
Gjykata e Lartë bëri me dije të martën më 21 korrik, shtatë kandidatët për tre vende të anëtarëve magjistratë në Këshillin e Lartë Gjyqësor, KLGJ, pas përfundimit të mandatit 5-vjeçar të tre anëtarëve aktualë nga radhët e gjyqtarëve, Klodian Kurushi, Ridvan Hado dhe Irena Plaku. Të shtatë gjyqtarët që kanë shfaqur interes, ka rezultuar se plotësojnë kushtet ligjore për t’u zgjedhur anëtarë të KLGJ-së. Konkretisht, do të zgjidhet një anëtar nga gjyqtarët kandidatë nga Gjykata e Lartë, një nga Apeli dhe një nga shkallët e para.
Sipas njoftimit, për vendin në KLGJ që do të plotësohet nga Gjykata e Lartë, kandidojnë gjyqtarët Arbena Ahmeti dhe Sandër Simoni; nga shkallët e dyta kandidojnë gjyqtarja Igerta Hysi e Gjykatës së Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e dhe gjyqtari Fatri Islamaj i Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, ndërsa nga GJykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, garojnë tre gjyqtaret Manjola Xhaxho, Matilda Llangozi dhe Brunilda Kadi.
Po ashtu, Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi shpalli datën 25 shtator, në orën 10:00, për të zhvilluar Mbledhjen e Përgjithshme të Gjyqtarëve, për zgjedhjen e anëtarëve të KLGJ-së.
Këshilli i Lartë Gjyqësor përbëhet nga 11 anëtarë, gjashtë prej të cilëve janë gjyqtarë, ndërsa pesë përzgjidhen nga radhët e juristëve të spikatur.







