Blog2 Sep 2021

Fitorja e palumtur e Edi Ramës

Kryeministri Edi Rama pretendoi në fjalimin e tij të shpalljes së qeverisë, se socialistët nuk duan të jenë thjeshtë një grup pazarxhinjsh, por u pëlqen edhe të jenë një lloj “skuadre futbolli” apo një lloj forumi debati shoqëror. Vetë fakti që ai detyrohet të mbrojë veten me një debat të tillë, tregon se partia e tij e ka të pamundur të bindë ndokënd përveçse me para.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Kryeministri Edi Rama duke pritur kolegët e Ballkanit Perëndimor në Tiranë më 10 qershor 2021. Foto arkivë: LSA

Të nevojiten nerva të çelikta dhe vëmendje të madhe për të dëgjuar fjalimin e Edi Ramës [link], në mënyrë që të arrish të dallosh faktet nga letrarizmat, të cilat u përdorën me bollëk, dukshëm për shkak se ajo çfarë Rama dëshironte të thoshte, nuk është shumë e këndshme. Rama u përpoq të mbrojë legjitimitetin e fitores së mandatit të tij të tretë, të realizuar përmes një  makinerie elektorale që ushqehet me abuzim me pushtetin, duke përzierë justifikime me kritika për të vetët dhe duke këmbëngulur se PS në të ardhmen duhet të jetë diçka më shumë se sa një grup interesi. Stërhollimet e fjalive që zgjateshin pa fund e bënin fjalimin e tij një rebus që vetëm ata që kanë interesa të mëdha të lidhura me politikën e tij do ta marrin mundimin ta dëgjojnë për herë të dytë, të tretë apo të katërt, me shpresë se do të arrijnë të kuptojnë se çfarë po dëshiron ai të thotë.

Ja një fjali tipike:

“Nuk mund t’i shkojë një figurë dhe t’i predikojë anëtarëve të partisë për demokracinë nëse figura lidhet me të kundërtën e atyre që u kërkon të tjerëve. Sepse në ato kushte figura duket thjeshtë një spiker në radio që ka ardhur për të mbaruar punë ndërkohë që punët e veta i ka bërë ekzaktësisht ashtu siç predikon se nuk duhet të kërkojnë që t’i vënë të tjerët.”

Ose:

“Duhet të alarmohemi nëse nuk duam që papritur ta shikojmë fundin e hegjemonisë politike të Partisë Socialiste duke u përplasur me boshllëkun që pashmangshmërisht do të shfaqet një ditë për shkak të mungesës fatale të një ndjenje të brendshme përkatësie të njerëzve me këtë parti përtej interesit të tyre vetjak që është shumë i rëndësishëm, por nuk mund të jetë arsyeja e vetme se pse njerëzit i përkasin një partie.”

Sipas Ramës, makineria politike ka rëndësi “të patjetërsueshme në funksion të fitores së zgjedhjeve” dhe se “një parti e madhe që nuk fiton dot zgjedhjet, nuk vë dot në jetë ato për të cilat është krijuar”.

Me pak fjalë, ai po thotë se makineria, e cila konsiston në as më pak e as më shumë se sa thjeshtë dhe vetëm shtrëngimin e votuesve për të votuar partinë për një vend pune, për një leje ndërtimi, apo për një dokument legalizimi, është e domosdoshme për fitoren e zgjedhjeve. Zgjedhjet nuk fitohen dot me një platformë qeverisjeje, me prezantimin te votuesit të një programi dhe me bindjen e votuesit se kjo parti është alternativa më e mirë për vendin; jo, është makineria ajo që është “e patjetërsueshme” për të fituar.

Dhe pasi tha këtë, Rama u rrek të bindë të vetët se partia nuk mund të jetë “një moçal interesash të rretheve të privilegjuara”, sepse një praktikë e tillë “i këput lidhjet e saj me ngrehinën e bindjeve morale dhe parimore të zgjedhësve”.

Sipas Ramës, PS mund të përballet një ditë me një “boshllëk” sepse njerëzit kanë atë që ai e quajti “mungesë fatale” të “ndjenjës së brendshme të përkatësisë përtej interesit vetjak”. Me pak fjalë, Rama po na thotë se në Partinë Socialiste ka një grusht njerëzish që nuk kanë kurrfarë lidhjeje me partinë përveç interesit vetjak.

Rama pranoi se, hë për hë, socialistët [dhe dukshëm politika në përgjithësi në Shqipëri], janë një grup interesi dhe jo parti politike.

Ai shpjegoi më tutje se si dëshiron ai të jetë një parti politike, duke e krahasuar atë me një lloj “skuadre futbolli” apo grupi arti [nënkupto: bandë muzikore], të cilën njerëzit e ndjekin nga pas, jo për interes, por se janë tifozë, apo fansa. Sipas Ramës, interesi vetjak i njerëzve “është shumë i rëndësishëm, por nuk mund të jetë arsyeja e vetme se pse njerëzit i përkasin një partie.” Megjithatë ai pranoi se ndryshe nga skuadra e futbollit, për një parti politike është e vështirë t’i bindë njerëzit ta ndjekin nga pas në kushtet e mungesës së interesit.

Por Rama pretendoi se ka në plan ta reformojë politikën e partisë së tij për ta kthyer atë në një forum ku farkëtohen ide mbi qeverisjen. Rama, i cili gjatë të gjithë fushatës zgjedhore refuzoi të diskutojë çfarëdolloj platforme politike por e menaxhoi fushatën me shashka dhe cirk, shpreh pakënaqësi me faktin që politika e tij është vetëm kaq, shashka dhe cirk.

Kanë kaluar katër muaj nga mbarimi i zgjedhjeve dhe sot Rama shpalli kabinetin e tij qeveritar. Por katër muaj pas zgjedhjeve, Rama nuk ka një plaformë qeverisëse dhe deri më sot, premtimet e tij kryesore kanë qenë se si të japë më shumë koncesione, koncesione që dukshëm financojnë makinerinë e tij elektorale.

Pa një program qeverisës, nuk është e qartë se ndaj kujt i ankohet kryeministri se pse partia e tij është bërë një kënetë interesash dhe se pse njerëzit nuk binden dot me asgjë përveçse me ndonjë vend pune.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *