Lajm4 Nov 2019

Gjyqtari Agim Bendo largohet me dorëheqje në mes të vetingut

Agim Bendo, një ndër gjyqtarët më të pasur të Gjykatës së Apelit të Tiranës paraqiti kërkesën në Këshillin e Lartë Gjyqësor, duke u bërë zyrtari i 30 që largohet me dorëheqje që prej nisjes së procesit të vetingut.   

Autor: BIRN BIRN Tiranë
Printo

Gjatë një mbledhjeje të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Foto kortezi: KLGJ

Gjyqtari i Apelit të Tiranës, Agim Bendo largohet me dorëheqje nga sistemi i drejtësisë. Kërkesa e tij i është paraqitur Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe është parashikuar të diskutohet në mbledhjen e së hënës.

Bendo e ka filluar karrierën në gjyqësor në vitin 1992 dhe përgjatë dy dekadave të fundit ka punuar si gjyqtar në shkallë të parë dhe në Gjykatën e Apelit të Tiranës.  Në shtator 2013, Bendo ishte pjesë e trupës gjykuese që dha vendimin e diskutueshëm për çështjen e 21 Janarit, duke dënuar me vetëm 1 vit burg ish-kreun e Gardës, Ndrea Prendi dhe me 3 vjet gardistin Agim Llupo për vrasjen e 4 protestuesve përballë Kryeministrisë.

Gjyqtari i Apelit të Tiranës është zyrtari i tridhjetë që largohet nga sistemi me dorëheqje, që prej fillimit të procesit të vetingut. I renditur si një ndër pesë gjyqtarët më të pasur të Apelit të Tiranës nga një studim i zhvilluar në vitin 2014 nga BIRN, Bendo ndodhej nën hetimin administrativ të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit prej një viti.

Neni G i Kushtetutës u njeh zyrtarëve të drejtësisë të drejtën për t’u dorëhequr, duke ndërprerë njëherazi edhe procesin e vetingut. Megjithatë, dispozita parashikon që zyrtarët e dorëhequr nuk mund të ushtrojnë asnjë funksion në sistem për 15 vitet e ardhshme.

Bendo është gjyqtari i katërt që ka dhënë dorëheqjen në KLGJ përgjatë vitit 2019. Më herët u larguan me dorëheqje edhe gjyqtarja e Durrësit, Ema Gashi, gjyqtarja e Tiranës, Eneida Civici dhe kryetarja e Gjykatës së Durrësit, Joana Qeleshi.