
Këshilli i Lartë Gjyqësor, KLGJ refuzoi të martën më 9 qershor refuzimin e kërkesave të komisionerëve publikë, Florian Ballhysa dhe Irena Nino për caktimin në pozicionin gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Juridiksionitt ë Përgjithshëm. Pas përfundimit të mandatit të institucionit të Komisionerëve Publikë në dhjetor të vitit 2024, dy komisionerët Florian Ballhysa dhe Irena Nino, ju drejtuan KLGJ-së me kërkesë, për caktimin e tyre si gjyqtar në Apel.
Duke iu referuar Aneksit të Kushtetutës, ku përcaktohet se “gjatë ushtrimit të mandatit të tyre, anëtarët e Komisionit dhe komisionerët publikë gëzojnë statusin e anëtarit të Gjykatës së Lartë”, Ballhysa dhe Nino kërkuan që ashtu si përcaktohet në legjislacionin e posaçëm për anëtarët e Gjykatës së Lartë, të cilët në përfundim të mandatit kanë të drejtën të caktohen si gjyqtarë në Gjykatën e Apelit, të caktohen edhe ata në këtë detyrë. Sipas nenit 62 të ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në fund të mandatit si gjyqtar në Gjykatën e Lartë, si Prokuror i Përgjithshëm ose në raste të tjera, ku ligji parashikon të drejtën për t’u caktuar në një pozicion në nivel apeli, magjistrati ka të drejtë për t’u caktuar në pozicionin e parë që publikohet i lirë, në nivel apeli.
Rreth 20 muaj pas depozitimit të kërkesës, KLGJ e shqyrtoi atë në seancë publike. Sipas raportit të Komisionit të Zhvillimit të Karrierës, nuk është përcaktuar në ligj që komisionerët publik të emërohen në Gjykatën e Apelit, ashtu si përcaktohet për anëtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Po ashtu, u vlerësua se statusi i anëtarit të Gjykatës së Lartë, është gëzuar nga komisionerët gjatë ushtrimit të mandatit, por se kjo ka qenë kufizuar deri në përfundimin e mandatit.
Sipas KLGJ, nga ligjvënësi nuk është përcaktuar që komisionerët publikë të emërohen në Apel. Për rrjedhojë, u vendos rrëzimi i kërkesës së tyre. Vendimi i KLGJ-së është i ankimueshëm.
Komisioneri Publik, Florian Ballhysa kreu studimet pranë Fakultetit Juridik të Universitetit të Tiranës, ku u diplomua si jurist në vitin 2001. Në vitin 2008, fitoi titullin “Master në Studime Evropiane” nga Universiteti i Tiranës. Ai ka ushtruar profesionin e avokatit, si dhe është angazhuar si këshilltar ligjor dhe konsulent i pavarur. Prej vitit 1999, Ballhysa ka qenë anëtar i asamblesë, anëtar i bordit dhe kryetar i Asamblesë të Komitetit Shqiptar të Helsinkit. Në vitin 2017, ai u zgjodh nga Kuvendi si Komisioner Publik, funksion që e ushtroi deri në dhjetor të 2024-ës.
Komisionerja Publike, Irena Nino Kreu studimet e saj universitare në Universitetin e Tiranës, dega Drejtësi, ku u diplomua juriste në vitin 1985. Ajo ka punuar 20 vjet në sistemin e prokurorisë, si dhe ka qenë anëtare e Komisionit të Pavarur të Monitorimit të Reformës në Drejtësi, e zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë. Në vitin 2021, Nino u zgjodh në detyrën e Komisioneres Publike.






