Lajm2 Dec 2019

Gjyqtarja e Krimeve të Rënda Iliriana Olldashi përballet pa probleme me vetingun

Gjyqtarja e Krimeve të Rënda, Iliriana Olldashi u rivlerësua pa probleme nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në të tre kriteret.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Gjyqtarja e Krimeve të Rënda, Iliriana Olldashi, pas seancës në KPK. Foto:Edmond Hoxha

Gjyqtarja e Krimeve të Rënda, Iliriana Olldashi u përball të hënën më 2 dhjetor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK. Gjatë një seance që zgjati pak, Olldashi u njoh me detajet e procesit të rivlerësimit që po kryhet nga trupa gjykuese e përbërë nga Pamela Qirko kryesuese, Xhensila Pine relatore dhe Etleda Çiftja anëtare. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Ferdinando Buatier.

Iliriana Olldashi e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000 si gjyqtare në Gjykatën e Fierit. Në vitin 2005, ajo është emëruar gjyqtare në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë, detyrë të cilën e kryen edhe aktualisht.

Relatorja e çështjes, Xhensila Pine shpjegoi në fillim të seancës dëgjimore se rivlerësimi për gjyqtaren Olldashi ishte përfunduar në të tri kriteret, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmin.

Sipas raportit të dorëzuar pranë KPK nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive e Konfliktit të Interesit, ILDKPKI, gjyqtarja Olldashi nuk kishte probleme në deklarimin e pasurisë.

Pine tha se Komisioni ka kryer hetim të pavarur lidhur me pasurinë e gjyqtares Olldashi. Për një apartament me sipërfaqe 91.6 m2 në Tiranë të prenotuar në vitin 2015 në vlerën 65 mijë euro, ka rezultuar se shitësit i është shlyer e gjithë kjo shumë.

Pine tha se subjekti ka marrë hua nga babai dhe vëllai për të shlyer gjithë vlerën e çmimit të apartamentit. Për këtë arsye Komisioni i ka kërkuar të vërtetojë burimin e ligjshëm të huave.

Sipas relatores, Olldashi ka sqaruar para Komisionit se ka marrë hua pasi nuk kishte mundësi të paguante gjithë vlerën. Pine shtoi se gjyqtarja ka dorëzuar dokumente provues lidhur me burimin e huasë që do të vlerësohen para marrjes së vendimit përfundimtar. Gjithashtu, Olldashi ka deklaruar se ka marrë një tjetër hua në vlerën 5 mijë euro nga një shoqe e fëmijërisë. Si burime të tjera ka deklaruar kursimet e saj si gjyqtare në vlerën 10 mijë euro.

Sipas relatores Pine, si burim krijimi për apartamentin 91.6 m2 ka shërbyer edhe një apartament tjetër me sipërfaqe 77 m2 që prindërit, vëllai dhe ajo kishin blerë në vitin 2006 në shumën 55 mijë euro.

Lidhur me këtë apartament, Komisioni i ka kërkuar informacion edhe shoqërisë ndërtuese. Kjo e fundit ka informuar se fillimisht janë paguar rreth 38 500 euro dhe më pas është likujduar edhe pjesa tjetër e vlerës. Si burim i kësaj vlere gjyqtarja Olldashi ka deklaruar kursimet nga paga dhe të ardhura të prindërve.

Sipas relatores Pine, gjyqtarja Olldashi nuk ka deklaruar gjendjen cash të krijuar deri më 31 dhjetor 2005. Ajo tha se Olldashi ka sjellë dokumente të mjaftueshme për burimin e huasë 1 milion lekë të marrë prej prindërve. Kjo hua më pas i është falur më pas nga prindërit dhe vëllai, ndërkohë që Olldashi ka hequr dorë nga pjesë e pronësisë në apartamentin e blerë 77 m2 të blerë në vitin 2006.

Komisioni nuk identifikoi problematika lidhur me deklarimin si adresë banimi të një garsoniere me sipërfaqe 44 m2 ku gjyqtarja Olldashi ka qëndruar me familjen gjatë viteve 2014-2017, të cilën e ka marrë në përdorim bashkëshorti i saj.

Lidhur me blerjen e një autoveture nga bashkëshorti në vlerën 2500 euro, relatorja Pine u shpreh se deklarimet e gjyqtares Olldashi përputhen me dokumetet e servirura nga institucionet shetërore.

Gjyqtarja OLldashi u vlerësua pozitivisht edhe për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin. Pine tha se sipas raportit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, KLGJ, gjyqtarja Olldashi ka aftësi të mira në interpretimin e ligjit , dosjet janë gjetur të rregullta e të sakta dhe se komunikon me etikë. Dy denoncimet e kryera nga publiku pranë KPK kanë rezultuar pa elemente te mjaftueshme.

Në fjalën e saj gjyqtarja Iliriana Olldashi u shpreh se vlerësonte procesin të drejtë dhe korrekt. “Disponoj pasuri modeste, por të rëndësishme për mua dhe familjen. E vlerësoj korrekt dhe kërkoj konfirmimin në detyrë”, përfundoi ajo. KPK njoftoi se do të shpallë vendimin më datë 4 dhjetor, ora 09:30.