Fshatarët e Osves, të cilët janë nën vëzhgim të vazhdueshëm nga agjencitë vendase dhe të huaja për lidhjet e dyshuara me terroristët, pretendojnë se ata nuk janë radikalë dhe se duan vetëm të “jetojnë një jetë islamike”.
Dhjetë kilometra në perëndim të qytetit boshnjak Maglaj, ndodhet fshati Osve, i cili nuk ngjan aspak si një vend kërcënues.
Është tepër i vogël – nuk ka më shumë se 20 shtëpi të banuara – dhe po aq të shkatërruara – shpërndarë nëpër një rrugë me baltë.
Përveç disa shtëpive që u përkasin të rikthyerve serbë, pjesa tjetër i përket familjeve myslimane duke prezantuar një balancë të rregullt në një fshat boshnjak në këtë pjesë të vendit.
Megjithatë, si agjencitë vendase dhe ato ndërkombëtare e kanë rrethuar Osven me të kuqe rreziku.
Kjo për shkak se anëtarët e lëvizjes fanatike myslimane Salafi kanë blerë disa shtëpi dhe kanë krijuar një komunitet të mbyllur. Disa kanë shkuar gjithashtu të luftojnë në Siri dhe Irak në vitet e fundit.
Një shtëpi në fshat i përket Amir Kavazoviçit 42 vjeç, që lindi 20 kilometra larg në fshatin Gornji Pridjel, pranë Dobojit.
Me mjekrën e gjatë sipas zakonit dhe pantallonat e shkurtra si burrat Salafi, ai jeton në një shtëpi të vogël me gruan, fëmijët dhe familjarët e tjerë.
“Erdha sepse toka është e lirë. Kisha disa financa,” thotë Kavazzoviç, duke mohuar të zbulojë se sa para shpenzoi në anën e tij të shtëpisë dikur të shkatërruar dhe rreth 300 metrat tokë.
Ai jeton me bujqësi dhe ka disa lopë.
Kavazoviç ngrys vetullat dhe ngre zërit kur e pyes nëse i ka marrë paratë ngaqë zgjodhi të jetojë si një Salafi.
“A kanë parë në frigoriferin tim njerëzit që thonë gjëra të tilla? Jo… Ndoshta frigoriferi im është bosh dhe unë nuk kam ushqim,” thotë ai.
Kavazoviç thotë se nuk i intereson luftimi në Siri dhe Irak dhe refuzon të flasë rreth disa të tjerëve që janë larguar për të luftuar në Lindjen e Mesme.
“Autoritetet i njohin. Ata janë njerëzit që i lënë të kalojnë në aeroporte dhe që i japin pasaportat”, thotë ai.
“Nuk i organizoj unë udhëtimet e tyre. Unë nuk kam plan të shkoj dhe kjo nuk ka lidhje me mua,” shton Kavazoviç.
Luftëtarë në Lindjen e Mesme:
Emrah Fojnica jetonte në Osve përpara se të shkonte të luftonte në Iraku ku ai u vra në mesin e vitit 2014.
Autoritetet boshnjake e akuzuan atë dhe Mevlid Jasareviç për sulme terroriste në ambasadën amerikane në Sarajevë në vitin 2011, por ai u lirua.
Disa nga të afërmit e tij ende jetojnë në fshat por nuk duan të flasin me gazetarët.
Agjencia Boshnjake e Investigimit dhe Mbrojtjes, SIPA, konfirmoi për BIRN se po gjurmojnë disa fshatarë në Osve.
Fshati është me “interes sigurie në lidhje me ekstremizmin dhe radikalizmin, që mund të çojë në aktet terroriste”, tha një punonjës.
Kavazoviç dhe fshatarë të tjerë thonë se policia e viziton fshatin çdo ditë dhe ata shpesh shohin makina të SIPA-s që sillen vërdallë.
Një nga fqinjët e afërt të Kavazoviç nuk ka mjekër. Blagoja Vidoviç është një nga disa serbët, nga një komunitet i paraluftës prej 140 personash, që janë kthyer pasi përfundoi lufta 1992-1995 në Bosnje.
