Lajm21 Dec 2019

Gjykata rrëzon policinë, liron tre punonjësit e AdZM Shkodër

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër liroi tre punonjësit e Administratës së Zonave të Mbrojtura, AdZM të cilët u ndaluan nga policia për “shpërdorim detyre”.

Autor: Anila Dushi BIRN Shkodër
Printo

Një furgon policie në hyrje të Gjykatës së Shkodrës. Foto:Anila Dushi

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër liroi më 19 dhjetor tre punonjësit e Administratës së Zonave të Mbrojtura, AdZM të cilët u ndaluan nga policia për “shpërdorim detyre”. Gjykata e cilësoi arrestimin të paligjshëm, ndërsa zyra e AdZM në Shkodër e cilësoi ndalimin e punonjësve të saj të nxituar.

Policia e Shkodrës njoftoi ndalimin e Refik Zaganit, Vesel Tushës dhe Palë Keçit, duke preteduar se në zonat e mbrojtura ishin konstatuar një sërë shkeljesh si gërmime, shpyllëzime, rrethime me gardh, me rrjetë dhe me shtylla betoni dhe se nëpunësit e sipërcituar nuk kishin kryer detyrat e tyre.

Sipas policisë, këta punonjës të ADZM Shkodër kanë patur për detyrë parandalimin, zbulimin dhe luftimin e dëmtimit, pushtimit, shpërdorimit, tjetërsimit, shkretëtirëzimit apo degradimit të natyrës, të pyjeve, të tokës pyjore apo në mjedisin pyjor të kësaj zone të mbrojtur.

Por gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë, prokurorja Esmeralda Ndoci kërkoi lirimin e të ndaluarve, duke argumentuar se në Velipojë janë bërë shpyllëzime, janë zënë sipërfaqe toke dhe janë kryer ndërtime për çështjen në fjalë vite më parë. Po ashtu, mbrojtësit e të arrestuarve, avokatët Lulzim Karini dhe Besmi Kolçi kërkuan lirimin e klientëve të tyre. Të ndaluarit shprehën gatishmërinë e tyre për të dhënë sqarime për çdo rrethanë para Oficerit të Policisë Gjyqësore. Pasi u njoh me rrethanat e çështjes gjyqtarja Arta Llazari vendosi të shpallë të paligjshëm ndalimin e tre punonjësve të ADZM dhe caktoi masën “detyrim paraqitje” ndaj tyre.

Sipas specialistes së komunikimit pranë AdZM Shkodër, Age Martini, pronat për të cilat janë ndaluar kolegët e saj ndodhen në Baks –Rrjoll, në njësinë administrative të Velipojës dhe janë pronë private me vendim gjykate. “Bëhët fjalë për një rrethim e betonizim”, pohoi ajo. Martini sqaron se veprimet në këto dy prona janë kryer në vitet 1994-2001, kur AZM nuk ishte krijuar si institucion, pasi është krijuar në vitin 2015. “Objekti kryesor i punës sonë është monitorimi dhe ruajtja e faunës e florës në territorin e zonave te mbrojtura nga gjueta; gërmimet; shoqërimi i turistëve etj. Ndalimi i kolegëve ishte një veprim shumë i nxituar sepse ato janë thirrur për tu pyetur dhe janë ndaluar. Hetimet për këtë çështje kanë nisur në nëntor, ndërsa kolegu Pal Keçi ka 6 muaj që ka dalë në pension. AdZM nuk është i vëtmi institucion që merret me shkelje të ndryshme në territor pasi ka dhe të tjerë si, policia, inspektriati i ndërtitmit, etj.”, pohoi Martini.  Për të njëjtën çështje disa banorë të zonës po ndiqen penalisht për pushtim të tokës.