Sondazhi kombëtar i Institutit të Statistikave mbi buxhetin e familjeve sugjeron se konsumi u rrit me 3.4% gjatë vitit të kaluar duke arritur në mesatarisht 76 mijë lekë. Mbi 44% e shpenzimeve shkojnë për ushqime ndërsa 10 përqindëshi i pasur ka konsum për frymë tre herë më të lartë se sa pjesa tjetër e popullsisë.
Familja tipike shqiptare përbëhet nga 3.7 anëtarë dhe ka një konsum mesatar prej 76 mijë lekësh, ose afro 24 mijë lekë për frymë, bëhet e ditur nga të dhënat e Anketës së Konsumit të Familjeve të përgatitur nga Instituti i Statistikave për vitin 2018.
Sipas rezultateve të sondazhit, shqiptarët shpenzuan 44% të të gjithë buxhetit të vet familjar për konsum ushqimor ndërsa në krahasim me vitin 2017, shqiptarët shpenzuan më shumë para për riparime banesash dhe për shërbime shëndetësore si dhe më pak para për arsim, argëtim dhe kulturë si dhe restorante e hotele.
Shpenzimet për ushqime u rritën në 33 mijë lekë për famije në muaj, nga afro 32 mijë që ishin në vitin 2017.
Rajoni më i pasur në Shqipëri vijon të jetë Tirana me konsum 89 mijë lekë në muaj për familje ndërsa rajoni më i varfër është Dibra me konsum 58 mijë lekë për familje.
Ndërsa familja në Shqipëri ka mesatarisht 3.7 anëtarë, në Kukës familja ka mesatarisht 4.4 anëtarë ndërsa në Gjirokastër dhe Vlorë familjet kanë mesatarisht vetëm 3.3 anëtarë.
Mbi 90% e të gjitha familjeve shqiptare kanë konsum mesatar për frymë prej vetëm 20 mijë lekë në muaj ndërsa dhjetë përqindëshi i pasur ka një konsum mesatar për frymë prej 60 mijë lekësh.
Instat raporton gjithsesi një reduktim surprizë të pabarazisë gjatë vitit 2018.
“Shpenzimet mesatare për konsum të NjEF-ve tregojnë se në vitin 2018 ka pasur një ulje prej 19,6 % të shpenzimeve të 10 % të NjEF-ve me shpenzimet më të larta dhe një rritje prej 9,5 % të shpenzimeve mesatare për konsum të 90 % tjetër, në krahasim me vitin 2017. Si rrjedhim, raporti i decileve në 2018, për këtë tregues, paraqet një ulje të pabarazisë nga 2,4 në 1,7, krahasuar me 2017,” thuhet në njoftim.