Policitë në Spanjë, Gjermani e Shqipëri bashkëpunuan në një operacion një vjeçar që u mbyll me arrestimin e 107 personave dhe shkatërrimin e disa të ashtuquajturave shtëpi bari të kontrolluara nga shqiptarë në Spanjë, që kishin konsumuar 1.6 milion euro energji elektrike.
107 persona u arrestuan në Spanjë gjatë një operacioni kundër kultivimit të kanabisit në të ashtuquajturat shtëpi bari. Operacioni i koordinuar nga Europol dhe me bashkëpunim të policisë shqiptare, asaj gjermane dhe asaj spanjolle erdhi sipas një njoftimit të bërë publik nga kjo e fundit pas rreth një viti hetimesh.
Rezultatet e operacionit u prezantuan në një konferencë për shtyp të mbajtur në Madrit, në të cilën ishin të pranishëm komisari i përgjithshëm i policisë gjyqësore të Policisë së Spanjës Rafael Pérez Pérez dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu.
Sipas komunikimit nga policia spanjoll gjatë aksionit u sekuestrua 1 ton me kanabis të presuar, 23 shtëpi bari, 25 mijë bimë, dy armë zjarri dhe mjete të tjera që shërbenin në prodhimin e kanabisit.
Veliu që ndodhej në Spanjë për të prezantuar rezultatet e aksionit tha në konferencën për shtyp se ishte i lumtur që partnerët e besonin policinë shqiptare. “Ky është operacioni i parë i përbashkët me kolegët spanjollë, shpresoj të realizojmë aksione të tjera të ngjashme”, tha ai.
Drejtuesi i policisë po ashtu premtoi se do të kishte hetim të pasurisë së shqiptarëve të arrestuar. “Do të vazhdojmë duke hetuar pronat që mund të kenë ardhur si rezultat i aktivitetit kriminal në Shqipëri edhe në vend të tjera”, tha ai, ndërsa shtoi se goditja e aktivitetit ekonomik do të paralizonte grupin.
Operacioni u zhvillua njëkohësisht në Tarragona, Barcelonë, Girona dhe Castellón. “Ky operacion është pjesë e luftës së koordinuar ndërkombëtare të policisë kundër krimit të organizuar me origjinë shqiptare, një fenomen në zgjerim”, thuhen të komunikatën e Policisë Spanjolle.
Aty bëhet me dije se vlera e drogës së kultivuar 5-fishohej pasi ajo dilte në treg kryesisht në Gjermani. Grupi u zbulua pas kapjes në Gjermani të një sasie prej 140 kilogramësh drogë. Bashkë me drogën u arrestuan edhe 3 shqiptarë, ndërsa hetimet zbuluan rrjetin e gjerë të trafikut.
Komunikata e policisë spanjolle bën me dije se për mirëmbajtjen e plantacioneve grupet kishin bërë lidhje ilegale me rrjetin e energjisë elektrike gjë që u mundësonte të fshihnin konsumin. Sipas policisë spanjolle vetëm vlera e energjisë së harxhuar është rreth 1.6 milion euro.
Në komunikatë Policia Spanjolle thotë se krimi i organizuar shqiptarë kishte future këmbët dhe po rivalizonte me organizata më të vjetra si mafia italiane, falë kultivimit dhe prodhimit të kanabisit. Po ashtu në komunikatë thuhet se ka një sërë projektesh bashkëpunimi për të goditur rrjetet e trafikut me origjinë nga Shqipëria.