Vidoviç është i zhgënjyer që shumë serbë i shitën shtëpitë te Salafistët. Ish-fiqnjët e tij tani jetojnë në Doboj, Brod dhe Tesliç, të gjitha qytete në Republika Srpska me shumicë etnike serbe në Bosnjë.
“Ata pëlqejnë të ecin nëpër trotuare dhe nuk duan të punojnë tokën,” thotë Vidoviç.
Megjithatë ai nuk ankohet rreth myslimanëve të devotshëm që kanë vendosur të vijnë në Osve.
“Ata më mirëpritën. Kur përmbytjet goditën rajonin Maglaj, ata më sollën ushqim. Kur është bajrami më sjellin mish nga kafshët e therura,” thotë Vidoviç.
Gjatë disa orëve të shpenzuara në fshatin Osve, vetëm burra me mjekra të gjata dhe pantallona të shkurtra mund të shihen. Disa veshin xhaketa ose pantallona ushtarake.
Pak gra qarkullojnë në rrugë. Ato që kalojnë janë të shoqëruara me fëmijët dhe nxitojnë. Janë plotësisht të mbuluara, fytyrat i kanë të fshehura me shall.
Një grup Salafis mblidhet përpara vendit të faljes çdo drekë të premteve.
Lutja mbahet në një shtëpi me bokse në çati. Nuk është një xhami apo një vend kulti i njohur zyrtarisht nga Komuniteti Mysliman Boshnjak. Çatia pranë ndërtesës ka një shkop të thyer ku mund të shihet një flamur i zi me shkronja arabike, i ngjashëm me atë të ISIS.
Burrat hyjnë nga dera kryesore e ndërtesës për t’u falur, ndërsa gratë nga hyrja anësore.
Duam vetëm një jetë besimtari:
Lutja drejtohet nga 28-vjeçari Selvedin Dzaniç, i lindur në Oruç, një fshat boshnjak pranë Osve.
“Nuk shkova në Medrese për t’u bërë Imam, e mësova nga librat e shenjtë”, thotë Dzaniç, duke shpjeguar mungesën e kualifikimit zyrtar.
Ai ende jeton në Oruç por planifikon të zhvendoset në Osve së shpejti, sapo të përfundojë puna në shtëpinë e tij. Dzaniç jeton me bujqësi dhe ndonjëherë punon si hidraulik.
I pyetur për imazhin e Salfistëve si një kërcënim i mundshëm për Bosnjen, ai thotë se nuk ka kuptim.
“Ne duam vetëm të jetojmë një jetë islamike, pa konflikt me askënd,” thotë ai. “Ne duam të praktikojmë islamin e vërtetë, ta jetojmë atë dhe të jetojmë një jetë besimtarësh”.
Zyrtarët islamikë nuk bien dakord. Në janar Komuniteti Islamik i Bosnje-Hercegovinës lëshoi një deklaratë ku thoshte se brenda dy muajve, të gjitha vendet e besimit mysliman jo të njohura nga organizata duhet të mbyllen.
Dzaniç shpreson që të mos jetë e nevojshme kjo. “Mendoj se do ta zgjidhim këtë çështje me dialog dhe nuk do të kemi probleme,” thotë ai.
Ai nuk do të flasë në kamera, as anëtarë të tjerë të komunitetit.
Pas mbarimit të lutjeve të së premtes, disa shtyjnë kameramanin duke kërkuar të mos filmohen, regjistrohen apo citohen.
“Sa herë që vijnë gazetarët, ata na prezantojnë si kafshë ose egërsira dhe më pas më shumë policë vijnë në fshat,” tha një prej tyre i zemëruar, duke refuzuar të japë emrin e tij.
Pas një diskutimi të shkurtër, ata i kërkojnë gazetarëve të largohen, nëse kanë mbaruar punë. “Ky vend është vetëm i yni,” përfundon njëri prej tyre.