Hetimi dy vjeçar i Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe Prokurorisë së Antimafias Italiane solli arrestimin e 21 personave dhe sekuestrimin e 11 tonëve kanabis në të dy vendet. Grupi i implikuar në një sërë episodesh trafiku prej Janarit 2017.
Një grup që akuzohet se ka trafikuar 8 ton kanabis për në Itali dhe që i janë kapur 3 tonë të tjera në Shqipëri, u godit të martën nga një operacion policor në të dy vendet. Policia e Shtetit dhe Prokuroria për Krimet e Rënda njoftuan se në Vlorë ishin arrestuar 6 persona, ndërsa në Itali u arrestuan 11 të tjerë. 3 persona, dy italianë dhe një shqiptarë ishin arrestuar më herët në Durrës, ndërsa dy persona të tjerë që po ashtu besohet se janë të lidhur me të njëjtin grup janë dënuar tashmë për “Trafik ndërkombëtar narkotikësh.
Në një deklaratë të përbashkët me Policinë e Shtetit, Drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda Donika Prela tha se të arrestuarit dhe 7 persona të shpallur në kërkim akuzohen për “Trafik të narkotikëve”, “pastrim të produkteve të veprës penale” dhe “grup i strukturuar kriminal”.
Policia njoftoi se nga operacioni i koduar “Lulet e pranverës” i zhvilluar në Durrës, Vlorë e Lezhë në dy vjet ishin ekzekutuar urdhërta e arrestit për “Denis Pashaj, Kristjan Llanaj, Luka (Kriols) Beqiri, Bilbil Kabello, Arbnor Xhimaj, dhe Kujtim Elmazi”. Policia njoftoi se për të arrestuar personat e akuzuar për përfshirje në trafik narkotikësh ishin përfshirë ndër të tjera edhe forcat RENEA-s dhe po ashtu edhe agjentë të Guardia di Finanza.
Ndërkohë sipas Prelës hetimet kishin filluar në dhjetor 2016 pas një marrëveshje mes Prokurorisë së Antimafias në Leçe dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Për palën shqiptare hetimet tha Prela u drejtuan nga prokurorët Pranvera Pustina dhe Përparim Kulluri të cilët po ashtu ishin pjesë e konferencës.
“Nga momenti i krijimit e deri më sot, kjo skuadër mund të konsiderohet si një histori suksesi jo vetëm sa i përket përdorimit të të gjitha teknikave ligjore procedurale të hetimit, por në veçanti teknikave të reja të hetimit”, tha Prela. Ajo e cilësoi këtë operacioni si “rritje të besueshmërisë së Prokurorisë për Krimet e Rënda”.
Sipas Prelës hetimet që koishin zgjatur dy vjet ishin kryer paralelisht në të dy vendet, ndërsa ishte shkëmbyer informacion në kohë reale dhe një pjesë e vëzhgimeve ambjentale ishin kryer me pjesëmarrjen e përbashkët të “oficerëve të policisë gjyqësore shqiptare dhe italiane”.
Prela po ashtu përmendi ndër të tjera katër episode të bllokimit të sasive të ndryshme të drogës në Shqipëri e Itali të cilat i atribuohen këtij grupi. Sipas njoftimit për shtyp në në Godull pranë lezhës ishin gjetur dhe sekuestruar 1.6 ton kanabis në shkurt të vitit 2017.
Ndërkohë po në shkurt 2017 rreth 1 ton kanabis u kap në Itali dhe u arrestuan disa persona. Për këtë sasi droge u arrestuan në Shqipëri në prill 2017 Donato Carluçi shtetas italian dhe Eduard Sallaku, të cilët tashmë janë dënuar me 12 dhe 13 vjet burg. Gianfranco Mairano, një tjetër italian u arrestua po në prill në Gjirin e Lalzit ku u sekuestrua edhe një gomene që përdorej për trafikun.
Në një episod tjetër në qershor 2017 në Vjosë u kap një gomen dhe u arrestua Dino Abazi. Sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda janë nxjerrë në total 27 masa sigurimi “arrest me burg”. Nga të cilët 9 persona u arrestuan ose ishin arrestuar më herët në Shqipëri përfshi dy italianet e sipërpërmendur. 10 persona janë arrestuar në Itali, pesë shqiptarë dhe pesë italianë dhe janë shpallur në kërkim 7 persona të tjerë.
Prokurorët e çështjes Pranvera Pustina dhe Përparim Kulluri të pranishëm në konferenca dhanë po ashtu detaje nga operacioni. Pustina tha se të arrestuarit nuk ishin lejuar të komunikonin me anëtarë të tjerë të grupit, ndërsa Kulluri bëri me dije se ndërkohë kishte një hetim pasurorë ndaj personave anëtarë të grupit.
Finalizimi i operacionit u përshëndet në videokonferencë edhe nga Prokurori i Antimafias Federico Cafiero de Raho. Ndërkohë që oficer të maskuar të Guardia di Finanza ishin të pranishëm gjatë konferencës për shtyp në Tiranë.