
Analizat laboratorike kanë konfirmuar praninë e ndotjes fekale në ujin e pijshëm që furnizon qytetin e Gostivarit në perëndim të Maqedonisë së Veriut, njoftuan të martën prokurorët lokalë.
Gjetjet, të publikuara nga Prokuroria Themelore e Gostivarit, duket se vërtetojnë se furnizimi me ujë i qytetit lidhet me epideminë e sëmundjeve gastrointestinale që ka mbingarkuar shërbimet shëndetësore lokale që nga java e kaluar.
Të hënën, policia ndaloi drejtoreshën e ndërmarrjes publike lokale të ujësjellësit, Artana Asani, si dhe dy drejtues të tjerë, lidhur me shpërthimin e epidemisë që deri më tani ka prekur më shumë se 3,000 persona.
Prokuroria e Gostivarit njoftoi se tre të dyshuarit po hetohen për veprën penale të “krimeve të rënda kundër mjedisit dhe natyrës përmes ndotjes së ujit të pijshëm”.
“Sipas dyshimeve, të dyshuarit, duke vepruar së bashku në cilësinë e tyre zyrtare, e bënë të papërdorshëm ujin e pijshëm në sistemin që furnizon Komunën e Gostivarit dhe disa fshatra përreth, duke futur në të substanca të dëmshme”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Hetimet paraprake dyshojnë se ndotja ndodhi pasi kompania e ujësjellësit, në përpjekje për të rritur kapacitetin e furnizimit gjatë muajit të kaluar, lidhi pompa shtesë me sistemin ekzistues, të cilat tërhoqën ujë nga një burim sipërfaqësor i pasigurt.
Sipas Prokurorisë, analizat laboratorike të kryera nga Instituti i Shëndetit Publik zbuluan ndotje fekale në rrjetin e ujësjellësit, duke përfshirë përqendrime jashtëzakonisht të larta të baktereve koliforme dhe praninë e bakterit Escherichia coli (E. coli), çka tregon ndotje me lëndë fekale njerëzore ose shtazore dhe e bën ujin të pasigurt për konsum.
Para arrestimit të saj, drejtoresha e ujësjellësit, Artana Asani, kishte këmbëngulur javën e kaluar se shpërthimi i sëmundjes në qytet nuk ishte shkaktuar nga uji, por nga helmimi me ushqim. Megjithatë, autoritetet identifikuan ujin e pijshëm si shkaktarin më të mundshëm, duke pasur parasysh përmasat e mëdha të epidemisë.
Shpërthimi ka çuar më shumë se 3,000 persona në spitale dhe klinika me simptoma si dhimbje të forta të barkut, diarre, të vjella dhe nauze, duke e bërë atë një nga incidentet më të mëdha të regjistruara të sëmundjeve të shkaktuara nga uji në Maqedoninë e Veriut në dekadat e fundit.
Ministria e Shëndetësisë ka paralajmëruar se numri i pacientëve të rinj ende nuk po bie dhe aktualisht regjistrohen rreth 200 deri në 300 raste të reja në ditë.
Ndërkohë, uji i rubinetit në qytetin me rreth 80,000 banorë, rreth 65 kilometra në perëndim të kryeqytetit Shkup, mbetet i papërdorshëm. Autoritetet komunale dhe shtetërore kanë dërguar kamionë me ujë të ambalazhuar për nevojat e banorëve.
Ministria e Shëndetësisë deklaroi të hënën se disa nga ndotësit e gjetur në sistem nuk janë të lehtë për t’u eliminuar, ndaj ndalimi i përdorimit të ujit të rubinetit për pije ka të ngjarë të mbetet në fuqi edhe për ca kohë.
Ngjarja ka shkaktuar zemërim të gjerë në opinionin publik, ndërsa banorët po pyesin se si një ndotje e këtyre përmasave mund të ketë kaluar pa u vënë re derisa u sëmurën me mijëra njerëz.
Kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, të hënën mohoi çdo përgjegjësi për krizën, duke thënë se ai nuk kishte asnjë rol në menaxhimin e ndërmarrjes së ujësjellësit.
“Nuk ndiej asnjë përgjegjësi morale, sepse ndërmarrja publike komunale ‘Komunalec’ është një person juridik i veçantë që menaxhon dhe administron sistemin e furnizimit me ujë. Përndryshe, qytetarët që më njohin e dinë se, po të kishte qenë situata ndryshe, unë me siguri do të isha i pari që do të jepja dorëheqjen”, tha Limani.






