Pas gjobitjes nga Autoriteti i Konkurrencës për abuzim me pozitën dominuese në tregun bujqësor të kryeqytetit, kompania EKMA Albania u ankua në Gjykatën Administrative të Tiranës, por e humbi gjyqin.
Gjykata Administrative e Tiranës i dha të drejtë Autoritetit të Konkurrencës në gjobitjen e kompanisë EKMA Albania, pas konstatimit se kompania kishte përdorur pozitën e vet dominuese për të vendosur tarifa të larta të qiradhënies si dhe të furnizimit me energji dhe ujë për tregtarët që shesin produkte bujqësore për zonën e Tiranës.
Gjykata vendosi të martën rrëzimin e kërkesë-padisë së ndërmarrjes “EKMA Albania sh.p.k.”, e cila kërkonte anulimin e gjobës prej 43 milionë lekësh të vendosur në nëntor 2018 nga Autoriteti i Konkurrencës si dhe pasojave të tjera të vendimit të Autoritetit.
Gjyqtari i çështjes, Avni Sejdi argumentoi se paditësi, ndërmarrja EKMA Albania sh.p.k.”, kishte abuzuar me pozitën dominuese duke sjellë si pasojë shkelje të konkurrencës dhe të legjislacionit që parashikon lidhjen e kontratave dy palëshe të qiradhënies.
Veç rrëzimit të kërkesë -padisë, gjyqtari Sejdi vendosi të heqë edhe masën e sigurimit të padisë, duke i hapur kështu rrugën ekzekutimit të vendimit të Komisionit të AK-së.
Në vendimin e datës 22 nëntor 2018, Autoriteti i Konkurrencës konstatoi se kompania EKMA Albania operonte e vetme tregun bujqësor të Tiranës. Verifikimi administrativ ka konstatuar se kjo ndërmarrje vendoste çmime dhe kushte të padrejta tregtimi, duke i detyruar qiramarrësit të paguajnë një çmim më të shtrenjtë të energjisë elektrike nga ai që duhet të paguajnë realisht sipas faturave të lëshuara nga OSHEE e UKT, pasi nuk njihen me shpenzimet reale.
Gjatë seancës së të martës, gjyqtari Sejdi shpjegoi se nga hetimi administrativ ka rezultuar se kjo ndërmarrje aplikon kontrata të cilat përmbajnë kushte imponuese vetëm për qiramarrësin dhe të drejta vetëm për qiradhënësin. Gjithashtu, ka rezultuar se qira-marrësve u janë transferuar edhe shërbimet e pastrimit, pavarësisht se nuk duhej të kryheshin prej tyre.
Çmimet e larta të aplikuara ndaj tregtarëve janë konstatuar edhe në raportin e Autoritetit të Konkurrencës.
“Kjo ndërmarrje aplikon çmime shumë të larta qiraje krahasuar me mesataren e zonës gjeografike që i mundësojnë shoqërisë një normë fitimi shumë të lartë, prej 76.1%”, thuhet në vendimin e Autoritetit të Konkurrencës. “Norma e lartë e fitimit të ndërmarrjes “EKMA Albania” SHPK, reflekton mungesën e konkurrencës në treg,” shtohet aty.
Më datë 4 shtator 2018, Autoriteti i kërkoi ndërmarjes “EKMA Albania sh.p.k” që të merrte masa të përkohshme me qëllim rivendosjen e konkurrencës në tregun e qiradhënies së ambienteve për magazinimin dhe tregtimin e produkteve agro-ushqimore në qytetin e Tiranës.
Por “EKMA Albania sh.p.k.” depozitoi kërkesë padi pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë për kundërshtimin e vendimit nr.542, datë 4 shtator 2018 të AK-së, që u bë i pazbatueshëm pas vendimit të gjyqtares Enerjeta Shehaj(Deraj), e cila i dha të drejtë palës paditëse.
Në këto kushte, AK doli me një tjetër vendim më datë 22 nëntor 2018, ku veç detyrimeve vendosi edhe gjobë në masën 9.99% të xhiros ndaj shoqërisë që e akuzon për shkelje në konkurrencës dhe abuzim me pozitën dominuese.
Gjithashtu është vendosur detyrimi i kësaj ndërmarrjeje për të ndaluar shkeljen e konkurrencës dhe brenda 30 ditëve të marrë masat e nevojshme për hartimin e kontratave të qirasë bazuar në dispozitat e Kodit Civil, për të vendosur palët e saj, qiramarrësin dhe qiradhënësin në kushte të barabarta kontraktuale në zbatim të ligjit dhe zakoneve të mira tregtare. Kompanisë i është kërkuar gjithashtu që të ndalojë menjëherë faturimin mbi çmimin ligjor të energjisë elektrike dhe të ujit.