thatcher “nuk ka asnjë alternative” që shërbente si një justifikim për çrregullimin.

Një pasojë ka qenë ulja e shtetit të mirëqenies dhe presioni mbi aftësinë e qeverive për të ofruar shërbime themelore, e cila në momentet e rritjes së ngadaltë ose tkurrjes ekonomike ka përkeqësuar pabarazinë në të gjithë klubin e OECD të kombeve të pasura.

Duke vënë në dukje se nacionalizmi, globalizimi dhe demokracia nuk mund të ekzistojnë të gjitha në të njëjtën kohë, ekonomisti Dani Rodrik shkroi në “Paradoksi i globalizimit” se “hiper-globalizimi kërkon tkurrjen e politikave të brendshme dhe izolimin e teknokratëve nga kërkesat e grupeve popullore”.

Gjendja e demokracisë është gjithashtu në rënie për shkak të qeverisjes së keqe, korrupsionit dhe abuzimit të institucioneve demokratike.

Pjesë të Europës kanë parë konsolidimin e demokracisë maxhoritare, me disa vende që i drejtohen autoritarizmit. Hapësira për opozitë po zvogëlohet mes përplasjeve të lirive të mediave dhe denigrimit të shoqërisë civile.

Puna e organizatave joqeveritare – për shembull, në mbështetjen e refugjatëve – është penguar përmes mjeteve ligjore dhe financiare, si dhe nga politikat e reja të mbikëqyrjes të futura në emër të luftës kundër terrorizmit.

Ndërkohë, fuqia gjithnjë e më e përqendruar e mediave populiste dhe të krahut të djathtë – përfshirë mediat në pronësi të politikanëve dhe miqve të tyre oligarkë – ka ndihmuar në delegjitimizimin e shoqërisë civile.

Këto tendenca janë të përhapura, edhe nëse ato nuk shfaqen në mënyrë të barabartë në të gjithë vendet.

Një zhvendosje në vendimmarrje

Presidentja e re e Komisonit Europian Ursula Von Der Leyen. Foto: http://www.europarl.europa.eu

Europa është në situatën e veçantë e pasjes  së disa prej demokracive më të mira duke parë një tërheqje domethënëse demokratike.

Kontinenti gjithashtu ka vende që ende po bëjnë kalimin drejt demokracisë. Për këtë arsye, shembulli i vendosur në një vend mund të ketë pasoja për fqinjët e tij.

Europianizimi ka përfshirë një transferim të fuqive vendimmarrëse larg nga niveli kombëtar ku zhvillohet kryesisht jeta demokratike.

Edhe pse e shoqëruar nga një zgjerim i kompetencave të Parlamentit Europian, vendimmarrja përfaqësuese, e përgjegjshme dhe demokratike në nivel mbikombëtar është ende në kërkim.

Vendimmarrja e përbashkët ka lejuar BE-në të jetë inovative dhe të ketë marrëdhënie të mirë me anëtarët e saj individual. Ajo ka ndihmuar vendet anëtare të menaxhojnë së bashku globalizimin. Por kjo vjen me një kosto, e cila tani është e dukshme.

Qeveritë e BE-së kanë marrë prej kohësh vendime në bazë të “konsensusit të lejueshëm”, i cili lejonte pak diskutime me publikun.

Por 10 vitet e kaluara kanë parë kriza njëra pas tjetrës së bashku me një politizim të çështjeve – tregtinë, menaxhimin e Eurozonës, emigracionin, sigurinë – të cilat më parë janë trajtuar nga përfaqësuesit e qeverive kombëtare në bashkëpunim me partnerët e tyre.

Me prishjen e konsensusit lejues, u hap vend për të kontestuar vlefshmërinë e BE-së dhe elitave të saj.

Kështu lindën zërat populistë anti-BE dhe autoritarë. Kështu ndodhi edhe Brexit. Dhe lindën pyetje për themelet e demokracive tona dhe qenies sonë së bashku.

Për të gjitha gabimet e BE-së, erozioni më serioz i demokracisë ka ndodhur në nivelin kombëtar, megjithëse jo në mënyrë uniforme në të gjithë kontinentin (i cili mbetet shtëpia e disa prej demokracive më të përparuara në botë).

Institucionet kombëtare janë gërryer. Në shumë vende, parlamentet kombëtare janë të dobët në shqyrtimin e legjislacionit të BE-së. Të rralla janë debatet publike që mbahen për çështje pan-Europiane.

Në nivelin lokal, europianizimi ka korresponduar me përpjekjet për të forcuar fuqitë federale dhe lokale përmes decentralizimit dhe subsidiaritetit. Por këto kanë qenë të suksesshme në mënyrë të pabarabartë.

