Gjykata Themelore e Prishtinës dërgon në prokurori për sqarim një aktakuzë polemike që akuzon 12 ish-anëtarë të komisionit qeveritar për verifikimin e ish-guerilasve nga Kosova.
Gjykata Themelore e Prishtinës të mërkurën tha se ka vendosur të dërgojë aktakuzën e 12 ish-anëtarëve të komisionit qeveritar në Prokurorinë Speciale të Kosovës.
Anëtarët e komisionit akuzohen për shfrytëzim të postit të tyre zyrtar ose autoritetit mes pretendimeve se lista e veteranëve të verifikuar nga komisioni i atëhershëm përmban mijëra njerëz që nuk luftuan kurrë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës me forcat serbe.
Një nga të paditurit është Agim Çeku, ish-komandant i UÇK-së, ish-kryeministër i Kosovës dhe ish-ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, i cili ishte kreu i komisionit.
Aktakuza gjithashtu propozoi që gjykata të ndërmarrë masa për të ndaluar pagesën e pensioneve të marra në mënyrë të paligjshme nga veteranët e verifikuar të UÇK-së deri në përfundim të procedurës penale.
Gjykata Themelore e Prishtinës tha se përshkrimet faktike në aktakuzë ishin konfuze dhe kërkonin korrigjime dhe sqarime nga Prokuroria Speciale për të shmangur vonesat dhe pengesat në proces.
“U vendos që aktakuza të kthehet në Zyrën e Prokurorisë Speciale të Kosovës që të bëhet më preçize dhe më e sqaruar pasi nuk është në përputhje me nenin 241 paragrafi 1 pika 1.4 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës,” tha Gjykata Themelore e Prishtinës në një deklaratë të mërkurën.
Pretendimet për veteranët e rreme të UÇK-së shkaktuan polemika në Kosovë.
Ish-luftëtarë të UÇK-së nga zona e Dukagjini e forcës guerile, ku kryeministri Ramush Haradinaj ishte komandant gjatë luftës, organizuan një protestë më 27 shtator dhe i dhanë prokurorisë së Kosovës një ultimatum prej 10 ditë kohë për tërheqjen e aktakuzës.
Prokurori special Elez Blakaj, i cili kishte hetuar falsifikimet e dyshuara në listën e veteranëve, dha dorëheqjen në gusht, duke pretenduar se ai ishte nën kërcënimin e “njerëzve të njohur dhe të panjohur” të cilët donin që ai ta mbyllte hetimin.
Dorëheqja e Blakajt bëri që aktivistë të shoqërisë civile të kërkonin largimin e kryeprokurorit.
Dy deputetë janë arrestuar nën dyshimet për kanosje të ish-prokurorit Blakaj – Shkumbin Demaliaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, AAK, e Haradinajt dhe Milaim Zeka nga Nisma Social Demokrate, NISMA.