Një artiste nga Kosova nuk u lejua të fuste në Serbi fotografi që tregojë simbole të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, imazhe që do të përdoreshin për një ekspozitë në Beograd që synon promovimin e marrëdhënieve më të mira Kosovë-Serbi.
Artistja kosovare Eliza Hoxha nuk u lejua të sillte disa fotografi dhe një katalog ekspozite që tregon flamujt e Kosovës dhe Shqipërisë dhe simbolet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Serbi të mërkurën.
Hoxha ishte midis disa artistëve të Kosovës të cilët u ndalën për dy orë në kufi ndërsa udhëtonin drejt Beogradit për festivalin e këtij viti “Mirëdita, Dobar Dan!”, i cili hapet të mërkurën në mbrëmje dhe synon të krijojë një shkëmbim kulturor midis artistëve nga Kosova dhe Serbia.
Kushtrim Koliqi, drejtori i Integra, një nga OJQ-të që organizon festivalin, tha se incidenti në kufi tregon se dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja midis Kosovës dhe Serbisë në Bruksel është një fiasko.
“Të gjithë ata që sponsorizojnë dialogun duhet ta marrin këtë rast si një shembull që asgjë nuk ka ndryshuar, përveç faktit që disa politikanë burokratë po takohen në Bruksel dhe po nënshkruajnë dokumente të pavlefshme,” tha Koliqi.
“Për një moment mu kujtuan radhët e civilëve kosovarë para dhe gjatë luftës duke u radhitur e keqtrajtuar nga njerëz që bartnin uniforma sikurse këta sot,” shtoi ai.
Hoxha, një artiste e mirënjohur e multi-medias, e cila ka punuar si fotoreportere për një gazetë kosovare në vitet 1990, u tha gazetarëve që po udhëtonin me artistët se “këto fotografi nuk janë të sajuara, por një realitet me të cilin duhet të përballemi 20 vjet pas luftës”.
Sofija Todoroviç, nga Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut, një nga OJQ-të që organizon festivalin, tha se policia serbe “s’i la fotografitë të hynin në Beograd sepse ato tregojnë flamurin e Kosovës”.
“Fotot janë një ekspozitë artistike që tregon realitetin e asaj që ndodh në Kosovë, ato nuk janë një dokument politik,” tha Todoroviç për BIRN.
Liderët politikanë të Kosovës e dënuan vendimin e autoriteteve serbe për të penguar fotografitë.
“Kjo sjellje e autoriteteve serbe është në kundërshtim me frymën e bashkëpunimit që ne po ndërtojmë në rajon dhe në kundërshtim me përpjekjet për të vendosur marrëdhënie europiane midis vendeve të rajonit,” shkroi në Facebook presidentin e Kosovës Hashim Thaçi.
Kryeministri Ramush Haradinaj tha se autoritetet serbe po shkatërronin ato pak mundësi për të krijuar komunikim normal me Kosovën.
“Duke penguar lëvizjen e lirë të njerëzve dhe ideve, Serbia dëmton normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, gjë që është në kundërshtim me shpirtin dhe vlerat europiane,” tha Haradinaj.
Zv/kryeministri Enver Hoxhaj e quajti të turpshëm incidentin në kufi dhe paralajmëroi për “masa reciproke” nga Prishtina.
“Marrëdhëniet nuk mund të jenë normale nëse ata ndalojnë artistët të marrin pjesë në ekspozita,” shkroi Hoxhaj në Tëitter.
Festivali i përvitshëm “Mirëdita, Dobar Dan!” prezanton filma, ekspozita dhe shfaqje teatrore shqiptare të Kosovës në kryeqytetin serb në një përpjekje për të rindërtuar marrëdhëniet midis dy popujve.
Partia Radikale Serbe ultranacionaliste, e udhëhequr nga i dënuari për krime lufte, Vojisllav Shesheli, kërkoi ndalimin e festivalit në fillim të majit për “trajtimin e Kosovës si shtet i pavarur” dhe u zotua të protestojë kundër këtij eventi.
Të martën, ministria e brendshme serbe tha se kishte ndaluar tubimet që Partia Radikale kishte planifikuar të mbante gjatë festivalit, por nacionalistët janë zotuar të protestojnë gjithsesi.