Ndërkohë që e gjithë kjo ka çuar në një dinamikë të re, veçanërisht kur zonat urbane janë fuqizuar për të menaxhuar çështjet e tyre, transferimi i kompetencave tek autoritetet lokale ka qenë i kufizuar nga shtrëngimet dhe shkurtimet e buxhetit. Kjo e ka bërë më të vështirë që administratat lokale të ofrojnë shërbime jetësore siç janë mirëqenia, arsimi, shëndetësia dhe strehimi.

Hapësira për vendimmarrje gjithashtu është transformuar dhe shpërngulur pasi ndikimet e vendimeve të politikës ndihen përtej kufijve kombëtarë.

Shumica e politikave tani kanë një dimension transnacional që tejkalon vetë BE-në. Emigracioni, ndryshimet klimatike dhe lufta kundër terrorizmit janë shembuj të dukshëm.

Strehimi, arsimi dhe mirëqenia janë politika që shpesh menaxhohen në nivel lokal, por kontrolli i emigracionit, i cili ka ndikim në nevojat për strehim, gjithnjë e më shumë konsiderohet politikë e jashtme që duhet t’i delegohet shteteve të treta, falë pamundësisë së BE-së dhe shteteve të saj anëtare për të reformuar politikat e emigracionit dhe integrimit.

Kush është përgjegjës?

Ndërtesa e Bashkimit Europian në Bruksel. Foto ilustruese: Pixabay.

Menaxhimi i kompleksitetit të politikës bashkëkohore kërkon vendimmarrje të bashkuar për çështje transnacionale.

Por këto përpjekje janë dëmtuar nga paaftësia e organizatave politike për të përshtatur diskutimin demokratik në një qeverisje të tillë me shumë nivele, nga e cila BE-ja është shembulli më i përparuar në të gjithë botën.

Kush vendos? Kush ka legjitimitetin për të vendosur? Kush është përgjegjës?

Këto janë pyetje që duhet të trajtohen nga lidershipi i ardhshëm i BE-së. Nuk është e nevojshme të bëhen shpikje të mëdha, pasi ka shumë nisma dhe eksperimente frymëzuese që po zhvillohen në të gjithë kontinentin.

Gjithnjë e më shumë, politika të suksesshme bëhen nga një mori aktorësh që punojnë në nivele të ndryshme: BE-ja, institucionet kombëtare dhe në nivel kombëtar, sektori privat, OJQ-të dhe shoqatat e qytetarëve.

Marrëveshja e Parisit për ndryshimet klimatike ishte aleanca globale më e suksesshme e shoqërive lokale të mobilizuara dhe institucioneve kombëtare, ndërqeveritare dhe shumëpalëshe.

Dëgjimi i të gjitha pikëpamjeve dhe gjetja e zgjidhjeve përmes dialogut dhe konfrontimit ka qenë gjithmonë mënyra e të bërit politikë. Dikur kjo ishte e përqendruar në qeveri, fabrikë dhe punëtorë. Tani që shoqëria është më e fragmentuar, procesi duhet të sjellë shumë më tepër zëra.

BE-ja është e vendosur mirë për ta bërë këtë, pikërisht sepse është e aftë për të trajtuar kompleksitetin. Por ajo duhet të përkthejë disa nga qëllimet e saj të mira, siç janë mbajtja e këshillimeve me qytetarët, në një veprim kuptimplotë.

Në vend që të mbledhë mendime për çështje nga më të ndryshmet, ajo duhet t’i shndërrojë ato në çështje pan-Europiane për të debatuar politika konkrete, duke sjellë aktorë të duhur dhe duke lënë mënjanë justifikimet politike për zgjedhje të politikave.

Ka fusha të shumta në të cilat kjo mund të bëhet, duke filluar me luftimin e ndryshimeve klimatike – një temë që tashmë ndez pasione dhe mobilizon rrjete.

Këto metoda, kur drejtohen siç duhet dhe me përfshirjen e qeverisjes shumëplanëshe të BE-së, mund të gjejnë zgjidhje gjithëpërfshirëse për sfidat konkrete të politikës, ndërsa i japin jetë të re politikave demokratike.

Forcimi i politikave poshtë-lart mund të tingëllojë paradoksale, kur era po fryn në drejtimin e kundërt, drejt forcimit të BE-së në krye në mënyrë që ajo të mund të tregojë muskujt e saj me liderët e tjerë botërorë.

Por forca e BE-së qëndron në jetën gjithëpërfshirëse, demokratike dhe të begatë. Kjo nuk duhet të harrohet.

Mendimet e shprehura në seksionin e Opinioneve janë vetëm ato të autorit dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.